Sugjerimi periferik nga ndërkombëtarët që tashmë është kthyer në një këshillë qendrore për institucionet e Kosovës për shtyrje të afatit të zëvendësimit të targave nga ato serbe në RKS, nuk ka ardhur pa arsye.
Albanian Post nga burime diplomatike ka mësuar se prapa kërkesës së koordinuar ndërkombëtare qëndron edhe një raport shqetësues i inteligjencës së EULEX-it, mbi paraqitjen e një force paramilitare serbe në veri të Kosovës.
Sipas burimeve të AP-së, këto gjetje janë mbështetur edhe nga inteligjenca e KFOR-it dhe janë prezantuar para autoriteteve më të larta diplomatike.
Raporti thotë se kjo forcë paramilitare, që në disa vende figuron nën emërtimin “Brigada e Veriut”, ka rreth 300 anëtarë të armatosur mirë.
Mosha mesatare e tyre është rreth të 30-tave, dhe tashmë kanë nisur patrullimet në zona të caktuara.
Patrullimi, siç mëson AP, bëhet kryesisht natën.
Raporti i inteligjencës i cilëson ata si kërcënim akut për sigurinë dhe rendin në Kosovë.
Një pjesë e tyre konsiderohen që nuk janë me origjinë nga Kosova, por janë të ardhur nga Serbia, mbase edhe nga Republika Serbe e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Pavarësisht që një pjesë e tyre lënë përshtypjen se mund të jenë nën ndikimin e alkoolit dhe substancave tjera, nga ana taktike konsiderohen që zotërojnë përgatitje të theksuar ushtarake.
Të gjitha indikacionet çojnë drejt Bossit të grupit me inicialet M.R., që drejton nga ski-rezortet në Kollashin.
Megjithatë, sipas burimeve diplomatike, që për Albanian Post kanë komentuar raportin e EULEX-it, organizime dhe lëvizje të tilla të formacioneve të armatosura, nuk mund të ndodhin pa një aprovim të heshtur nga autoritetet e Serbisë.
Burimet diplomatike të AP shprehin shqetësimin që elementë pro-rus, brenda strukturave shtetërore të Serbisë dhe jo vetëm, janë duke u angazhuar në funksion të përshkallëzimit, me synim final një konfrontim të armatosur.
Në rast të kësaj të fundit, ky zhvillim doemos që do të përfshinte edhe trupat e NATO-së në Kosovë.
Saga e targave, tash e një vit
Ishin orët e para të mëngjesit së 20 shtatorit kur një kolonë autoblindash e njësiteve speciale të Kosovës u nis për në pikat kufitare në Veri – Jarinje dhe Bërnjak.
Detyra ishte që të asistohet Policia Kufitare e Kosovës, meqë kishin marrë një urdhër të ri nga Qeveria për të filluar zbatimin e masave të reciprocitetit në lidhje me tabelat e automjeteve të cilat hynë nga Serbia në Kosovë.
Kështu bënte Serbia prej kohësh dhe të njëjtën kishte vendosur ta bëjë edhe Kosova.
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, qytetarë serbë të revoltuar nga këto masa, bllokuan të gjitha rrugët të cilat çojnë në këto dy pika kufitare.
Përveç prezencës së tyre fizike, rrugët u bllokuan edhe me kamionë.
Kur u pa se vendimi i qeverisë nuk po kthehej prapa, u rrit edhe intensiteti i protestës.
Pas 24 orëve të para të aksionit, protestuesit ngritën edhe tenda për të kaluar natën afër pikave kufitare që i kishin bllokuar.
Situata vazhdoi kështu për 10 ditë, derisa ndërkombëtarët ftuan të dy palët në bisedime në Bruksel, për t’i dhënë një zgjidhje problemit përmes dialogut.
Policia e Kosovës bashkë me njësitë speciale kontrollonin pikat kufitare të cilat kishin mbetur si ishuj, rrethuar me protestues serbë e rrugë të bllokuar me kamionë.
Derisa ndërronin turnet, policët ballafaqoheshin me ofendime e sharje nga protestuesit që ishin akomoduar nëpër tenda. Policia s’kishte të drejtë të reagonte dhe aq më pak të arrestonte dikë nga protestuesit.
