Gazetari dhe analisti Enton Abilekaj, i ftuar në studion e emisionit “Tema e Ditës” të moderuar nga gazetarja Blerta Tafani, komentoi zhvillimet më të fundit politike dhe juridike në vend.
Abilekaj analizoi protestat e fundit të Partisë Demokratike dhe Foltores, duke vënë në dukje mungesën e një kontrasti të qartë mes qeverisë dhe opozitës.
“Problemi është që publiku nuk sheh kontrastin mes qeverisë dhe opozitës. Nëse mendojmë se qeveria duhet të largohet, duhet të shohim edhe arsyen pse t’i japim besimin alternativës. Deri tani, opozita nuk ka bindur masën e madhe të qytetarëve,” u shpreh ai.
Sipas Abilekajt, prania e madhe e njerëzve në protesta nuk mjafton për ndryshim pushteti pa një izolim të qeverisë nga ndërkombëtarët.
Ai solli si shembull vizitën e kryeministrit Rama në Washington për Bordin e Paqes, duke e cilësuar si një “goditje për idenë e opozitës që prej kohësh thotë se Rama nuk shkon dot”.
Në fund, Abilekaj u ndal tek propozimet e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet ligjore, të cilat sipas tij synojnë të rregullojnë ndarjen e pushteteve.
Por ai i kritikoi si të papërshtatshme, duke theksuar se nisma erdhi pas një konflikti mes GJKKO-së dhe qeverisë që përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.
“Në logjikën politike, një pushtet që buron nga Parlamenti nuk mund të hiqet nga një gjykatë pa lejen e vetë Parlamentit. Pra, GJKKO dhe SPAK nuk mund të heqin imunitetin pa ia kërkuar këtë Parlamentit,” tha ai.
Sipas Abilekajt, mazhoranca duhej të kishte gjetur një tjetër iniciativë kushtetuese, duke plotësuar Gjykatën Kushtetuese për të dhënë një vendim të qartë mbi këtë dilemë.
Ai shtoi se ndryshimet e propozuara nga mazhoranca krijojnë një balancë të deformuar pushtetesh, ku disa persona në ekzekutiv mbrohen nga gjyqësori vetëm për shkak të pushtetit që gëzojnë.
“Parimi i balancës së pushteteve duhet të jetë i njëjtë për gjithë ekzekutivin, jo thjesht për disa emra,” tha Abilekaj, duke përfunduar se kjo dilemë kushtetuese nuk mund të zgjidhet me ligj, por vetëm me një vendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese.











