I pranishëm në dëgjesën publike për ndërtimin e rrugës së Lumit në Vlorë, Kryeministri Edi Rama tha se së shpejti do të nisë ndërtimi i një korridori Vlorë Himarë përgjatë bregdetit si dhe se po shikohet mundësia që porti i Vlorës të zgjerohet për të sjellë më shumë turizëm.
“Kjo është ditë historike për këtë zonë dhe ky është projekti më i madh i ri. Projekti financohet nga e para tek e fundit, pasi na është dashur me një mal të madh borxhesh ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve, të cilat u kontraktuan nga qeveria e mëparshme në mënyrë abuzive për shkak se mungonin paratë. U lidhën kontrata në atë idenë ‘hajde se ti kam lekët’ dhe përveç borxheve të mëdha që akumuluan në këtë drejtim dhe sollën në fakt një situatë dramatike në 2013-ën, ku kompanitë nuk kishin fuqi të vazhdonin punën pasi bankat nuk kreditonin më kompanitë, ne gjetëm dhe pjesën tjetër të problemit që është vazhdimi i këtyre rrugëve të lëna rrugëve.
Për herë të parë do të bëhet e mundur që në portin e Vlorës të bëhet ankorimi i kryqëzorëve dhe anijeve turistike në port. Kemi diskutuar për të rritur kapacitetin e portit të vlorës, për ankorimin e anijeve të mëdha turistike dhe të mallrave.”, theksoi Rama.
Ndër të tjera ai tha se shumë kontrata gjatë qeverisjes “Berisha” janë firmosur symbyllur.
“Kjo që bëhet sot këtu është një standard i ri për të kërkuar që në projekt maksimumin dhe kërkesat e ligjit, por për të garantuar se për fillimin e punimit nuk ka surpriza, siç ishte surpriza e rëndë për aksin Tiranë-Elbasan. Kontrata u bë symbyllur. Jeni dëshmitar, siç është miku im Ezan Malja, që është dhe një nga sponsorët pasionant që të ndërtojë këtë rrugë, për gjendjen shumë të rëndë që është sot rruga. Edhe unë vetë kam pasur rastin që ta përshkoj, bashkë me Fatmirin. Është një shteg i mbushur me gropa ku eksesin, shërbimet e gjithë banorëve, është minimal.”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe tek projekti i Lungomares, duke u shprehur se nuk po ecet me ritmet e duhura.
“Projekti i Lungomares po ecën me ritme të mira, por jo aq sa duhej të ecte. Shpresojmë që të arrihet objektivi që ne kemi vendosur, dhe të mbyllen punimet përsa ka të bëjë me gjithë pjesën e bregut”, tha Rama.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri bëri edhe një batutë me vlonjatët “Sado punë të bëjmë ne, vlonjatët nuk do jenë aq të kënaqur sa mos të nxjerrin bishta, se po të mos nxirrnin bishta nuk do të bënin histori siç kanë bërë deri më sot”.