Italia është në kërkim të një emri të njohur për stolin pas shkarkimit të Gian Piero Venturës i cili nuk arriti ta kualifikonte dot përfaqësuesen e kaltër në Botërorin, Rusi 2018.
Reputacioni i Italisë pas eliminimit nga Suedia në “play-off” ka rënë aq poshtë saqë asnjë trajner me emër të madh nuk dëshiron të ulet në stolin e kombëtares, 4 herë kampione bote, transmeton Supersport.
I fundit që ka refuzuar stolin e Italisë është Claudio Ranieri trajneri që bëri mrekullinë duke shpallur Leicester City, kampione të Anglisë dhe që aktualisht është në drejtimin e skuadrës franceze të Nantes.
I pyetur nga gazetarët për një kalim të mundshëm në Coverciano për të marrë drejtimin e Italisë, Rainieri deklaroi,“mendoj se do të marrin një tjetër trajner. Unë ndihem mirë këtu dhe mendoj vetëm për eksperiencën te Nantes”. (b.an)