Pjesëmarrja e ekipit tonë kombëtar të futbollit në finalet e Evropianit Francë 2016, padyshim që është një nga arritjet më të mëdha në të gjithë historinë e sportit shqiptar, që nga krijimi i tyre dhe deri më sot. Por duhet thënë e pranuar, se edhe para viteve ‘90, mjaft ekipe klubesh, si Partizani, Vllaznia, 17 Nëntori, Dinamo e deri tek Flamurtari i Vlorës, (i cili kaloi disa ture në Kupat e Evropës), kanë bërë paraqitje dinjitoze në mjaft takime ndërkombëtare, duke arritur rezultate mjaft të kënaqshme për kohën dhe vendin tonë nga më të prapambeturit në kontinent. Dhe njëherazi duke ngritur lart edhe emrin e Shqipërisë e krenarinë tonë kombëtare.
Dhe jo vetëm futbolli, por edhe mjaft sportistë të tjerë si volejbollistët e Dinamos (meshkuj e femra), peshëngritës, atletë, qitës, etj., etj., morën medalje të arta dhe ngritën flamurin e Shqipërisë në mjaft stadiume të Evropës. Dhe të gjithë ata emra të mëdhenj të sportit, legjenda të tilla si: Boriçi, Halili, Pano, Zhega, Bizi, Rragami, Hafizi, Bajaziti, Çeço, Ballgjini, Përnaska, Zëri, në futboll; Fagu, Papavangjeli, Shaka, Radoja e Çaçi në basketboll; Rusi, Uka, Doçi, Tase, në volejboll; (meshkuj) Tase, Ibrahimi, Duni, (femra), Mihali e Toska, në atletikë, Karabolli e Mata në qitje, Gërnjoti e Janku në boks, Pampuri dhe Kondo në peshëngritje, Guri e Fishta në mundje, Muço e Dervishi në shah, Krifsa e Kërçiku në pinpong, e plot e plot të tjerë, që bënë epokë në periudha të ndryshme të karrierës së tyre, e që duhen faqe të tëra gazete për t’i përmendur të gjithë.
Por, gjithashtu duhet thënë se ata sportistë i dhanë shumë sportit shqiptar, emrit të atdheut dhe morën pak prej tij, apo më saktë prej regjimit në fuqi të paraviteve ‘90. Por, kjo ishte e keqja më e vogël, pasi shumë sportistë, me dhjetëra, emra të mëdhenj të sportit shqiptar, nga ata që përmendëm pak më lart e plot të tjerë u bënë objekt demaskimi, u përjashtuan nga sportet, u internuan, u futën deri edhe nëpër burgjet e atij regjimi Dhe kjo jo vetëm për shkak të biografisë së tyre familjare, por edhe për shkaqe sa banale për atë kohë, aq edhe qesharake për brezin e të rinjve të sotëm, që nuk mund ta imagjinojnë dot sesi emrat të mëdhenj të futbollit shqiptar, si djemtë e “Flamurtarit” të Vlorës në gjysmën e viteve ‘80-të, që bënë të dridhen gjigandët e “Barcelonës”, u ndaluan në pikat tona doganore për një çakmak, orë dore, paketë cigare, shall grash, radiomagnetofon apo rrallë dhe një aparat televizori. Dhe për këtë fakt, shumë prej tyre përjashtuan nga sporti përgjithmonë, apo u dërguan në shatrat më të thellë të vendit, si disa prej futbollistëve të “Vllaznisë”.
Madje, nisur nga ajo që i priste këtë në Shqipëri, disa nuk u kthyen më fare dhe kërkuan azil politik, si disa futbollistë të “Vllaznisë” së Shkodrës në vitin 1977. Kjo gjë dëshmohet më së miri, edhe prej këtyre dokumenteve arkivore që po i botojmë të gjitha të plota në një cikël shkrimesh, duke filluar nga numri i sotëm.
PARTIA E PUNES SHQIPERISE Shkodër, më 17.12. 1987 KOMITETI I PARTISE RRETHIT Sekret NR. 155 / 1 PROT. Lënda: Mbi kalimin e ekipit të futbollit Flamurtari në pikën kufitare Hani i Hotit Komitetit Qendror të PPSH (Sektorit të Edukimit) Më datën 26.11.1987 në orën 22.00 mbërriti në pikën kufitare Hani i Hotit, ekipi i futbollit Flamurtari, pasi kishte qëndruar jashtë shtetit nga data 15- 26.12.1987. Gjatë kryerjes së veprimeve doganore, anëtarët e këtij ekipi u sollën me korrektësi, duke mos sjellë asnjë shqetësim. Me ndonjë përjashtim të rrallë përgjithësisht, kishin sjellë me vete edhe nga një radio-magnetofon, të cilët iu mbajtën nga dogana për kontroll dhe verifikim çmimi. Por, gjatë kontrollit të autobusit u gjetën të fshehura në vende shumë të maskuara një revistë tipike pornografike me fotografi të shëmtuara të këtij lloji, 2 byzylykë dore dhe një shall grash.
