Kryeministri Edi Rama komentoi sot, 1 mars, ndryshimet më të fundit në qeveri. Ai tha gjatë podkastit të tij ‘Flasim’ se ato i ka konsideruar si një qasje të re dhe ishin të paralajmëruara më herët gjatë asamblesë Kombëtare.
Për kryeministrin raporti i fundit i BERZH konfirmon se ekonomia shqiptare po rritet me qëndrueshmëri.
“Në vitin 2025 sipas BERZH-it rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte afro 4%, ndërsa për periudhën 2026-2027 parashikohet një ritëm i ngjashëm. Këto nuk janë thjeshtë shifra statistikore, janë indikatorë të një stabiliteti makro-ekonomik dhe të një besimi të ri të Shqipërisë tek vetja dhe të investitorëve tek Shqipëria. Rritja mbështetet kryesisht në sektorë, jo vetëm tradicional, pra në sektorin e pasurive të paluajtshme që mund ta quajmë tradicional, por edhe në shërbime të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, gjë që është një prurje e re në portofolin e ekonomisë tonë dhe që lidhet edhe me atë që thashë në pikën e mëparshme të këtyre shënimeve. Një tjetër element domethënës se niveli rekord i investimeve të huaja direkte në vitin 2025, të përqendruara edhe këto në pasuri të paluajtshme dhe shërbime financiare, një pikë që i përgjigjet asaj pyetjes së famshme dhe famëkeqe – “Kush i blen këto apartamente”, “kush i blen këto ndërtime” dhe ndërkohë që blerësit me nënshtetësi të huaj, jo vetëm shqiptarë, që kanë marrë një nënshtetësi të huaj, por flasim këtu për të huaj që kanë nënshtetësi të huaj dhe kombësi të huaj, vetëm rriten. Dhe e fundit, në Ballkanin Perëndimor, Berzh-i parashikon një përshpejtim të rritjes ekonomike, edhe në vitin 2026, edhe në vitin 2027, gjë që përbën patjetër një lajm shumë të mirë edhe për Shqipërinë, që pozicionohet me një ritëm konkurrues në këtë rajon”, tha Rama.











