Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka prezantuar sot Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave
Ai ka theksuar se se viti që lamë pas ka qenë një vit progresi për ekonominë dhe për sistemin financiar shqiptar. Sipas të dhënave të Instat-it: ekonomia shqiptare u rrit me 3.8% në terma vjetorë dhe krijoi rreth 79 mijë vende të reja pune në sektorin privat jobujqësor; norma e papunësisë dhe deficiti i llogarisë korrente u reduktuan; ndërsa, inflacioni erdhi në rritje.
Paralelisht me zhvillimet në sektorin real, normat e interesit në tregjet financiare mbetën të ulëta dhe treguesit e shëndetit të sistemit bankar erdhën në përmirësim. Në veçanti, raporti i kredive me probleme zbriti në 13.2% në fund të vitit, një reduktim ky prej rreth 5 pikësh përqindjeje krahasuar me një vit më parë. Të gjithë këta indikatorë tregojnë një përmirësim të pozicionit ciklik të vendit dhe ofrojnë sinjale inkurajuese për perspektivën e rritjes ekonomike në të ardhmen.
Sejko u ndal tek kursi i këmbimit. Forcimi i lekut gjatë dy viteve të fundit ka qenë në vëmendjen e Bankës së Shqipërisë, si pasojë e ndikimit të gjithanshëm që ka ky faktor mbi treguesit e përgjithshëm ekonomikë e financiarë, përfshi dhe inflacionin. Analizat tona tregojnë se tendenca mbiçmuese e kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e faktorëve fondamentalë, të tillë si ngushtimi i deficitit tregtar dhe i atij të llogarisë korrente, nivelet e larta të prurjeve valutore në formën e investimeve të huaja direkte, si dhe rritja e besimit ndaj monedhës kombëtare në tregun e brendshëm financiar.
Për sa kohë ky mbiçmim përfaqëson efektin e faktorëve të qëndrueshëm ekonomikë e financiarë, ai nuk sjell pasoja të dëmshme për ekonominë shqiptare. Megjithatë, efektet e tij shfaqen në formën e presioneve të reduktuara inflacioniste në tregun e brendshëm shqiptar. Forcimi i lekut vlerësohet të ketë reduktuar inflacionin e vitit 2017 me 0.2-0.3 pikë përqindje.
Banka e Shqipërisë dha kontributin e saj në përmirësimin e ambientit ekonomik e financiar. Ky kontribut u materializua nëpërmjet:
– zbatimit të një politike monetare stimuluese, e cila mbështeti rritjen e ekonomisë, të punësimit e pagave, dhe të inflacionit;
– mbikëqyrjes së kujdesshme dhe përqasjes proaktive të rregullimit bankar, duke ndihmuar përmirësimin e treguesve të aktivitetit të sektorit bankar;
– rritjes së sigurisë së sistemit bankar, nëpërmjet ngritjes së strukturave të specializuara për të administruar ndërhyrjet e ristrukturimet e nevojshme tek bankat me vështirësi paguese;
– nxitjes së zhvillimit e funksionimit eficient të sistemit të pagesave;
– nxitjes së edukimit financiar;
– forcimit të mëtejshëm të institucionit të bankës qendrore, nëpërmjet investimit të vazhdueshëm për rritjen e profesionalizmit, të pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës, si dhe nëpërmjet bashkëpunimit e shkëmbimit të informacioneve e opinioneve me partnerë të brendshëm e të jashtëm.
Aktiviteti ynë i vitit 2017 ka pasur si udhërrëfyes Strategjinë Afatmesme të Zhvillimit, për periudhën 2016-2018. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë zbatimit të rekomandimeve të lëna nga ky Komision në Rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2016”.
Në fillim, më lejoni të bëj një përmbledhje të aktiviteteve të Këshillit Mbikëqyrës, në ushtrimin e funksionit të tij si organi më i lartë vendimmarrës i Bankës së Shqipërisë.