Nga ana e doganës këto u mbajtën si mall i padeklaruar, pasi me gjithë konsultimet me shoqëruesit e ekipit, nuk u identifikuan se kush i kishte sjellë. Kemi mendimin se ky veprim duhet bërë objekt diskutimi në Klubin Flamurtari, pasi veçanërisht tentativa për të sjellë revista pornografike është bërë me qëllime të caktuara dhe nuk përputhem me ligjshmërinë e moralit tonë komunist. Sekretari i KP të Rrethit (Gjorgj Grabova) …………………….
Mbledhja në Komitetin Qendror me drejtuesit e rretheve dhe Ministrinë e Brendshme dhe të Mbrojtjes
Shënim: Ky material u punua në një takim që bëmë në Aparat me shokët sekretarë të propagandës të Komiteteve të Partisë së rretheve: Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë, Durrës, Fier, Berat, Elbasan, etj. dhe sekretarët e komiteteve të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme, si dhe shokët drejtues të Komitetit të Fizkulturës, Mehdi Bushati e Hazis Tahiri, më datën 18 nëntor 1987. 19 nëntor 1987 Anastas Kondo (firma) …………………………
MBI THELLIMIN E METEJESHEM TE LUFTES KUNDER SHFAQJEVE TE HUAJA NE SPORT
Kohët e fundit në fushën e sportit dhe konkretisht ne disa klube sportive po ndeshemi me shfaqje shumë të shëmtuara, madje dhe antikombëtare. Partia dhe opinioni i shëndoshë shoqëror janë të shqetësuar për këto shfaqje që vijnë si presion direkt i botës borgjezo-revizioniste. Ndaj, parandalimi dhe luftimi i tyre merr rëndësi të dorës së parë, para së gjithash nga komitetet e partisë të rretheve e dikastereve, ku ndodhen këto klube dhe skuadra sportive. Është me rëndësi shumë të madhe që problemet e luftës kundër shfaqjeve të huaja të jenë në qendër të vëmendjes sonë, mbasi këto kanë të bëjnë me edukimin e rinisë sonë dhe zhvillimin e shëndetshëm të sporteve tona, me prezantimin e tyre me dinjitet në veprimtaritë e kombëtare dhe ndërkombëtare. Siç dihet, vitet e fundit është rritur në sasi dhe cilësi, pjesëmarrja e ekipeve tona, të klubeve e kombëtares, në veprimtaritë sportive ndërkombëtare. Por, është fakt se në kuadrin e këtyre përfaqësimeve, kanë lindur dhe janë manifestuar edhe disa ngjarje të papëlqyera si vjedhje, qëndrime e veprime të padenja antisportive, deri në arratisje.
“Të rinjtë e kombëtares së futbollit dhe vajzat e volejbollit vodhën në Bullgari”
Vitin e kaluar në Bullgari, disa lojtarë të ekipit kombëtar të futbollit të të rinjve u kapën duke vjedhur. Në shtator të këtij viti po në këtë shtet, u kapën duke vjedhur dy vajza të ekipit kombëtar të volejbollit dhe së fundi në Finlandë, 4 lojtarë të ekipit Vllaznia u kapën me vjedhje nga policia finlandeze. Pra, ky akt i shëmtuar, i dënueshëm me ligj, përsëritet disa herë. Dhe këto ndodhin me ekipet sportive Dinamo, Partizani dhe Vllaznia. A punohet në këtë drejtim dhe a merren masa deri në përjashtimin nga sporti për ata individë që kryejnë akte të tilla të shëmtuara, apo pritet që masat t’i marrë qeveria dhe federatat sportive?! Vërejmë që masat që janë dhënë në këto raste nga klubet sportive kanë qenë të buta. Ndërkohë, edhe organet sportive këtu në qendër janë thyer para presioneve dhe ndërhyrjeve të ndryshme dhe në disa raste, sportistët që kanë kryer krimin e vjedhjes dhe kanë njollosur figurën e tyre morale janë falur.
