Zhvillimet në Shqipëri dhe veçanërisht raportet ndërmjet liderëve kryesorë të regjimit komunist kanë qenë në vëzhgimin e pandërprerë të shërbimeve të fshehta amerikane. Fakti pak i njohur pohohet më së fundi në dokumentet e deklasifikuara të CIA-s. Studiuesi i shkencave historike dhe bashkëpunëtori i “Panoramës”, Beqir Skreli, që jeton dhe punon në SHBA, ka sjellë nga hulumtimet e tij për gazetën një cikël shkrimesh që kanë në fokus raportet e panjohura të shërbimeve amerikane për profilin e udhëheqësve shqiptarë dhe raportet konfliktuale ndërmjet tyre.
Agjencia Qendrore e Informacionit të SHBA-ve, siç konkludohet në zbulimin e Skrelit, ka pasur vazhdimisht në qendër të vëmendjes zhvillimet e brendshme për kreun e partisë dhe të shtetit komunist, duke qëmtuar informacione të rregullta për ecurinë e tyre. Ajo, madje, interesohej për shëndetin e tyre, familjet, miqësitë, për karakterin, aftësitë, veset, lidhjet shoqërore, të shkuarën, manitë etj.
Burimet e informacionit kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga emigrantët politikë, agjentët e fshehtë brenda vendit, agjentët e dërguar nga jashtë, vizitorët që ktheheshin nga Shqipëria, gazetarët, shtypin shqiptar dhe të huaj, diplomatët, shërbimet e huaja, sidomos ato jugosllave, greke dhe italiane. Në ciklin që po publikojmë veçohen raportet për mënyrën si CIA vëzhgonte rivalitetin ndërmjet Hoxhës, shefit të Partisë dhe Shehut, kreut të Ekzekutivit shqiptar, që vinte në këtë post nga detyra e ministrit të Brendshëm…
BEQIR SKRELI
“Planet e Shehut, të cilat do të varen prej miratimit sovjetik, janë ta emërojë Hoxhën ministër të Bujqësisë, sa për t’u bërë qejfin rusëve dhe pastaj t’i ngarkojë atij përgjegjësinë për gjendjen e keqe në bujqësi. Shehu gjithashtu ka në plan të shkarkojë Beqir Ballukun si pro Titos dhe të emërojë Rita Markon në sekretariatin e partisë”.
Raporti i CIA-s, që depërton në këto mistere të pabesueshme, shtjellon më poshtë të tjera zhvillime në raportet problematike midis Hoxhës dhe Shehut, respektivisht kreu i Partisë dhe Kryeministër i vendit. Kishte arsye që, po të ishte puna për të zgjedhur midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, sovjetikët do të parapëlqenin Mehmetin. Ndryshe nga udhëheqësit e tjerë të Lindjes, Enveri nuk kishte kaluar nga shkolla e Moskës. Ai ishte udhëheqës, i dalë nga lufta i një vendi që nuk u çlirua me ndërhyrjen direkte të Ushtrisë së Kuqe.
Udhëheqja e re sovjetike, pas vdekjes së Stalinit, nën udhëheqjen e Hrushovit kishte bërë ndryshimin e udhëheqjeve në të gjitha vendet e kampit socialist dhe nuk duronte dot asnjë shenjë pavarësie ose sfide. “Për të siguruar dominimin e tyre sovjetikët dëshirojnë një parti, ku të ekzistojnë klika rivale. Ambasadori sovjetik Chuvakhin përfitoi nga dobësitë e Hoxhës dhe e shtyu atë të eliminonte të gjithë elementët që përbënin pengesë në parti dhe në të njëjtën kohë nxori në pah Mehmet Shehun, i cili për shkak të qëndrimit dhe interesave të tij gjatë luftës partizane, ishte përjashtuar nga KQ-ja i Partisë dhe në kohën e Rezolutës së Informbyrosë ishte vetëm një personalitet i rangut të tretë ose të katërt.(Takimi CIA-UDB, 16-17 shkurt 1953)
Rusët donin që udhëheqësit e vendeve të tjera të ndiheshin të detyruar ndaj tyre për ardhjen dhe mbajtjen në pushtet. Në këtë kuadër, Mehmet Shehu ishte një kandidat ideal. Ambicioz, karrierist, i pakënaqur me postin, me njolla nga e kaluara, i shkolluar në Rusi, Mehmeti ishte i natyrshëm, i parapëlqyeri i rusëve. Dokumenti i mëposhtëm tregon se parapëlqimi rus nuk kishte mbetur thjesht vetëm si ndjenjë.
