Socialistët kërkojnë rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit. Ky qëndrim reflektohet në një raport, i cili do të hidhet sot në votim, në seancën plenare të Parlamentit.
Anëtarët e mazhorancës në Këshillin e Imunitetit dhe Mandateve propozojnë që kërkesa e prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit të mos pranohet. Duke e konsideruar kërkesën e prokurorisë si të motivuar politikisht, ata rekomandojnë pranimin e kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda vetëm për dhënien e autorizimit për kontrollin personal dhe të banesës së Tahirit; për ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore. Raporti i Partisë Socialistë është firmosur nga Vasilika Hysi, Ulsi Manja, Klotilda Bushka dhe Bledar Çuçi, shkruan Shqiptarja.com
7 Argumentat pro Tahirit
Ndryshe nga sa arsyetojnë deputetet e opozitës, në raportin e përgatitur nga deputetët socialistë shkruhet se gjatë shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës, relacionit përkatës, provave të paraqitura dhe shpjegimeve të dhëna gjatë mbledhjeve qe realizoi Këshilli, rezultoi qartësisht se nuk ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara për të përligjur dhënien e autorizimit për masën e arrestit ndaj deputetit Saimir Tahiri.
1. Së pari, mazhoranca konstaton se materiali prej më pak se 5 faqe i Prokurorisë nuk argumenton përfshirjen e deputetit Tahiri në veprimtari kundërligjshmërie dhe nuk paraqet asnjë indicje, fillim prove apo prove që të krijoj bindjen e tyre për marrjen e masës ekstreme të arrestit ndaj deputetit Tahiri.
2. Veprat për të cilat është regjistruar procedimi penal në ngarkim të Tahirit janë nga më të rëndat që përmban Kodi Penal, edhe pse Prokuroria nuk ka bërë asnjë ditë hetim ndaj Tahirit, por i është referuar materialeve të procedimit penal të kryer nga organet e shtetit italian dhe disa akteve të tjera të marra nga organi i akuzës në Shqipëri në kuadër të procedimeve penale të mëparshme, konstatojnë deputetët e mazhorancës në raport.
3. Emri i deputetit Tahiri, përmendet nga persona të tretë që hetohen për vepra penale në fushën e narkotrafikut nga organet e drejtësisë së shtetit italian, por në asnjë material të paraqitur, si në materialet e ardhura nga organet e drejtësisë italiane , ashtu dhe në materialet e procedimeve penale të nisura nga organi i akuzës në Shqipëri nuk rezulton në asnjë moment që deputeti Tahiri të ketë qenë pjesë e komunikimeve, veprimeve apo situatave të tilla që do të krijonin bindje se është përfshirë në veprimtari kriminale, është një argument tjetër i mazhorancës.
4. Në raportin e mazhorancës argumentohet se përgjimet janë mjete për të kërkuar provën. Sipas tij, përfshirja e Tahirit në veprimtari kriminale nuk rezultoi në asnjë nga materialet që u morën në shqyrtim. Për efekt te respektimit te angazhimit të deputetëve për të mos nxjerrë te ashtuquajturat sekretet hetimore, që për ne nuk ishin aspak të tilla, nuk po citojmë konkretisht asnjë prej tyre.
5. Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë
së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen e socialistëve se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria, kërkesa ka sfond politik.
6. Autorizimi që u kërkohet për arrestin dhe heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, çmohet nga mazhoranca si një masë e panevojshme dhe e papërshtatshme, duke iu referuar akteve që morën në shqyrtim.
PS: Prokuroria shkeli ligjin
Vendimi i mazhorancës për mospranimin e arrestimit të deputetit Saimir Tahiri vjen edhe pse sipas saj Prokuroria nuk ka respektuar kërkesat e nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale. Pika 2 e nenit 288 që deputetët socialistë evidentojnë se Prokuroria e ka shkelur, është: “Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë Kod për kryerjen e veprimeve si masa e sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrolli personal ose i banesës. Ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij”. Sipas deputetëve socialistë, kërkesa e prokurorisë për arrestimin e Tahirit është e panevojshme dhe e papërshtatshme.
Rekomandimi i mazhorancës:
Në të tilla kushte mbështetur në parimet tona kushtetuese për funksionimin e shtetit të së drejtës, barazisë së të gjithë shtetasve përpara ligjit, opinioneve të Komisionit të Venecias, rrethanave të parashtruara nga prokuroria dhe vlerësimit të ekzistencës së motivimit politik në paraqitjen e kësaj kërkese nga ana e prokurorisë, mos respektimit nga ana e Prokurorisë të kërkesave të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, ne deputetët e mazhorancës të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i rekomandojmë Kuvendit të votojë:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për: -Dhënien e autorizimit për kontrollin personal dhe të banesës për deputetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Saimir Tahiri.
-Dhënien e autorizimit për ndalimin e daljes jashtë shtetit, detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ndalimin dhe detyrimin për qëndrimin në një vend të caktuar, si masa shtrënguese të heqjes së lirisë në kuptim të germave a,b,c të nenit 232 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
2. Rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për dhënien e autorizimit për masën e arrestit në burg ose në shtëpi për deputetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Saimir Tahiri.
Mbledhjet në Këshill
Pyetjet e shtruara nga deputetet, u fokusuan për të sqaruar:
-Kohën kur Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka regjistruar procedimin penal dhe regjistruar si person në hetim deputetin Saimir Tahiri;
-Të dhënat , faktet ku organi i prokurorisë është bazuar;
-Nëse prokurorët kishin të dhëna apo dyshim të arsyeshëm që Saimir Tahiri do t’i shmangej hetimit apo do të prishen provat e hetimit sipas kërkesave të parashikuara në nenet 228, 229 të Kodit të Procedurës penale
-Mënyrën se si kishte vepruar Prokuroria për administrimin e materialeve të ardhura në funksion të këtij procedimi në ngarkim të shtetasit dhe deputetit Saimir Tahiri; -Nëse kërkesa për dhënien e autorizimit për arrestin ose kufizimin e lirisë është në përputhje me kushtet e parashikuara nga KEDNJ dhe në Kodin e Procedurës Penale;
-Se në harkun kohor prej 48 orësh, nga shkrimi në gazetë dhe në portale të një materiali 416 faqësh ka qenë e mjaftueshme që konform nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, të kërkohet arrestimi i deputetit Saimir Tahiri. /b.d