Me 30 shtator, në orën 12:25 minuta, ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, doli me një njoftim në Twitter se “kemi marrëveshje”.
Besnik Bislimi, shef i grupit negociator për Kosovën në Bruksel dhe homologu i tij serb, Petar Petkoviç, kishin arritur pajtim në tri pika.
Pika e parë thoshte se me 2 tetor barrikadat do të hiqen, derisa Policia e Kosovës do të zëvendësohet me forcat e KFOR-it. E dyta saktësonte se me 4 tetor do të fillojë regjimi i ngjitësve të bardhë që do të mbulonte simbolet e dy shteteve në targa dhe pika e tretë pohonte se brenda gjashtë muajve, në bisedime në Bruksel, do të gjendet një marrëveshje e përhershme për këtë problem.
Marrëveshja e arritur kishte lënë një zbrazëtirë.
Çfarë do të ndodhte me targat KM? Targa që në Kosovë janë ilegale, sepse prodhohen në Serbi me iniciale të qyteteve të Kosovës, nën qëndrimin e shtetit serb se “Kosova është pjesë e Serbisë”.
Meqë në Bruksel nuk u arrit asnjë marrëveshje më për të zgjdhur çështjen përhershëm, Qeveria e Kosovës njoftoi se do të fillojë procesi i kalimit të targave nga KM në RKS dhe kjo do të bëhej brenda një afati.
Serbët që do t’i ndryshonin targat do të kishin disa lehtësira për regjistrimin e veturave të tyre dhe nuk do të paguanin për procedurën.
Vendimi i marrë nga Qeveria në mbledhjen e 85-të të saj, me 29 qershor 2022, jepte një muaj afat për procesin e zëvendësimit.
Vendimin qeveria e kishte marrë bazuar në parimin e reciprocitetit, prandaj përveç targave, do fillonte të aplikonte edhe lëshimin e një flete të bardhë për shtetasit serbë që futen në Kosovë, njëjtë siç kosovarët i pajisë Serbia kur futen në territorin serb.
Më 31 korrik në ditën kur filloi implementimi i këtyre dy vendimeve ngjau ajo që paralajmërohej prej kohësh, serbët e Kosovës bllokuan rrugët që të shpien drejtë dy pikë-kalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Qarkullimi sërish u bllokua dhe sërish u desh të kërkohet një zgjidhje në Bruksel.
U angazhua shumë edhe ambasada amerikane në Kosovë dhe në një konferencë të vonë për shtyp, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, tha se po kërkojnë nga Kosova edhe një muaj shtesë të afatit, pasi serbët në veri nuk ishin njoftuar si duhet për procesin e zëvendësimit të targave dhe kishte shumë dezinformata për këtë çështje.
Kosova pranoi. Me 30 shtator do fillonte implementimi. Por, kur u afrua kjo datë, ndërkombëtarët prapë kërkuan shtyrje.
Përsëri bisedime të gjata dhe përpjekje diplomatike dhe Kosova u bind ta shtyjë afatin për zëvendësimin e targave dhe mos-lëshimin e fletës së bardhë për shtetasit serbë, vetëm pasi Serbia u zotua se më nuk do të lëshojë të njëjtën as për qytetarët e Kosovës.
Aktualisht, ky dokument nuk lëshohet nga asnjëra palë, derisa targat KM vazhdojnë të qarkullojnë nëpër Kosovë, por me ngjitës.
Me 1 nëntor skadon afati dy mujor. Kosova, sipas zotimit të saj, dhe vendimit në mbledhjen e qeverisë, duhet të fillojë konfiskimin e veturave me targa KM.
Për të evituar këtë kokëçarje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar edhe 10 muaj afat, nën shpresën se deri atëherë, do të ketë një marrëveshje jo vetëm për targat, por për një shumë më të madhe – një që parasheh zgjidhjen finale të problemit mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, kryeministri i Kosovës, në deklarimin e tij të fundit, pohoi se “shtyrja tashmë ka ndodhur”, duke nënkuptuar se s’do të ketë një tjetër.
“Jam në kontakt me policinë dhe KFOR-in”, tha Kurti, duke shtuar se “dëshirojmë t’i befasojmë kriminelët, jo aleatët”./m.j