Kryeministri Edi Rama ka komentuar në studion e “Tonight” në Ora News rreth diskutimeve që ka pasur në Gjermani për çështjen Tahiri.
Ai ka sqaruar lidhur me pyetjen që në Gjermani i kanë bërë deputetët lidhur me këtë çështje.
“Më pyetën në atë që dihet, që lidhen me interpretimin e bërë nga Komisioni i Mandateve, e para, e dyta janë disa njerëz në atë grup parlamentar që janë nën presionin e dizinformimit të vazhdueshëm që bëhet në Tiranë”, deklaroi Rama.
Sa i takon çështjes së negociatave ai deklaroi se asnjë vend nuk ka thënë “JO”.
” Ne nuk kemi asnjë vend që ka thënë jo. Por, ne dimë që ka vende ku ka një debat dhe debati është i lidhur me balanca të brendshme. Për shembull në Gjermani edhe për faktin ku procedura kalon nga Parlamenti, pra qeveria duhet të marrë votën e Parlamentit. Edhe në Francë ka një lloj tensioni të brendshëm që lidhet me fuqizimin e forcave antiveropiane dhe me presionin që ushtrojnë në lidhje me zgjerimin”, tha Rama.
Intervista:
Tare: A do të hapen negociatat dhe nga se varen?
Rama: Këtë dua të di edhe unë sepse ne i kryem me sukses detyrat e shtëpisë për këtë fazë, e cila nuk është fundi i procesit të anëtarësimit dhe tani topi është në fushën e politikës pas janë vendet anëtare që duhet të mbështesin rekomandimin që objektivisht nuk do të ketë problem. Në vendet anëtare ka dinamika të brendshme dhe sigurisht edhe një frymë dhe jo në vendet e parëndësishme e cila nuk është fryma e përpara disa viteve në lidhje me zgjerimin dhe vendimmarrjes i duhet të haset edhe me rezistenca të brendshme që nuk janë të papërfillshme.
Tare: Qeveria ka diçka në dorë me këtë vendimmarrje politike?
Rama: Natyrisht, ne do të trokasim në çdo derë ku është e nevojshme të hymë në çdo derë për të këmbëngulur për meritën që kemi marrë rekomandimin si dhe për të këmbyer opinione mbi shqetësimet e tyre. Ka një moment spekulimi, pasi këtu nuk bëhet fjalë që Shqipëria kërkon të anëtarësohet sot. Mendoj se është një spekulim që vjen si rezultat i raporteve me opinionin publik ku forca antievripiane e paraqesin këtë proces a thua se këtu bëhet fjalë që nesër vendet e Ballkanit apo Shqipëria do të ulen në tryezën e familjes evropiane. Në qershor duam të çelen negociatat.
Tare: Ju e keni marrë mbështetjen për hapjen e negociatave, por ka një por për vazhdimin e reformave.
Rama: Nuk ka asnjë por. Vazhdimi i reformave është domosdoshmëri. Ato lidhen me një proces ku reformat nuk do të ndalen por do të thellohet dhe hapja e negociatave është një fazë shumë herë më e rëndë për sa i përket detyrave dhe vështirësive se sa faza e përgatitjes për çeljen e tyre.
Tare: Keni një listë që kanë rezerva dhe që kanë thënë jo?
Rama: Ne nuk kemi asnjë vend që ka thënë jo. Por, ne dimë që ka vende ku ka një debat dhe debati është i lidhur me balanca të brendshme. Për shembull në Gjermani edhe për faktin ku procedura kalon nga Parlamenti, pra qeveria duhet të marrë votën e Parlamentit. Edhe në Francë ka një lloj tensioni të brendshëm që lidhet me fuqizimin e forcave antiveropiane dhe me presionin që ushtrojnë në lidhje me zgjerimin. Ka edhe procese të afërta zgjedhore që ndikojnë tek politikanët.
Tare: Keni planifikuar një vizitë në Francë?
Rama: Ne jemi në punë përditë. Nuk është vetëm çështje takimesh, është edhe çështje komunikimesh. Është çështje kontaktesh, edhe çështje telefonatash.
