Rritja e paralajmëruar me mbi 20 përqind e çmimit të energjisë më 1 prill, për partitë e opozitës, do të ketë pasoja të rënda ekonomike te qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
“Nëse ndodh, se akoma nuk janë bërë të ditur raportet as konsultues, e lëre më vendimi përfundimtar. Nëse vjen si vendim rritja 20%, ka me pasë pasoja direkte, fillimisht në rrymë sigurisht, po edhe në produkte të tjera që e kanë të pashmangshëm produktin e rrymës për krijimin e një produkti tjetër ose shërbimi. Nëse rritet çmimi i energjisë elektrike, është dështim, është paaftësi menaxheriale në sektorin e energjisë elektrike. Mundemi me organizu importin edhe i kishim shpëtu rritjes së energjisë elektrike si çmim”, tha Janina Ymeri, deputete e LDK-së.
Ndërsa ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se në Kosovë ende nuk ka hapa konkretë nga qeveria për të minimizuar efektet negative që vijnë nga rritja e çmimit të energjisë.
“Është normale të pritet ngritje e çmimit të energjisë elektrike sepse jemi të varur nga importi. Por ajo që është më shqetësuese është se kjo rritje e inflacionit dhe e çmimit të energjisë nuk po përcillet me hapa konkretë nga institucionet për të minimizuar efektin negativ. Ngritja eventuale e paralajmëruar prej 20% nga prilli do të jetë goditje jo vetëm për standardin e qytetarëve, por edhe për prodhuesit vendor dhe ekonominë në përgjithësi.”
Kompania për Furnizimin e Energjisë Elektrike ka dorëzuar kërkesën e rritjes së çmimit mbi 20 përqind. Vendimi pritet të merret nga Zyra e Rregullatorit për Energjinë. Nëse vendoset një rritje e këtij çmimi, ky do të ishte shtrenjtimi i katërt në katër vitet e fundit.










