Pas mitingut përmbyllës të fushatës zgjedhore të mbajtur në Vlorë, në sheshin e Lungomares, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka qenë i ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, në rrëfimin e tij të fundit të fushatës.
Së bashku me të, në panel ishin edhe analistët Skënder Minxhozi, Arjan Vasjari dhe Mustafa Nano.
Sokol Balla: Jemi këtu pak minuta pas mitingut të Vlorës, të cilës i kërkuat ndjesë pasi thatë se nuk kishit bërë sa duhet.
Kryeministri Rama: Me sa duket fjalimin nuk e keni dëgjuar mirë. Fjalimin e kam përqëndruar te çështja e administratës publike, pasi marr me mend sesa veta merren nëpërkëmbë çdo ditë, ndaj dhe kam kërkuar ndjesë. Kam parasysh sistemin e dëmtuar, ku partitë e pushtetit e ndanin administratën si tepsi. Tashmë kemi një ligj për shërbimin civil që mbron pjesën e sipërme të administratës, e po zhvillohen konkurse rekrutimi serioze. Por 25% e konkurseve nuk nxjerrin fitues. Kam thënë se duhet ndryshuar ky sistem, e që kjo të bëhet, nuk do të thotë se partia fituese duhet të ketë medoemos numrat. Por kur kjo nuk ndodh, partitë e vogla përfshihen në pazarin e ndarjes.
I pyetur nga Minxhozi, nëse kjo është një e keqe ekskluzive vetëm e partive të vogla, apo ka diçka për të thënë edhe për partinë që drejton vet kryeministri, dhe a do të funksionojë shteti nëse do të jetë ekskluzivisht nën timonin e tij të famshëm, Rama është shprehur se nuk ka thënë që PS është virgjëresha dhe të tjerët janë mëkatarë.
“Sistemi është i tillë që ka infektuar rregullisht partitë e mëdha. Ato nuk jetojnë dot me këtë sistem ekskluzivisht, nuk e kanë nevojë jetike, sepse nuk kanë nevojë të bëjnë punësime për të rritur anëtarët dhe ndikimin. Ama nuk diskutohet që sistemi është kanceroz dhe i ka prekur të gjithë. Por nëse partia e madhe ka vullnet, mund ta fillojë këtë operacion. Kam dy shembuj, se kur ka vullnet partia e madhe, ka mundësi të bëjë ndryshime të rëndësishme. E para, Policia e Shtetit. Që në fillim kam kërkuar që askush të mos marrë në telefon ministrin e Brendshëm për emërime drejtorësh. Kam kërkuar që Policinë të mos e ndaj mes partive dhe kjo ka funksionuar. Policia e Shtetit tashmë gjobit deputetët kur parkojnë gabim, apo ministrat kur shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Shembulli i dytë janë mësuesit. U vendos rregulli që mësuesit nuk mund të largohen nga puna nga drejtorët, por ata merren në punë nga portali. Ka mësues që kanë hyrë në punë nga konkursi, sipas pikëve. Ndoshta nuk janë të përsorura, por kanë funksionuar dhe tregojnë se ku ka vullnet bëhen punë të mira”, tha Rama.
Sipas Vasjarit, një nga problemet më të mëdha të administratës është sjellja skandaloze, e gjithashtu ndarja administratë e poshtme dhe administratë e lartë, gjë që sipas tij ajo poshtë është thjesht reflektim i asaj të sipërmes.
“Është turp ta them por është e vërtetë. Le të përmendim sigurimet shoqërore, apo kontrollin e barnave. Nuk mund të them se njëra nga këto është mirë, sepse drejtuesit i ka vënë PS-ja. Por nëse fakti që ne bëjmë më shumë presion për një sjellje më pozitive, kjo duhet të ndodhë në të gjitha nivelet. Flas për shërbimet ndaj publikut, përmend legalizimet që kemi bërë, shumë herë më shumë sesa PD-ja në 8 vitet e qeverisjes së saj. Për Lungomaren kemi harxhuar mbi 5 mln dollarë për shpronësimet, për të bërë këtë që shohim sot. Sot kemi shumë familje që kanë marrë legalizimin, por s’kanë titullin e pronësisë. Ndaj duhet ndryshuar sistemi, e nuk jam ndalur se fajin e ka ky apo ai. Ne kërkojmë një agjenci të trajtimit të pronës, që përfshin në një strukturë të vetëm të gjithë procesin e dixhitalizimit të procesit. Me tre institucione të ndryshme është shumë e vështirë që të krijosh mekanizmin”, tha më tej Rama.
Për Mustafa Nanon, është krijuar përshtypja se LSI është partia e sëmurë e sistemit. Në fakt sistemi çalon në përgjithësi dhe ndoshta kjo mund të zgjidhet me marrëveshjen e bashkëqeverisjes, nëse është e tillë, me PD-në.