“Dy peshëngritës u arratisën në Jugosllavi dhe përkthyesi e dy futbollistë në Greqi”
Para dy vjetësh u arratisën dy peshëngritës në Jugosllavi. Në muajin shtator të këtij viti, në Greqi u arratis përkthyesi i ekipit Vllaznia dhe pas një muaji, në tetor, arratisen po në Greqi dy futbollistë të ekipit të futbollit Vllaznia. Të mendosh se këto ndodhën spontanisht, si papritur, do të ishte sa naivitet, aq dhe gabim i rëndë. Ato ndodhin sepse në disa klube e skuadra puna edukative është e cekët, formale dhe pa forcën e duhur argumentuese. Rezulton se në këtë aspekt kaq të rëndësishëm e përcaktues në veprimtarinë e klubeve sportive nuk merren sa duhet, ose më mirë të themi, merren shumë dobët klubet, drejtuesit e tyre dhe vetë organizatat bazë të partisë në to. Mund të themi se në këtë drejtim, dobët punojnë edhe komitetet e partisë të rretheve.
“Futbollistët e Partizanit, veprime të padenja në Portugali”
Disa lojtarë të skuadrës së futbollit Partizani bënë veprime të padenja dhe krijuan skandale gjatë zhvillimit të ndeshjes me ekipin “Benfika” të Lisbonës në Portugali. Për herë të parë në historinë e UEFA-s, por edhe në atë të ballafaqimeve tona në veprimtaritë sportive ndërkombëtare, u morën masa tepër të rënda, jashtë natyrës dhe karakterit tonë sportiv e k o m b ë t a r . Lidhur me këtë, emrat e futbollistëve të “Partizanit”, që manifestuan qëndrime krejtësisht të pahijshme në këtë ndeshje, u komentuan dhe u lakuan jo vetëm në buletinet e UEFA-s, por edhe në shtypin sportive evropian. Siç pritet zakonisht, shtypi jugosllav spekuloi me këtë ndodhi dhe bëri interpretime të poshtra.
“Ramadani goditi futbollistin rumun, peshëngritësi Hakani, në Francë me doping”
Pas veprimit të padenjë të futbollistit Ramadani në Rumani, i cili u nxor nga fusha e lojës me karton të kuq për goditje të rëndë në kokë të futbollistit rumun, UEFA e dënon këtë lojtar me masën e rendë, duke e përjashtuar për 11 vjet nga veprimtaritë e saj. Lidhur me këtë rast, shtypi i huaj ndër të tjera shkroi për “Një rrahje masive të futbollistëve shqiptarë në Rumani”. Një tjetër rast i shëmtuar dhe i paprecedent për natyrën e sportistit dhe sportit tonë ndodhi me peshëngritësin M.Hakani të klubit sportive “17 Nëntori”, gjatë zhvillimit të Kampionatit Evropian të peshëngritjes vitin e kaluar në Francë. Ky sportist u ndëshkua nga Federata Evropiane e Peshëngritjes për përdorim dumping (droge).
Të gjitha këto ngjarje të rënda e të shëmtuara kanë rënduar jo vetëm mbi figurën morale dhe emrin e klubeve sportive, por edhe të sportit tonë në ballafaqimet e përfaqësimet në veprimtaritë ndërkombëtare. Këto ngjarje nuk erdhën papritmas. Ato nuk ndodhën spontanisht e rastësisht. Përkundrazi, ato janë akumuluar në klube të ndryshme sportive, akumulim që shpjegohet dhe argumentohet me punën shumë të dobët edukative dhe liberalizuese që zhvillohet konkretisht në këto klube dhe në federatat sportive. Për rrjedhim, mund t’ju themi se puna ideopolitike në sektorin e sportit përgjithësisht, dhe në disa disiplina veçanërisht, sidomos në futboll, është me mjaft defekte dhe mungesa, ajo vuan nga formalizmi e globalizmi, nga cektësia dhe spontaniteti e liberalizmi flagrant.
“Punonjësit e partisë, tifozë që ndërhyjnë në formacionin e skuadrës”
Komitetet e partisë në rrethe, shokët që punojnë aty me sektorin e sportit, kanë rënë në pozitat e teknokratit e të tifozit të sëmurë, të gjithë shqetësimin e kanë te humbja apo fitorja e një ndeshje. Këta shokë nga punonjës partie, janë kthyer si padashur në tifozë, bile ndonjëri ka arritur të ndërhyjë edhe në formacionin e skuadrës, duke u pushtuar verbërisht nga ankthi i fitores dhe i dy pikëve të klasifikimit. Këta lloj punonjësish të aparateve të partisë, jo rrallë kanë arritur deri aty sa të kërkojnë me pasion deri lart, që ky apo ai lojtar i dënuar nga organet e BFSSH-së të falet ose t’i ulet dënimi. Dhe është shumë keq kur ai që e kërkon një gjë të tillë, vishet me pushtetin e punonjësit të partisë, në rreth apo të funksionarit në dikasterin që mund t’i mbulojë ato skuadra.
Dashnor Kaloçi/BW/d.i.