Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë për 25-vjetorin e BERZH në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Kreu i qeverisë foli për miratimin e reformës në drejtësi duke u shprehur, krenar që u miratua reforma në drejtësi.
“Reforma në drejtësi ishte pjesë e programit tone. Shumë mendonin se ishte e pamundur. Por, unë isha i bindur që në momentin e pare. Besova që do ia dilnim, sepse Shqipëria nuk është vetëm”, tha Rama.
“Ky konsensus, vijoi Kryeministri, është një kryevepër e një kombinimi fatlum mes vullnetit të shqiptarëve dhe vullnetit të aleatëve, që shkuan përtej pritshmërive”.
“Me 140 votat për reformën, kemi hyrë në një epokë të re të historisë”, tha Rama, duke shtuar se, “tashmë kemi instrumentet për të gjykuar ata që kurrë nuk janë gjykuar”.
Rama shtoi se, “Pas miratimit të reformës është rritur interesi i investuesve të huaj. BERZH nuk ka qenë vetëm një ofrues parash, por ka dhënë edhe njohuri. Sot nënshkruam një marrëveshje të re me BERZH për financimin e bujqësisë”.