“Marrëveshja nuk është vetëm mes nesh, ajo është publike dhe nuk ka të bëjë me bashkëqeverisjen. Aty shkruhen të gjitha pikat, kryesisht që qeveria dhe opozita do të jenë nën një zë për procesin e integrimit, e shumë gjëra të tjera që kanë bërë vendet e tjera, asgjë më shumë shpikje tonat”, u kundërpërgjigj Rama.
Sa i përket shifrave të pjesëmarrjes në mitingun e socialistëve në Vlorë, ishte vet Rama që shoi kureshtjen, duke thënë se vetëm vende të ulura ishin 10 mijë, duke përllogaritur këtu edhe 10 mijë të tjerë në këmbë.
Në lidhje me Policinë e Shtetit, Rama u shpreh:
“Policia e Shtetit nuk ka qenë problem në zgjedhje, nuk ka qenë politikisht e motivuar të paktën nga viti 2009. Ndryshimi i madh që ka ndodhur është se Policia e Shtetit ishte në tepsinë e pushtetit, ndërsa ajo që kemi bërë ne është që të paktën nuk ka më nga një shkallë në një tjetër më lart, por gjithçka varet nga sistemi i gradave, eksperiencës etj. Ndërkombëtarët thanë se policia nuk preket sepse është standardizuar. Edhe drejtuesit e policisë që donim të emëronim enkas për zgjedhjet, u bënë me të vetmin ndërhyrje të ndërkombëtarëve që ata të zgjidheshin me short brenda atyre që kishin gradat e duhura”.
Minxhozi u ndal te thënia e Ramës “na duhet pushteti për të bërë shtetin”. Por kaq të vështirë e ka pasur kryeministri i Shqipërisë, apo PS-ja, kur ka vënë re deformimet në katet e poshtme të qeverisjes për t’iu imponuar dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme?
“Nëse ne nuk e marrim timonin të vetëm, unë vet nuk e bëj dot. Ose do të mbaj qeverinë dhe të kem numrat, ose nuk bëj dot qeverinë, sepse është sistem. Partia e parë fituese sigurisht që do të bëjë qeverinë, por negociatat për programin qeverisës zgjasin shumë nëse s’janë votat. Gjëja pozitive e koalcionit të deritanishëm është se, ne si PS kemi pasur dorë të lirë për të bërë reforma nga LSI-ja. Dhe vendosja e themeleve ka ecur mirë sipas meje. Reforma e administratës është shumë e rëndë, është luftë për ekzistencë. Mendoj që Shqipëria s’ka nevojë të ketë 12 rajone, por propozova t’i shkurtoj në 4 rajone. Në një reformë themelore na duhen votat, por s’mund të bëjmë pazare me partitë e vogla për këtë”, deklaroi Rama.
Rama ka ndarë në dy pjesë, koalicionin me LSI në këto muaj dhe votën që kërkon për të hequr “tepsinë” e ndarjes së pushteteve.
“Koalicioni i 45 muajve ka bërë reforma që nuk janë bërë më parë. Por ajo që unë po diskutoj është faza tjetër. Unë u them njerëzve që nëse duan të shpëtojnë nga ata që u nxijnë jetën nëpër zyra të më japin votën. Kjo nuk bëhet nëse nuk kemi timonin. Nëse nuk marrim të vetëm timonin nuk e përmirësojmë dot administratën publike. Njerëzit sillen ndryshe në sisteme të ndryshme. Nëse nuk ndryshon sistemi nuk ndryshojnë njerëzit”, u shpreh Rama, duke theksuar se “Nëse marrim timonin të vetëm reforma në administratë do të jetë prioritare”
Më tej ai dha edhe një shembull konkret, “Po të shohësh mandatin e parë me të dytin të PD, i dyti u rëndua shumë se nuk i kishte numrat”.
Sipas tij, më mirë është të punësosh një person të aftë, sesa një person partiak por të paftë për punën. “Një socialist i paaftë do të mërzisë njerëzit dhe të humb shumë vota. Ndërsa një njeri të aftë, mund ta bësh socialist”, argumenton Rama, duke shtuar “Edhe nëse partia e madhe e bën ndarjen e pushtetit mes vetes është 0. Por nëse ajo e merr drejtimin e vetme, përgjegjësia është tërësisht e saj”.
Gjatë intervistës Rama ka theksuar se ai nuk ka konflikt me LSI-në, madje ai vuri në dukje se prej shtatorit të vitit të kaluar ka kërkuar të marrë konfirmimin për vijimin e koalicionit.
“Unë nuk jam prishur me LSI në asnjë moment. Kam kërkuar që në shtator që të bëjmë koalicionin me Ilir Metën, por përgjigjja ishte strategjike “prit”. Kur kam ngritur këtë problem nuk e kam me LSI. Konfliktin e filloi LSI.”
71 deputetë është minimumi i deputetëve që Rama kërkon të marrë nga këto zgjedhje, pasi sipas tij ky është edhe numri i duhur që e bën të pashantazhueshëm pushtetin.