Në raportin informativ të CIA-s, datë 11 tetor 1955, me subjekt “Lufta për pushtet Hoxha-Shehu”, thuhet: ”1. Enver Hoxha u nis nga Tirana për në Moskë më 18 gusht 1955, pasi personalisht kyçi dhe dyllosi zyrën e tij. Ai informoi Mehmet Shehun se do të ikte nga Durrësi me një anije sovjetike, që ishte gati për t’u nisur. Udhëtimi i papritur i Hoxhës është pasojë e vendimit të tij për t’u njohur me instruksionet ruse për një afrim me jugosllavët, pavarësisht kundërshtimit të Shehut. Në shpagim, Shehu hoqi të shoqen e Hoxhës nga Presidenca e Bashkimit të Grave të Shqipërisë dhe i hoqi Hoxhës automobilin personal dhe rojën. Pastaj, Shehu vuri forcat ushtarake dhe të sigurimit në gatishmëri luftarake dhe i përqendroi trupat në zonat pranë kufirit jugosllav.
2. Më tej, Shehu urdhëroi udhëheqësit e lartë të partisë dhe të shtetit të merrnin pjesë në një “referendum” për të vendosur “Po” ose “Jo”, në lidhje me rinovimin e Paktit të Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke të nënshkruar në Beograd nga Hoxha më 1946. Rezultatet e votimit ishin 5 “Jo” dhe 4 “Po”. Shehu do të informojë Moskën se “Qeveria shqiptare, partia dhe populli riafirmojnë përkushtimin dhe mirënjohjen ndaj Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), por nuk pranojnë të kenë asnjë detyrim ndaj Jugosllavisë, që mund të vinte në rrezik integritetin, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit dhe të institucioneve politike të garantuara prej Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Traktatit të Varshavës”.
3. Më 1 shtator arriti në Tiranë një personalitet i lartë sovjetik, gjoja për të marrë pjesë në Kongresin e Tretë të Bashkimit të Grave të Shqipërisë, por në fakt ka ardhur si i dërguari i Moskës për t’u marrë me situatën, që kulmoi me vizitën e Hoxhës në Moskë. Shehut iu parashtruan pikat e mëposhtme:
a. BRSS synonte t’i jepte fund luftës Hoxha-Shehu, e cila po ndikonte në situatën e brendshme në Shqipëri, në parti dhe në politikën e jashtme sovjeto-shqiptare, në një kohë që harmonia duhet të jetë mbi gjithçka.
b. Është e qartë se njëri prej tyre, ose Shehu ose Hoxha, duhet të zëvendësohet. Duke pasur parasysh qëndrimin e mbajtur prej shumicës së qeverisë dhe të udhëheqësve të partisë, Shehu do të merrte udhëheqjen e partisë, kurse vendin e tij si Kryeministër do ta zinte Gjeneral Kadri Hazbiu. Qeveria do të riorganizohej për të justifikuar para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm ndryshimet në udhëheqjen e partisë dhe të qeverisë. c. Sovjetikët kërkonin respekt për pozicionin e Hoxhës, i cili do të kthehej në Shqipëri pas disa ditësh.
4. Shehu u përgjigj se ndryshimet në qeveri dhe në parti janë e drejtë ekskluzive e Komitetit Qendror të Partisë dhe se ai “Do të mbetej në post për aq kohë sa gëzonte besimin e Kuvendit, Komitetit Qendror dhe popullit”. “Hoxha, të cilin askush nuk dëshiron ta vrasë ose ta bëjë idhull, nuk e ka një përkrahje të tillë”.
5. Më 3 shtator, Hoxha u kthye në Tiranë me dy gjeneralë sovjetikë. Shehu nuk kishte dalë ta priste. Hoxha iu tha se Shehu nuk mund ta priste atë pa qenë i njoftuar që dy ditë më parë dhe u kontrollua para se të futej në zyrë. Gjithashtu, iu shkurtuan dhe fondet e trajtimit ekonomik.
6. Planet e Shehut, të cilat do të varen prej miratimit sovjetik, janë ta emërojnë Hoxhën ministër të Bujqësisë, sa për t’u bërë qejfin rusëve dhe pastaj t’i ngarkojë atij përgjegjësinë për gjendjen e keqe në bujqësi. Shehu gjithashtu ka në plan të shkarkojë Beqir Ballukun si pro Titos dhe të emërojë Rita Markon në sekretariatin e partisë”. Ky dokument do të kishte akoma më shumë vlerë nëse prej tij nuk do të ishte fshirë gjysma e faqes së fundit. Në dokumentet e deklasifikuara të CIA-s ka shumë faqe të tilla ku emra, praktika, fakte janë të fshira.