Tare: Keni pasur telefonatë me Presidentin Macron?
Rama: Me presidentin Macron jo, por kemi pasur kontakte me Pallatin Elize, edhe me eksponentë të lartë të qeverisë franceze.
Tare: Keni besim se mund ta zgjidhni votën pro të Francës?
Rama: Kam besim që ne do t’i hapin negociatat. Do të jetë deri në fund një përpjekje jo e lehtë. Ne kemi në dorë një dëftesë shumë të fortë. Rekomandimi është shumë i qartë dhe lë pak hapësirë për interpretime të ndryshme. Flasim për këtë fazë, dhe nuk flasim për një fazë që ka shteruar të gjitha alternativat. Procesi i negociatave është shumë i rëndë. Është një proces me lupë me çdo detaj.
Tare: Holanda është një nga vendet që ka probleme. Keni pasur një debate me Rute që takimit të Kransmontanës?
Rama: Kemi marrëdhënie miqësore.
Tare: Me debat?
Rama: Shumë miqësore. Thelbi i debatit ishte ky; këtu nuk flasim për procesin e anëtarësimit. Nëse flasim për probleme, patjetër që Shqipëria ka probleme pasi mos t’i kishim këto probleme, Shqipëria do të ishte vend anëtar.
Tare: Çfarë rezervash ka Holanda?
Rama: Nuk preferoj të bëj komente sepse ato merren dhe shtrembërohen. Në të gjitha vendet anëtare çka thuhet lidhur me ne në këtë fazë është thjesht një lloj alibie që lidhet me dinamikat e tyre të brendshme politike.
Tare: Në deklaratën me kancelaren Merkel, foli për kushte dhe parakushte…
Rama: Kancelarja e sqaroi edhe vet. Parakushtet janë prioritetet dhe faza e zbatimit të tyre.
Tare: Thjesht ka përdorur një fjalë të ndryshme për prioritetet?
Rama: Po! Patjetër. Ka folur për parakushte që do të thotë përpara se të fillojnë negociatat ka disa parakushte.
Çështje “Tahiri”, Rama: Disa deputetë gjermanë të dezinformuar nga Tirana
Tare: Pranuat se ju kanë pyetur për çështjen Tahiri. A mund ta dimë se çfarë ju pyetën?
Rama: Më pyetën atë që dihet që lidhet me interpretimin e bërë nga komisioni i mandateve sepse ata kanë një sistem tjetër. E dyta janë disa njerëz në atë grup parlamentar që janë fatkeqësisht nën presionin e dezinformimit të vazhdueshëm që bëhet nga Tirana dhe edhe kohë për t’u marrë me detaje me Shqipërinë nuk kanë. Unë kam sqaruar atë që është edhe publikisht sqaruar.
Tare: A pat një kërkesë shtesë?
Rama: Komisioni ka bërë vetëm pyetje dhe jo kërkesa dhe unë u jam përgjigjur pyetjeve.
Tare: Ka një deputet gjerman që thotë se hapja e negociatave është e parakohshme. Mendoni se mund të ndikojë?
Rama: Nuk është sekret që zotëria ka një mendim të konsoliduar kundër qeverisë tonë. Kemi pasur një debat në Tiranë dhe i kemi opinionet shumë të largëta. Kur flet, dëgjoj në gjermanisht Partinë Demokratike të Shqipërisë. Është pozicion legjitim i tij. Është një nga 600 e kusur deputetë të Bundestagut. Edhe sajesat e Partisë Demokratike merren të mirëqena prej tij.
Tare: Si shkoi takimi me të?
Rama: Nuk kisha takim.
Tare: Drejton komisionin.
Rama: Ishte korrekt dhe në fund të seancës më kërkoi ndjesë se nuk mund të më shoqëronte sepse kishte një takim me ministrin e Brendshëm. Unë e kam vlerësuar faktin që kur bëhej fjalë për të nxjerrë nga bunkeri PD-në ai ishte në krahun e duhur të historisë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, se sa çfarë mendon ai ndryshe nga unë. Ne i mbështesim me fakte dhe rezultate të konfirmuara nga Komisioni Evropian ndërsa zt.Krishbaun i merr nga selia e Partisë Demokratike.