Veprimtaria e Këshillit Mbikëqyrës dhe forcimi i qeverisjes së institucionit
Këshilli Mbikëqyrës ka ushtruar veprimtarinë e tij në përputhje me dispozitat e ligjit organik dhe me procedurat e parashikuara në rregulloren e brendshme për organizimin dhe funksionimin e tij.
Në ushtrim të detyrave të tij, gjatë vitit 2017, Këshilli Mbikëqyrës zhvilloi 15 mbledhje dhe mori 82 vendime. Gjithashtu, gjatë këtij viti, ai miratoi 29 rregullore dhe 1 udhëzim me zbatim të përgjithshëm.
Si organi më i lartë përgjegjës për Bankën e Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës ka pasur në vëmendje jo vetëm realizimin e objektivave ligjorë të Bankës, por edhe forcimin e qeverisjes institucionale të bankës, si një premisë kryesore për rritjen e besueshmërisë së saj. Gjatë vitit 2017 u përditësua Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, së bashku me buxhetin afatmesëm,.
Strategjia Afatmesme e Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë përcakton objektivat kryesorë për periudhën trevjeçare 2018-2020. Ajo përcakton prioritetet në funksionet kryesore të Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e shërbimeve mbështetëse. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë ka adoptuar modelin e një numri bankash të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, të cilat kanë një sistem të dyfishtë planifikimi strategjik: (i) një proces madhor planifikimi, një herë në 3-5 vjet; dhe (ii) një proces të përvitshëm përditësimi. Shtrirja e kohëzgjatjes së zbatimit siguron mbështetjen e duhur planifikuese për buxhetin orientues afatmesëm të Bankës së Shqipërisë për vitet 2019 dhe 2020. Për herë të parë këtë vit, shpenzimet kapitale dhe projektet e përfshira në buxhet u miratuan paraprakisht në Komitetin e Shpenzimeve Kapitale, një organ i krijuar si masë kontrolli mbi shpenzimet për investime të mëdha.
Me qëllim forcimin e procesit të auditimit të brendshëm, në vitin 2015 u krijua Komiteti i Auditit, i cili përbëhet nga tre anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Gjatë vitit 2017, ky Komitet ka ushtruar detyrat e tij në mbështetje të forcimit të linjave të kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm. Ai ka kryer takime të rregullta dhe pa praninë e administratorëve, me Inspektorin e Përgjithshëm. Realizimi i këtyre takimeve u ka mundësuar anëtarëve të Komitetit njohjen e sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe procedurat e administrimit të rreziqeve. Me propozim të Inspektorit të Përgjithshëm dhe pas konsultimit në Komitetin e Auditit, Këshilli miratoi për herë të parë nivelin e tolerancës ndaj rrezikut operacional në Bankën e Shqipërisë.
Aktiviteti i Këshillit Mbikëqyrës është pasqyruar me besnikëri në njoftimet tona periodike për shtyp.
Politika monetare e Bankës së Shqipërisë
Vendimmarrja e politikës monetare mbështetet në një kuadër të plotë, konsistent e transparent analizash dhe parashikimesh makroekonomike. Pas tyre qëndron gjithë gama e informacionit të disponuar në kohën e vendimmarrjes, si dhe ekspertiza e gjykimi i specialistëve të Bankës mbi trendet e zhvillimit ekonomik dhe mekanizmin e transmetimit të politikës monetare.
Arsyet e vendimmarrjes sonë për të ruajtur kursin stimulues të politikës monetare edhe gjatë vitit 2017, si dhe vlerësimin e efekteve të kësaj politike në ekonomi, do t’i diskutoj në vijim.
2.1 Zhvillimet ekonomike dhe politika monetare gjatë vitit 2017
Ekonomia shqiptare pati një ecuri pozitive gjatë vitit 2017. Vëllimi i aktivitetit ekonomik erdhi në rritje, kapacitetet e pashfrytëzuara në tregun e punës u reduktuan, ndërsa treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit shënuan përmirësim. Më lejoni të sjell disa shifra për ilustrim.
