Raporti më i ri gjithëpërfshirës i OKB-së thekson se të paktën 18,800 civilë janë vrarë në Irak që nga viti 2014, ndërsa ISIS tani mban rreth 3,500 njerëz në skllavëri. Grupi xhihadistë ISIS po mban më shumë se 3.500 persona si skllevër në territoret e tyre në Irak, sipas OKB-së, dhe vazhdon të kryejë abuzime në shkallë të gjerë ndaj civilëve, vepra që cilësohen si krime të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocid i mundshëm. Nga fillimi i vitit 2014, thuhet në raportin më të ri, të paktën 18,800 civilë janë vrarë në Irak dhe më shumë se 3.2 milionë njerëz janë zhvendosur. Sipas Misionit të Asistencës së OKB-së në vend, ata që janë duke u mbajtur si skllavë nga ISIS-i janë kryesisht “gra dhe fëmijë dhe vijnë kryesisht nga komuniteti yazidi”, ndonëse gjithashtu përfshihet edhe një numër i vogël nga pakicat e tjera etnike dhe fetare, referohet në një shkrim të “The Indipendent”.
Dëshmitë e detajuara të ekzekutimeve nga të shtënat me armë zjarri, prerjet e kokës, djegiet për së gjalli, përshkruhen në raportin e OKB-së, ku në veçanti theksohet se shkalla e “dhunës gjithëpërfshirëse dhe sistematike” e kryer nga ISIS-i nga maji deri në tetor 2015, është tepërt “tronditëse”.
Raporti është një hulumtim i detajuar për dhunën e kryer nga të gjitha palët në Irak, dhe përfshin vetëm incidentet që OKB-ja ka verifikuar “duke përdorur burime të pavarura dhe të besueshme”. Aktivitetet e grupit në Siri, ku ka më pak qasje për vëzhguesit e OKB-së dhe ku ISIS-i kontrollon ngastra të mëdha të tokës, nuk janë përfshirë në këtë raport, transmeton “Zëri” Raporti më i ri i OKB-së paraqet potencialisht majën e ajsbergut për viktimat civile në konfliktin e gjatë dhe të përgjakshëm të Irakut.
Skllavërimi i popullit Yazidi është ndër krimet e dokumentuara më të rënda të ISIS-it. OKB-ja thekson se përderisa besohet se rreth 3,500 pjesëtarë të pakicave etnike dhe fetare janë duke u mbajtur si skllav në veri të Irakut, raportet individuale të abuzimeve kanë pësuar rënie gjatë vitit 2015. Kjo për faktin se “është e mundshme që shumica e anëtarëve të këtyre komuniteteve të vendosura në zonat e kontrollit nga ISIS-i tashmë janë vrarë, rrëmbyer ose kanë ikur”, thuhet në raport.
OKB-ja thekson se ishte në gjendje për të verifikuar raportet se më 21 qershor të vitit të kaluar, nga 800 deri në 900 fëmijë u grumbulluan në Mosul dhe u rrëmbyen për trajnim ushtarak. Raporti më tej shkruan se ata të cilët nuk pranuan urdhrat nga ISIS-i u rrahën, u torturuan apo u përdhunuan.
Në gusht të vitit të kaluar, sipas OKB-së: 18 fëmijë ushtarë u vranë nga ISIS-i për shkak se ikën nga vija e frontit në provincën Anbar dhe u kthyen në shtëpitë e tyre në Mosul. Në një incident tjetër, ushtarët fëmijë u detyruan për të ekzekutuar 15 luftëtarë të ISIS-it, të cilët kishin dezertuar nga luftimet apo kishin humbur betejat.
Në një deklaratë, shefi për të drejtat e njeriut pranë OKB-së, Zeid Rad el-Hussein, tha: “Edhe shifrat e publikuara rrëqethëse të viktimave nuk reflektojnë saktësisht vuajtjet e tmerrshme që po përjetojnë civilët në Irak”. “Shifrat përfshijnë ata që u vranë apo u gjymtuan nga dhuna e hapur, por shumë të tjerë kanë vdekur nga mungesa e qasjes në ushqimin bazë, ujë apo kujdes mjekësor”. Ai shtoi se raporti nxjerr në pah “tmerrin” nga i cili refugjatët irakianë janë përpjekur për të shpëtuar kur ikën në Evropë dhe rajone të tjera.
Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së në Irak, Jan Kubis, tha se “fatkeqësia e quajtur ISIS po vazhdon të vrasë, gjymtojë dhe të zhvendosë mijëra civilë irakianë, duke iu shkaktuar vuajtje të paimagjinueshme”. Ai u bëri thirrje “të gjitha palëve në konflikt për të siguruar mbrojtjen e civilëve nga efektet e dhunës”.