Tare: Nuk e bindët?
Rama: Nuk kishte pse e bindja.
Tare: Ai është i rëndësishëm tek parlamentarët e tjerë.
Rama: Nuk gjykoj mbi rëndësinë e njëri apo tjetrit. Tani u bëra veteran në këtë fushë dhe qeniet politike i nuhas shumë kollaj.
Unë nuk dua të bind as zt. Krishbaun dhe as Partinë Demokratike. Jam i bindur se nëse PD nuk do të kishte luajtur rolin negativ për Shqipërinë në veshin e atyre njerëzve.
Tare: Basha ka thënë se ka lobuar për hapjen e negociatave.
Rama: Janë disa njerëz që kanë qëllime pozitive dhe nuk kanë asnjë arsye të kenë qëllime negative dhe t’i bombardosh me të gjitha shpifjet është të punosh kundër Shqipërisë. Do të duhej një kohë e gjatë që ata të gjenin kohë për të pasur mundësinë dhe vullnetin dhe të dilnin në konkluzionin shumë miq të PD që tani janë ish-miq në Bruksel.
Tare: A po komunikon qeveria me franksionin CSU-CDU?
Rama: Ne kemi nevojë të takojmë sa më shumë deri në qershor. Nga fraksionet e CSU-CDU ka shumë më tepër që janë pozitivë.
Tara: Ishte folur se do të vinte një mision deputetësh fakt-mbledhës që është anuluar. Keni dijeni?
Rama: Nuk e di. Ndoshta vizita ime në Berlin ka qenë shterruese. Është puna e tyre dhe nuk kam asnjë dijeni.
Tare: Nëse në qershor nuk merret vendim për negociatat…
Rama: Faktet e Komisionit Evropian mblidhen në vijimësi dhe misionet 24 orëshe nuk besoj se janë misione faktbledhëse.
Tare: Në qershor Presidencën e merr Austria..Do të ketë një rol më aktiv?
Rama: Presidenca bullgare ka qenë e shkëlqyer. Jam i bindur që edhe Presidenca austriake do të jetë e shkëlqyer. Qoftë Bullgaria, qoftë Austria janë të lidhura historikisht me Ballkanin Perëndimor.
Tare: Jeni optimist për hapjen e negociatave në qershor? Nëse nuk hapen? Do të mbani përgjegjësi?
Rama: Jam optimist. Ne do të bëjmë maksimumin. Nëse do të jetë e bazuar mbi meritën dhe faktet dhe rezultatet që flasin qartë, ne do të na japin po. Nëse vendimmarrja ndikohet nga dinamika të brendshme kjo është jashtë mundësive tona. Është thjesht dhe vetëm një çështje e shkurtër kohe. Nëse nuk hapen në qershor do të hapen në dhjetor.
Zgjedhje të parakohshme?
Tare: Edhe gjatë mbledhjes së Asamblesë u folët socialistëve sikur të jenë në fushatë. Lidhet kjo me skenar zgjedhjesh të parakohshme?
Rama: Thashë që ne do të nisim një fushatë llogaridhënie për pak ditë. Do të shkojmë në të gjithë Shqipërinë. Të 360 e kusur njësitë administrative të vendit do të preken nga deputetët. Tani është koha e duhur për të dëgjuar nga njerëzit çfarë nuk është bërë si duhet, për të marrë masa dhe larguar ato drejtues që nuk i përgjigjen pritshmërive, për të kuptuar raportin tonë me publikun dhe patjetër për të hapur sa më shumë mendje.
Tare: Është një fushatë llogaridhënie dhe jo fushatë elektorale?
Rama: Fushatë llogaridhënie. Qysh kur kemi kërkuar një mandat pa të tjerë jam zotuar që kjo do të jetë një bashkëqeverisje me njerëzit. Duhet të ndërtojmë të gjitha urat e një bashkëqeverisje të mirëfilltë me njerëzit. Do të flas gjerësisht për platformën e qeverisjes shqipëriaqëduam.al, të cikët në vend që të sorollaten të harxhojnë 3 minuta dhe të marrin përgjigje për 10 ditë. Ata që nuk i përgjigjen qytetarëve të largohen.
