Nëse doni të vërtetën mbi rastin Epstein, merrni në pyetje nën betim presidentin Trump. Dhe ndoshta ish-mikun e tij Elon Musk. Ky ishte qëndrimi i Hillary Clinton-it, të cilën republikanët e detyruan të dëshmojë mbi rastin e financierit pedofil, me shpresën për ta vënë në siklet dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë, emri i të cilit përmendet më shpesh në dosjet sekrete të publikuara.
Por kështu i dhanë mundësinë Clinton-it të kthejë lojën kundër tyre, gjatë seancës me dyer të mbyllura në Chappaqua, fshatin në veri të New York-ut ku ajo jeton. Ndërkohë sot do të dëshmojë Bill Clinton, i cili ka pasur më shumë kontakte me Epstein dhe mund të japë shpjegime më të detajuara, por rreziku për republikanët është që efekti të jetë i kundërt nga ai që dëshironin.
Por këtë herë bëhet fjalë për lidhjet me një pedofil të dënuar dhe me bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell. “Si çdo person i ndershëm, u tmerrova nga krimet e tyre”, tha ajo, duke shtuar se nuk kishte pasur asnjë kontakt me Epstein.
“Ju më detyruat të dëshmoj, duke e ditur se nuk kam asnjë informacion që mund të ndihmojë hetimin tuaj, vetëm për të shpërqendruar vëmendjen nga veprimet e presidentit Trump dhe për t’i mbuluar ato, pavarësisht kërkesave legjitime për përgjigje”, tha Clinton.
“Nëse ky Komitet do të ishte serioz për të zbuluar të vërtetën mbi krimet e Epstein-it, do ta pyeste drejtpërdrejt nën betim presidentin aktual për dhjetëra mijëra herët që emri i tij shfaqet në dosjet Epstein.” Clinton shtoi se duhen hetuar edhe ata që përmendin “festën më të shfrenuar” në ishullin e Epstein, një referencë ndaj një mesazhi të Elon Musk-ut.
Republikanët e pyetën për financimet e Epstein ndaj fondacionit të Bill Clinton, por ajo tha se nuk kishte qenë e përfshirë, pasi në atë kohë ishte senatore. Ata kërkuan gjithashtu shpjegime për praninë e Ghislaine Maxwell në dasmën e vajzës së tyre, Chelsea, por ajo kishte qenë e ftuar nga një tjetër mysafir. Seanca u ndërpre kur deputetja Lauren Boebert shpërndau një foto të Hillary Clinton tek komentatori politik i krahut të djathtë Benny Johnson, i cili e publikoi. Avokatët e saj protestuan duke thënë se ishte absurde të refuzohej një seancë publike, ndërsa imazhet shpërndaheshin fshehurazi.
E vërteta ishte e dukshme që në fillim: Çifti Clinton janë shënjestra më e preferuar e republikanëve, veçanërisht e ekstremistëve të Maga-s, të bindur se do të gjejnë prova kundër tyre në dosjet sekrete.
Por në fakt, emri i Trump-it del shumë më shpesh në dokumentet e publikuara. Sot është radha e Bill Clinton, i cili pritet të japë shpjegime më të hollësishme për kontaktet e tij profesionale me Epstein. Ndërkohë, mbetet pa përgjigje pyetja pse të njëjtat pyetje nuk po i drejtohen presidentit Trump.