Sipas statistikave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.8% gjatë vitit 2017, duke regjistruar një dinamikë pozitive në krahasim me rritjet prej 2.2% dhe 3.4% të shënuara gjatë viteve 2015 e 2016. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik rezultoi me bazë të gjerë. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, ai u mbështet nga rritja e konsumit, e investimeve dhe e eksporteve. Nga ky zgjerim i kërkesës agregate përfituan kryesisht sektori i shërbimeve, ai i industrisë dhe ai i ndërtimit. Një zhvillim i spikatur për vitin 2017 ishte ecuria pozitive e sektorit të turizmit, i cili siguroi një impuls pozitiv në rritjen ekonomike. Së bashku me nivelet e larta të investimeve të huaja direkte, ai ndikoi gjithashtu në rritjen e të hyrave valutore në ekonominë shqiptare.
Punësimi u rrit me 3.3% gjatë vitit 2017, i ndikuar në masë të madhe nga rritja e punësimit në sektorin e shërbimeve. Paralelisht me rritjen e punësimit, shkalla e papunësisë u ul, nga 14.2% në fund të vitit 2016 në 13.4% në fund të vitit 2017.
Deficiti i llogarisë korrente zbriti në një mesatare prej 6.9% të PBB-së gjatë vitit 2017, nga niveli 7.6% i një viti më parë. Përmirësimi i tij reflektoi rritjen e aktivitetit turistik dhe të shërbimeve të tjera të biznesit.
Treguesit fiskalë shënuan konsolidim, duke u reflektuar në një nivel të ulët të deficitit buxhetor dhe ruajtjen e kontrollit mbi borxhin publik.
Në aspektin financiar, sistemi bankar i vendit ruajti tregues të mirë të likuiditetit, të përfitueshmërisë, dhe të kapitalizimit. Situata financiare e bizneseve ka ardhur në përmirësim, ashtu sikurse ilustrohet nga nivelet e larta të likuiditetit të tyre dhe rënia progresive e treguesit të kredive me probleme.
Së fundi, inflacioni erdhi në rritje, duke shënuar nivelin mesatar prej 2.0%, nga 1.3% një vit më parë. Kahu rritës i tij pasqyroi përmirësimin e aktivitetit ekonomik, por niveli i tij nën objektiv reflekton operimin e ekonomisë nën potencial, nivelin e ulët të inflacionit në vendet partnere, si dhe fortësinë e kursit të këmbimit.
Në kontekstin e shfrytëzimit ende jo të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe të presioneve të dobëta inflacioniste, Banka e Shqipërisë ruajti të pandryshuar kahun dhe intensitetin e stimulit monetar gjatë vitit 2017. Norma bazë e interesit ruajti nivelin e ulët historik prej 1.25%, duke krijuar premisa për uljen e kostove të financimit të sektorit real. Injektimi i likuiditetit në tregun ndërbankar u rrit në vëllim dhe në kohëzgjatje mesatare, duke mundësuar funksionimin normal të tregjeve financiare.
Politika monetare stimuluese ka rezultuar efektive në nxitjen e kërkesës së brendshme, e cila ka qenë dhe burimi kryesor i rritjes ekonomike. Efektet e politikës monetare janë të prekshme në disa drejtime:
Së pari, në uljen e kostove për financimin e konsumit dhe investimeve. Reduktimi kumulativ i normës bazë të interesit me 5.0 pikë përqindje nga fillimi i vitit 2009, është shoqëruar me rënien kumulative të normave të interesit të kredisë, të bonove 12-mujore të thesarit dhe të depozitave në lekë, përkatësisht me 6.9, 4.5 dhe 6.6 pikë përqindje.