Tare: Vetëm sot janë larguar dy drejtorë të punësimit. Është në kompetencën tuaj për këto shkarkime dhe mbi ç’kritere i bëni këto shkarkime?
Rama: Sot kemi pasur një takim pasi i takoj çdo muaj drejtuesit e shërbimit kombëtar të punës. Secila zyrë ka objektiva konkrete. Sot kemi pasur një takim shumë pozitiv sepse kemi kapërcyer objektivin e muajit nga rreth 2100 dhe kemi shkuar në 2600. Ka pasur një kapërcim të objektivit. Një numër zyrash kanë realizuar objektivat dhe dy zyra nuk e kanë realizuar.
Tare: Dhe këtë shkarkim e bëni ju?
Rama: Formalisht e bën tjetër kush. Qëndrimi i tyre në punë është mbi bazën e performancës.
Ekipi negociator, Rama: Kemi një emër, por pas negociatave
Tare: Kur u kthyer nga Berlini thatë se keni gati ekipin negociator?
Rama: Besoj që e kemi identifikuar kryenegociatorin.
Tare: Do të kërkoni edhe konsensusin nga opozita?
Rama: Nuk besoj se do të jetë nevoja. Di të them që ne do të vendosim në krye të negociatave një person me aftësi dhe integritet.
Tare: E dini emrin?
Rama: Po!
Tare: Mund ta thoni?
Rama: Jo! Sepse duhet të hapen negociatat.
Tare: Në radhët e PS?
Rama: Duhet të hapen negociatat, pastaj emri.
Paralajmërimi i Bashës për skandalet, Rama: Lulzimi të përballet me skandalin e financimeve të paligjshme
Tare: Keni ndjekur sot mbledhjen e grupit parlamentar të PD, z.Basha ka paralajmëruar nxjerrje skandalesh që do trondisin qeverinë në maj. Keni dijeni për këtë?
Rama: Kam dijeni për një skandal që Lulzimi duhet ta përballojë që është skandali i fitimeve të paligjshme të PD, ku ka një hije shumë rëndë të përfshirjes të financuesve rusë, gjë për të cilën ka hetime jo vetëm në Shqipëri dhe Lulzim Basha duhet ta përballojë me dinjitet këtë skandal.
Do vijnë në të ardhmen skandale që do trondisin qeverinë, këto janë injeksione për të mbajtur gjallë frymën e PD.
Tare: A keni ju ndonjë informacion shtesë përvec atyre që kanë dalë në aludim?
Rama: Flas për një skandal (Financimi rus) që nëse do të ishim ne në atë pozicion nuk e di çdo të kishin bërë ata.
Tare: Në ç’kuptim?
Rama: Nëse do të ishim ne që do kishim bërë gjithë atë zullum që ka dalë në pah në mënyrë të qartë, nuk e di cfarë do kishin bërë ata, nuk e di sa gjëra do ishin djegur në Shqipëri.
Tare: Flisni për shkelje ligji në Shqipëri?
Rama: Flas për skandalin në fjalë, pra për financimin e paligjshëm të fushatës së Partisë Demokratike me para të zeza për të cilat thuhet nga ata që i kanë investiguar dhe i kanë bërë publike se janë para që vijnë nga xhepat e financierëve rusë, por që sidoqoftë janë para të zeza që nuk kanë dalë nga PD, imagjinoni sikur kjo të thuhej për ne, se c’do ishte bërë për ne.
Tare: Ju keni ndonjë informacion shtesë që nuk ka dalë deri tani për këtë cështje?
Rama: Nuk jam pjesë e grupeve të hetimit. Di të them se kaq sa ka dalë, mjafton që përpara se të lajmëroj se skandalet do dalin në të ardhmen për qeverinë, kryetari i opozitës të përballet me skandalin që ka vënë në pozitë shumë të vështirë të gjithë ne dhe që për herë të parë ka hedhur mbi Shqipërinë dhe një hije ndërhyrje ruse.
/a.m.











