Kalimi nga një normë mesatare të fertilitetit prej mbi pesë fëmijë për grua nën normën e zëvendësimit të popullsisë mori dy shekuj në Francë, por vetëm 34 vjet në Shqipëri, thotë Banka e Botërore në një studim të posaçëm për efektet që ka moshimi i popullsisë në zhvillimin ekonomik afatgjatë…
Në shumë vende, rënia e lindshmërisë ka qenë dramatike dhe e shpejtë. Kalimi nga një normë mesatare të fertilitetit prej mbi pesë fëmijë për grua nën normën e zëvendësimit të popullsisë mori dy shekuj në Francë, por vetëm 34 vjet në Shqipëri, thotë Banka e Botërore në një studim të posaçëm për efektet që ka moshimi i popullsisë në zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Norma totale e fertilitetit (TFR) ka rënë në shumë vende të rajonit, po ashtu edhe në Shqipëri, poshtë 2.1 fëmijë për grua, që është norma e zëvendësimit të nevojshme për të mbajtur popullatat në nivelet aktuale, pa marrë në konsideratë emigracionin. Shqipëria e pati këtë normë 1.5 fëmijë për grua në vitin 2016.
Ulja drastike e normës së lindjeve po “tremb” të gjithë parashikuesit.
Emigracioni luan rol të rëndësishëm në balancimin e moshës së plakjes, duke konsideruar që pjesa më e madhe e emigrantëve janë të rinj (mesatarisht). Por, kjo nuk ndodh me vendin tonë, ne nuk jemi vend “pritës” i emigrantëve, përkundrazi, popullsia jonë është reduktuar për shkak të këtij fenomeni.
Rritja e moshës së plakjes rrit shpenzimet për pensione dhe kujdes mjekësor. Sipas këtij raporti, shpenzimet e kujdesit shëndetësor kanë të ngjarë të rriten më shpejt me përmirësimin e teknologjisë mjekësore, që do të sjellë rritje kostosh.
Ndërsa koha dhe intensiteti i fertilitetit ndryshon, në shumë vende rënia ka qenë dramatike dhe ka ndodhur me shpejtësi. Për shembull, kalimi nga një normë mesatare të fertilitetit prej mbi pesë fëmijë për grua në poshtë normës së zëvendësimit të popullsisë mori dy shekuj në Francë, por vetëm 34 vjet në Shqipëri, cilëson Banka Botërore.
Norma mesatare e fertilitetit për grua në vendet e Azisë Qendrore ishte gjashtë fëmijë, në fillim të viteve 1960, por është më pak se tre fëmijë sot. Rënia nga viti 1990 ka qenë veçanërisht e mprehtë në vendet e Azisë Qendrore dhe Turqi, të cilat kishin normat më të larta të pjellorisë në fillim të viteve 1970. Normat e fertilitetit në Kaukaz-Armeni, Azerbajxhan dhe Gjeorgji – tani janë të gjithë nën nivelet e zëvendësimit.
Fertiliteti ka vazhduar të bjerë në mënyrë të konsiderueshme në Armeni, Taxhikistan, Turkmenistan edhe gjatë dekadës së kaluar; përmirësim ka ndodhur në Kazakistan dhe në Republikën e Kirgistanit dhe, në një masë më të vogël, në Federatën Ruse, Ukrainë dhe Uzbekistan. Në përgjithësi, megjithatë, vendet e Azisë Qendrore kanë ende norma relativisht të larta të pjellorisë që tejkalojnë normat e zëvendësimit të popullsisë.
Disa vende në Europën Qendrore, vendet e Lindjes dhe Rusia përjetuan një rritje të fertilitetit (a baby boom) pas Luftës së Dytë Botërore.
Një numër shtetesh nuk ka përjetuar një bum fëmijësh. Shtetet baltike kishin normat më të ulëta të pjellorisë në botë në vitet 1950 dhe 1960. Bumi i lindjeve në këto vende ka ndodhur në vitet 1970 dhe 1980.
Rënia e frikshme
Në vitin 1990, kur ekonomia shqiptare preku ekonominë e tregut pas 45 vitesh izolim, numri i lindjeve ishte mbi 82 mijë bebe në një vit. Por pas 25 vitesh me ngjarje eksodi masiv të shqiptarëve jashtë vendit, lindjet pësuan rënie drastike me 60% më 2015.
Duke parë trendin historik të lindjeve që nga vitet 1991 shihet një lidhje e qartë me emigracionin. Lindshmëria ra sistematikisht në vitet 1992, 1993 dhe 1994, e ndikuara nga vala e parë e emigracionit. Deri në vitin 1996, ishin larguar nga vendi mbi 600 mijë shqiptarë.
Viti i mbrapshtë 1997 shënoi eksodin e dytë më të madh të shqiptarëve, me mbi 100 mijë të larguar nga vendi në një vit. Hemorragjia do të vijonte edhe në vitet e mëvonshme, duke ndikuar negativisht te lindshmëria deri në vitet 2009. Më pas, thuajse për pesë vite rresht, pati stabilizim të emigracionit dhe gjithashtu lindjet ndaluan rënien dhe nisën të rriten deri në vitin 2015. Por fenomeni i lindshmërisë së ulët është rikthyer frikshëm në dy vitet e fundit, sidomos në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, duke shënuar rënie me 22%, në raport me 6-mujorin e parë 2015, më e larta në të gjitha vitet e tranzicionit. Edhe në raport me 6-mujorin e dytë 2016, rënia ka qenë me ritme katastrofike, prej 28.9%. Nëse vazhdohet me këto ritme rënie, shifrat do të rezultojnë katastrofike.
Që nga viti 1960, indeksi sintetik i fekondimit (numri i lindjeve për një grua) ka pësuar rënie të vazhdueshme. Ky indeks, në vitin 1960, ishte mjaft i lartë, më shumë se 5 fëmijë për një grua të grup-moshës riprodhuese, ndërkohë që në vitin 2014, ky indeks është ulur në 1.78 fëmijë për një grua dhe së fundmi është 1.6. Instituti i Statistikave referon se ky tregues është mjaft domethënës, pasi ka të bëjë me riprodhimin e popullsisë. Sipas Projeksioneve të Popullsisë, bazuar në Censusin e Popullsisë dhe Banesave të vitit 2011, indeksi i fekondimit do të vazhdojë të bjerë, gjë e cila tregon vazhdimin e procesit të plakjes së popullsisë. Mosha mesatare e popullsisë banuese është rritur nga 30,6 vjeç në 2001 në 36.6 vjeç në vitin 2015./Monitor/a.m.