Kryeministri Edi Rama nuk e ka mbyllur debatin për renditjen e Shqipërisë në krye të indeksit global të sigurisë kibernetike.
Një ditë pasi iu përgjigj trollëve të internetit, ai reagoi sërish, këtë herë duke sjellë si argument një artikull të Euronews që pasqyron klasifikimin dhe transformimin e Shqipërisë pas sulmit kibernetik të vitit 2022.

“Ja edhe EURONEWS-i global për një lajm që në Shqipëri i mërziti aq shumë sorrat, korbat dhe dështakzemërakët.
Postimi i Ramës:
“SHQIPËRIA E PARA NË BOTË PËR SIGURINË KIBERNETIKE
Nga vendi që në vitin 2022 u godit nga një sulm masiv kibernetik i sponsorizuar nga Irani, tek vendi që sot kryeson renditjen globale për sigurinë kibernetike. Sipas indeksit të publikuar edhe nga Euronews, Shqipëria renditet e para në botë me 98.33 pikë nga 100, përpara fuqive të mëdha teknologjike si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Pikë maksimale për politikat kibernetike, bashkëpunimin ndërkombëtar, arsimin dhe kërkimin, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, analizën e kërcënimeve, mbrojtjen e të dhënave, reagimin ndaj incidenteve, menaxhimin e krizave dhe luftën kundër krimit kibernetik. Sulmi i vitit 2022 mund të na kishte gjunjëzuar. Ne e kthyem atë në një shtysë për transformim.
Rindërtuam kuadrin ligjor, centralizuam mbrojtjen kibernetike, forcuam kapacitetet tona dhe ngritëm partneritete të reja me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe kompanitë më të mëdha të teknologjisë. Dhe sot, në një kohë kur Shqipëria digjitale ofron online 95% të shërbimeve publike, kjo mburojë është po aq jetike sa çdo infrastrukturë tjetër strategjike e vendit. Nga objektivi i një sulmi shtetëror kibernetik, në numrin 1 të botës për sigurinë kibernetike”.
Çfarë ndodhi
Deklarata vjen një ditë pas lajmit se Shqipëria ishte renditur e para në National Cyber Security Index, Të mërkurën në mbrëmje Rama iu përgjigj dyshuesve të këtij vlerësim, duke i cilësuar ata “urrejtës” dhe “trolla”.
Rama theksoi se renditja nuk është propagandë, por bazohet në një metodologji ndërkombëtare që vlerëson kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit në fushën e sigurisë kibernetike.
“Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon”, shkroi Rama, duke e cilësuar vendin e parë si rezultat të punës së bërë ndër vite.

Çfarë shkruan Euronews në artikullin për Shqipërinë:
Artikulli i Euronews thekson se, sipas indeksit të Akademisë së Qeverisjes Elektronike të Estonisë (eGA), Shqipëria dhe Çekia kryesojnë renditjen globale të sigurisë kibernetike, ndërsa Shqipëria renditet e para me 98.33 pikë nga 100. Sipas medias, vendi lë pas fuqi të mëdha teknologjike si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa indeksi vlerëson gatishmërinë e 155 vendeve dhe territoreve për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur sulmeve kibernetike.
Euronews shkruan se Shqipëria mori pikët maksimale në të gjithë treguesit strategjikë, përfshirë politikat kibernetike, bashkëpunimin ndërkombëtar, arsimin dhe kërkimin, si edhe në treguesit parandalues, si mbrojtja e infrastrukturës kritike, analiza e kërcënimeve dhe mbrojtja e të dhënave. Sipas artikullit, e vetmja pikë ku Shqipëria nuk mori vlerësimin maksimal lidhet me mbrojtjen ushtarake kibernetike, pasi nuk ka një doktrinë ushtarake të publikuar për operacionet kibernetike.
Media europiane ndalet edhe te sulmi kibernetik i vitit 2022, duke shkruar se ai, i atribuar hakerëve të sponsorizuar nga shteti iranian, ishte aq i rëndë sa Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Teheranin. Sipas Euronews, kriza u kthye në një proces modernizimi, me ndryshime në kuadrin ligjor, centralizimin e operacioneve të mbrojtjes kibernetike nën Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, zgjerimin e bashkëpunimit me BE-në, SHBA-në dhe kompanitë e mëdha të teknologjisë, si edhe forcimin e sigurisë së platformës e-Albania, përmes së cilës ofrohen 95% e shërbimeve publike.











