Nga Ilva Tare/
Të mërkurën në orët e para të mëngjesit pas një debati që në pjesën më të madhe nuk kishte të bënte fare me ligjin për arsimin e lartë, deputetët e maxhorancës votuan në favor të një prej reformave më të rëndësishme për edukimin e një vendi. Opozita që e kishte pritur me qetësi dhe gati një dakortësi të heshtuar çuarjen e ligjit në Kuvend, u mobilizua kundër tij në ditët e fundit, kur gjasat për të ndryshuar kursin e disa prej shtyllave kryesore ishin afër zeros.
Prej mëse një viti e gjysëm është ngritur një Komision i Posaçëm që është marrë me propozimet e kthyera në ligj tani. Profesori im dhe një ndër drejtuesit e departamenteve të ‘London School of Economics’ në Londër, Arjan Gjonca ishte në krye të këtij komisioni ekspertësh dhe akademikësh. Në dy intervista të realizuara me të për emisionin “Tonight Ilva Tare” në Ora News kujtoj se kam qenë dyshuese për arritjen e një marrëveshjeje pozitë-opozitë për ligjin e arsimit të lartë, përkundrejt besimit të lartë të Gjoncës se konsensusi ishte i mundshëm dhe se reforma ishte gjithëpërfshirëse, me përpjekjen për të qenë sa më pak e kritikueshme.
Javët e fundit, gjërat ndryshuan. Pedagogët u bënë më të zëshëm në protestën e tyre, ndërkohë që një pjesë e tyre muaj më parë e kishin me përtesë të dilnin në debate televizive për të dhënë argumentat e tyre kundërshtuese. Të tjerë kërkonin formate të caktuara debati që jo gjithmonë ishte i realizueshëm. Si përfundim, projekt-ligji kaloi në qeveri, disa studentë nisën protesta, pedagogë gjithashtu dolën hapur kundër dhe u organizuan forume kundër ligjit që Kryeministri Rama e quajti pesë orë pas miratimit si revolucionar.
Duhet të presim vitin tjetër akademik kur dhe do të hyjë ligji për të parë pasojat e këtij revolucioni që pretendon maxhoranca. Por deri atëherë e kemi mundësinë të bëjmë disa konstatime dhe pyetje që duan përgjigje. Përse reforma revolucionare nisi me arsimin e larë kur “gropat” në edukim krijohen që në parashkollor, cikël të ulët dhe të mesëm. Çfarë mund të bëjë trupa e pedagogëve me studentë që do të përfitojnë të drejtën e studimit universitar falë këtij revolucioni bashkëkohor, kur dijet e tyre do të jenë të formuara nga epoka e para-revolucionit?
Përgjigja më e thjeshtë është se duhet filluar nga diku dhe u zgjodh arsimi i lartë. Ndërsa ajo më e vërteta dhe pragmatike është se interesat akademike dhe financiare janë më të larta pikërisht në radhët e studentëve. Sa për akuzat për lobim dhe trafik influencash të privatëve ndaj publikut duhet të provohen dhe faktohen, duke e bërë të qartë se lobimi nuk është i jashtëligjshëm, ndërsa trafiku i influencës mbetet në moralin e maxhorancës që pas dy vjetësh duhet të jape llogari tek qytetarët në zgjedhjet parlamentare.
Konstatimi më i dhimbshëm gjatë debatit për miratimin e ligjit të arsimit të lartë në Kuvend ishte fakti se pjesa më e madhe e atyre që e votuan dhe bojkotuan i kanë fëmijët për studime jashtë shtetit. A ka gjasa që ky revolucion t’i kthejë në Shqipëri fëmijët e politikanëve që studiojnë në shkollat më të shtrenjta dhe prestigjoze jashtë vendit? Duket e vështirë, në mos e pamundur, që efektet e revolucionit të ndjehen edhe në legjislaturat pasardhëse dhe përderisa shumica e deputetëve i kanë të siguruar fëmijët e tyre në universitetet jashtë shtetit, përse u duhet besuar se kjo reformë është cudibërëse për popullin e thjeshtë, përfshi dhe shtresat e varfra.