Normat e ulëta të interesit kanë rritur kërkesën për kredi të reja dhe kanë ulur koston e shërbimit të kredive ekzistuese. Në përgjigje të tyre:
Vëllimi i kredisë në lekë për sektorin privat u rrit me 7.2% në vitin 2017, duke qenë kontribuuesi kryesor i rritjes së kredisë totale. Norma e rritjes së kësaj të fundit ishte vetëm 3.3%, në përgjigje të kërkesës ende të dobët për kredi dhe të politikave ende konservatore të bankave ndaj kredidhënies.
Kostoja e shërbimit të kredive ekzistuese është reduktuar. Ky kursim financiar krijon hapësira për rritjen e konsumit dhe të investimeve, nëpërmjet përdorimit të fondeve të veta.
Së dyti, në reduktimin e pasigurive të agjentëve ekonomikë. Komunikimi i kursit të ardhshëm të politikës monetare ka garantuar sektorin privat se stimuli monetar do të jetë i pranishëm edhe gjatë tremujorëve në vazhdim, duke nxitur orientimin e tyre drejt konsumit e investimit.
Së treti, në zbutjen e presioneve mbiçmuese të kursit të këmbimit, duke ndihmuar përmirësimin e bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe rritjen e mëtejshme të aktivitetit ekonomik.
Së katërti, në forcimin e stabilitetit financiar. Ambienti financiar me interesa të ulëta ka ndihmuar përmirësimin e bilanceve financiare të kredimarrësve, nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate, nëpërmjet lehtësimit të kostos së shërbimit të borxhit, si dhe nëpërmjet inkurajimit të ristrukturimit të bizneseve dhe kredive ekzistuese.
Vlerësimet tona për impaktin e politikës monetare tregojnë se kontributi i saj në rritjen ekonomike për vitet 2015, 2016 dhe 2017 është përkatësisht rreth 0.2, 0.4 dhe 0.7 pikë përqindjeje. Përtej ndikimit në normat e rritjes, kontributi pozitiv i politikës monetare ka ndikim kumulativ edhe në nivelin e aktivitetit ekonomik. Për vitin 2017, efekti i politikës monetare stimuluese në nivelin e aktivitetit ekonomik në vend vlerësohet rreth 1.3 pikë përqindjeje.
Rritja e kërkesës agregate ka sjellë rritjen e punësimit dhe përmirësimin e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve, duke nxitur forcimin e presioneve afatmesme inflacioniste. Megjithatë, inflacioni vijon të mbetet poshtë objektivit tonë. Persistenca e inflacionit të ulët ka qenë në fokus të analizave tona. Konsensusi i këtyre analizave është se politika monetare ka qenë dhe mbetet efektive për të stimuluar kërkesën agregate dhe për të garantuar stabilitetin e çmimeve në afatin e mesëm e të gjatë.
Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë mbetet e bindur se kthimi i ekonomisë në potencial dhe shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, do të shoqërohen me një rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Për rrjedhojë, inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv brenda vitit 2019.
Ky parashikim është i kushtëzuar nga ruajtja e kursit stimulues të politikës monetare për tremujorët në vijim, si dhe faktorizon vijimin e procesit të konsolidimit fiskal. Vazhdimi i konsolidimit fiskal ka mundësuar një përcjellje më të mirë të stimulit monetar në ekonomi, ka ndihmuar në reduktimin e dobësive fiskale dhe në rritjen e rezistencës së sektorit publik ndaj sfidave të së ardhmes.
Bashkërendimi i politikës monetare me atë fiskale është jetik për forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme. Ne vlerësojmë se miksi aktual i politikave makroekonomike është i përshtatshëm. Nga njëra anë, ai ruan një kah rezultant stimulues të politikave kryesore ekonomike dhe, nga ana tjetër, adreson dobësitë që vijnë nga niveli relativisht i lartë i borxhit publik./monitor/
a.ç