Real Madridi nuk ka arritur të dalë fitues përballë Malagas në Santiago Bernabeu, ku barazoi pa gola.
Los Blancos nuk u treguan konkretë në gjysmën e parë të ndeshjes, edhe pse rastet nuk munguan.
Carlos Kameni ishte i pakalueshëm për lojtarët vendas duke bërë disa intervenime mahnitëse.
Shume shanse u krijuan për Cristiano Ronaldon, por edhe lojtarit më të mirë të Mbretërve i mungoi saktësia.
Intensiteti i sulmeve të ekipit vendas u shtua akoma më shumë në gjysmën e dytë, e sidomos kur po kalonin minutat. Mirëpo, portieri mysafir vazhdonte të tregohej vendimtar.
Madje në një moment, topi i iku Kamenit, porse Weligton e largoi nga vija fatale.
Malaga mbeti me një futbollist më pak në minutën e 77-të, pas përjashtimit të Nordin Amrabat me karton të kuq për shkak të një goditjeje kundrejt Marcelos.
Epërsia numerike në fushë i dha mundësi ekipit nikoqir që të rrezikonte akoma më shumë në minutat e mbetura, por ndeshja u mbyll me rezultatin e fillimit.
Pas këtij barazimi, Real Madridi humb kreun e tabelës, të cilin merr sërish Barcelona me një pikë më shumë se Mbretërit. /Telegrafi/