Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas, shpjegimit që bëri për paketën anti-shpifje, që tha se e ka propozuar dhe në qeveri. Në një postim në Facebook, Rama ka reaguar kundër atyre që kanë folur kundër kësaj nisme të tij.
POSTIMI I PLOTË
Qenkan acaruar shpifësit pse do t’i çojmë në gjyq. Përgjegjësia për Fjalën u duket diktaturë se janë mësuar të paguhen majmur, për të fëlliqur gjithçka prekin me gjuhë. Ka ardhur koha të faktojnë para se të akuzojnë ose t’i kthejnë për edukim ca nga lekët e fituara duke shpifur.
Replikat e Rames
Kryeministri Edi Rama ka replikuar edhe me ndjekësit e tij në facebook në postimin e fundit për paketën anti-shpifje. Një nga ndjekësit i shkruan se deri më sot nuk është dënuar asnjë person me pushtet edhe pse ky i fundit ka bërë shumë akuza. Sipas qytetarit edhe Rama është shpifës.
“Deri sot nuk ka Shqipëria në historin e saj që të dënohen njerëz të pushtetit.!! Edhe ti quhesh shpifes sepse shume akuza bëje kur ishe në opozit dhe asnjë i denuar,?! Per këte ke ndonjë pergjigje.”, i shpehet qytetari Ramës.
Por kryeministri i përgjigjet duke i thënë se kjo është një pyetje e lodhur.
“Pyetje e lodhur shume kjo Emirjan, sepse per denimet nuk pyetet kryeministri, as qeveria dhe as partia, po Drejtesia!”, shkruan Rama.
Replikat:
Komentuesi: Deri sot nuk ka Shqipëria në historin e saj që të dënohen njerëz të pushtetit.!! Edhe ti quhesh shpifes sepse shume akuza bëje kur ishe në opozit dhe asnjë i denuar,?! Per këte ke ndonjë pergjigje.?!
Edi Rama: Pyetje e lodhur shume kjo Emirjan, sepse per denimet nuk pyetet kryeministri, as qeveria dhe as partia, po Drejtesia!
Komentuesi: Edi Rama kur do na vi kjo drejtesia se na lodhi duke e prit 🙁
Edi Rama: Besar Besi Hoxha nuk u lodha une duke luftuar qe ta sjell, u lodhe ti duke e pritur qe te vije😁
Komentuesi: Waaaaaa diktature komplet
Edi Rama: Hahaha po po, shko shpif ne Gjermani a ne Angli apo ne Itali po deshe dhe e sheh mire diktaturen
Nisma
“Çdo shpifje në gjyq!”, Rama prezanton platformën para deputetëve dhe ministrave: Boll me…
Kryeministri Edi Rama anë një postim në Facebook, ka bërë publik propozimin që ka bërë sot në mbledhjen e përbashkët Qeveri-Grupi Parlamentar PS.
Rama shkruan se asnjë ministër apo deputet nuk do të tolerojë asnjë shpifje.
“Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur themeli të edukatës e mirësjelljes qytetare, që çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq!”, shkruan Rama në Facebook.
Postimi i plotë
Propozim për mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar dhe Qeverisë:
ÇDO SHPIFJE NË FONDIN E EDUKIMIT
Asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje.
Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë.
Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur themeli të edukatës e mirësjelljes qytetare, që çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet. Çdo shpifje në gjyq!
Çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. Ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.
Fondi i Edukimit, do të garantojë që paratë e ardhura nga gjyqet që do të bejnë kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët socialistë apo të tjerë veprimtarë të forcës sonë politike të gjendur përballë një shpifjeje, të shkojnë në destinacion, mbështetur në propozimin e fituesit të gjyqit.
Fondi i Edukimit do të ketë një bord drejtues, të zgjedhur me propozimin dhe miratimin e mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar e qeverisë. Ky bord do të trajtojë propozimet e lartpërmendura dhe është e vetmja instancë që mund të vendosë tërheqjen nga një proces gjyqësor për shpifje.
Në Partinë Socialiste do të ngrihet menjëherë Departamenti Antishpifje. I cili do të koordinojë dhe ndjekë ecurinë e betejës sonë frontale ligjore kundër Shpifjes.
Kazanpolitika dhe kazanmedia, s’mund ta kthejnë Shqiperinë në kazan. Shpifësit duhet të paguajnë dhe ne nuk do t’i kalojmë më në heshtje apo me reagime politike, fëlliqësitë e tyre. Çdo shpifje ndaj nesh, do ta kthejmë në të ardhura për Fondin e Edukimit.
Ngarkohet një grup pune, për përgatitjen e dokumentave të themelimit dhe funksionimit të Departamentit Antishpifje dhe Fondit të Edukimit. Këto struktura duhet të jenë operacionale, menjëherë pas kalimit në Kuvend të Paketës Antishpifje.
Ky propozim është i hapur për kontributet e çdo pjesëtari të mbledhjes së zgjeruar, por edhe propozimet e çdo miku të këtij rrjeti social janë të mirëpritura.
…
Shënim për ju: Këshilli i Ministrave do të diskutojë së shpejti projekt-vendimin për reagimin e detyruar ligjor ndaj shpifjes, të çdo institucioni apo enti publik në Republikën e Shqipërisë.