Një reagim në “Twitter” ka bërë edhe Vangjel Dule, si kundërpërgjigje ndaj asaj që tha Rama në mitingun e Himarës. Një reagim që kryeministri Rama nuk e ka pritur fare mirë, madje e ka ironizuar Dulen që nuk e donte bakllavanë turke, duke lënë minoritetin pa përfaqësim, vetëm e vetëm që të dalë vet deputet.
Sa i përket marrëdhënieve me Greqinë, Nano theksoi se është e papranueshme mungesa e një vizite të kryeministrit të Shqipërisë në Athinë apo Greqisë në Tiranë. Rama theksoi se është optimist, e në momentin që do të gjendet një zgjidhje e problemeve Tiranë-Athinë, do të vijohet më tej, por sërish ka sulmuar sjelljen e Dules me qasjen që mban ndaj qeverisë shqiptare në Greqi.
Kryeministri Rama i është kthyer sërish temës së tij të preferuar të “kazanit mediatik”, e nuk ka preferuar të flasë për faktin se pse shumë analistë duket sikur janë kundër tij.
Sokol Balla: Çfarë do të rendisni mes gjërave, ku qeveria ka dështuar në këto 4 vite?
Edi Rama: Nuk kemi dështuar në asgjë dhe nuk ka përfunduar asgjë. Kemi bërë një reformë në energji, me një transformim që shërbimi ndaj klientit sërish ka ende shumë punë për të bërë, por nuk mund të bëjë kurrë krahasim me atë që gjetëm 44 muaj më parë. Kryefjala e njerëzve në çdo takim ka qenë krimi, me ata që kërkonin të zhdukej krimi. Sot, kriminaliteti është ulur në shifrat më të ulëta nga të gjitha vitet e tjera zgjedhore.
Për çështjen e kanabisit, Rama pretendoi se ekziston një mit, pasi Shqipëria ka pasur kanabis thuajse në pjesën më të madhe të territorit, por askush nuk fliste e nuk merrej me këtë temë, por përmendej vetëm Lazarati. “Mjafton që të marrësh komunikatat e policisë deri në vitin 2013, në Shqipëri ka pasur mbi 800 parcela kanabisi. Sa është mbjellë, nuk e dimë, por dimë vetëm sa është kapur. Vitin e kaluar ka pasur rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, por kurrsesi në nivelet e viteve para 2013-s. Ne vitin e kaluar nuk patëm rezultatet e dëshiruara, patjetër që është një luftë kombëtare. Për këtë bëmë planin kombëtar me Tahirin, morëm hartat e krimeve. Nëse një krim i ndodhur më parë diku, përsëritej sërish, atëherë i kërkova Tahirit të shkarkohej njeriu përgjegjës për atë pikë apo parcelë.
Vasjari tha se kërkonte një tjetër raport me disa të vërteta sipas tij, pasi vetëm në Shqipëri ndodhte që një kryeministër nuk thoshte se jemi në vështirësi në vitin 2013, siç ndodhte me Italinë, e disa vende të tjera.
“Sot kemi një raport të Kombeve të Bashkuara, vjen Cattaldo Motta që thotë se sasia e drogës nga Shqipëria është në përmasa shqetësuese. Unë jam i bindur që ky fenomen do të zgjidhet, por nuk mundet të thuhet se sa ishte Tahiri, fenomeni po luftohej. Erdhi ministri Xhafaj dhe ndryshoi qasja. Ky është një nga dështimet tuaja dhe duhet pranuar”, tha Vasjari.
“Në rastin konkret nuk është kaq e thjeshtë sa të zgjidhet vetëm me fjalë. Di të them se Tahiri ka bërë një punë perfekte në asgjësimin e drogës, e me të njëjtën skemë vijohet të punohet edhe sot. Nëse del një fidan i ri nga parcelat e vjetra, atëherë personi përgjegjës ikën”, tha Rama.
Një nga kritikat e Mustafa Nanos ka të bëjë me qeverinë e korruptuar dhe sipas tij, kjo e deritanishmja ka qenë një nga më të korruptuarat në perceptimin e tij.
“Si e mat këtë ti. Unë nuk mund ta pranoj që të thuaj se kjo është qeveria më e korruptuar, sesa ajo që vriste njerëz, si në rastin e Gërdecit”, iu kundërpërgjigj kryeministri.
Megjithatë, Nano këmbënguli më tej duke thënë se qeveria e ardhshme duhet të jetë më transparente, për çdo çështje investigimi të kujtdo qytetari që do të ketë nevojë. Një premtim që ia dha menjëherë kryeministri Rama, i cili ofroi mbështetjen e tij t’i shkohet deri në fund çdo hetimi koncesionesh apo aspektesh të tjera.
Një ndër shembujt e suksesit që ka përmendur Rama ishte koncesioni për hemodializën, duke i hequr mundimin qytetarëve që kanë nevojë thuajse 3 herë në ditë për shërbimet e hemodializës, të vinin nga rrethet më të largëta në kryeqytet, por tashmë i marrin shërbimet edhe në spitale të tjera rajonale. E për këtë vlerësoi koncesionin, pasi shteti nuk i ka paratë gjithmonë për të bërë investime të mëdha e të rëndësishme.