Ato ende përbëjnë sekrete shtetërore. Kur lexon këtë dokument, vetvetiu të lind pyetja: Në qoftë se jo vetë Mehmet Shehu, kush mund t’ia ketë dërguar CIA-s këtë informacion kaq të detajuar, duke filluar nga dyllosja e zyrës së Enverit e deri te plani për emërimin e tij ministër i Bujqësisë? Mehmeti nuk e eliminoi dot Enverin. Ndryshe nga përshtypja e krijuar deri tani për Mehmetin gjatë konfliktit me rusët, si kundërshtar i ashpër i tyre, dokumenti mëposhtëm i CIA-s që mban datën 18 mars 1963, që bën fjalë për dënimin e Liri Belishovës, dëshmon se ai e mbrojti deri në fund vijën ruse.
“Gjatë vitit 1961 shpërtheu një konflikt ideologjik midis sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë Enver Hoxha dhe Kryeministrit Mehmet Shehu, në lidhje me çarjen sovjeto-kineze. Dikur, pasi konflikti midis Hoxhës dhe Shehut ishte marrë vesh, një femër, anëtare e KQ-së të PPSH-së u kthye në Shqipëri prej një vizite në Kinë. Mësohet se gjatë qëndrimit atje, ajo ishte shprehur në favor të pozicionit ideologjik të Bashkimit Sovjetik dhe se pak kohë pas kësaj, ajo u përjashtua nga Komiteti Qendror dhe nga partia. Përjashtimi i saj shikohet si një fitore e madhe ideologjike për Enver Hoxhën, i cili si përkrahës i komunizmit kinez, kërkoi përjashtimin e saj në kundërshtim me Kryeministrin Shehu, i cili mbështeti pozicionin e saj pro sovjetik”.
Në vend të konkluzionit
PARTNERITET PUNE EFEKTIVE
“I vetmi rival i Hoxhës brenda hierarkisë së sotme është Mehmet Shehu, të cilit ai më 1954 i dorëzoi postin e Kryeministrit. Megjithëse vazhdimisht është raportuar për fërkimet midis tyre, shumica e vëzhguesve mendojnë se ata kanë arritur të krijojnë një partneritet pune të efektshëm. Që nga fundi i viteve ‘40, ata kanë bashkëpunuar me sukses për të mbajtur nën kontroll absolut vendin e vogël ballkanik dhe sipas studimeve të kohëve të fundit, nuk duket shumë i mundshëm ndonjë ndryshim në udhëheqjen shqiptare”. (Maj 1963)
Me sa duket, koha e bindi Mehmetin se nuk ishte aq i fortë sa të mund ta hante dot Enverin dhe se e vetmja mënyrë për të mbijetuar e për të arritur qëllimin ishte të mbante gjallë në popull idenë se ai ishte bashkëpunëtori më i aftë e më besnik. Ata e njihnin mirë njëri-tjetrin dhe në një farë mënyre e kanë përdorur njëritjetrin. Kudo që shkonte, Mehmeti nuk e hiqte nga goja emrin e Enverit ashtu si Lin Biao emrin e Maos. “Në unitet të çeliktë rreth Komitetit Qendror të Partisë dhe shokut Enver Hoxha, ne jemi më të fortë se çdo armik, se çdo pengesë e vështirësi dhe jemi në gjendje t’i ngjitemi malit pa na u marrë fryma, pa ndaluar në mes të rrugës, të ecim përpara me kurajë drejt socializmit dhe komunizmit”, u shpreh Mehmet Shehu në mitingun e Vlorës, me rastin e 65-vjetorit të pavarësisë.
PËRFUNDIM
Siç dihet, fitues i kësaj lufte ose partneriteti të gjatë doli Enveri. Ajo që nuk dihet me siguri është: A ishte Enveri i vetëdijshëm që Mehmeti punonte kundër tij me plane e me qëllime të përcaktuara apo sinqerisht besonte se Mehmeti ishte “një nga udhëheqësit më të shquar, më të talentuar e më të domosdoshëm të partisë”, por që kishte “nevojë të frenohej disi sepse ishte shumë i rrëmbyer”.
Burimi: Panorama.al
ma.me