Nga Jakin Marena
Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk ka peshë politike në ranglistën e vendeve të tjera perëndimore, por dhe në shumë raste dhe në raport me vendet e tjera të rajonit.
E kemi treguar me “vepra” në politikë, kur i gjithë stafi i liderit që mund të ishte për një vizitë apo në takim ndërkombëtar të çfarëdolloji jashtë vendit, më shumë se sa për performancën e personit që shoqëronin, ishin të interesuar për të garantuar një takim me figurat globale, qoftë dhe duke dalë nga banjo, apo duke i zënë pritë në ndonjë korridor të ngushtë, dhe kur impenjimi më i madh ishte shkëputja e një fotoje mundësisht me shtrëngim duarsh.
Anipse ishte ndonjë takim inkonjito, ku vetë personaliteti botëror as që e dinte, dhe nuk e merrte vesh kurrë se me kë kishte shtrënguar duart. Por kjo pak rëndësi kishte, fotoja shpërndahej me shpejtësi në mediat shqiptare, të të gjitha llojeve, për të treguar “forcën” dhe “peshën” politike para shqiptarëve, por dhe kundërshtarëve politikë.
Një farsë për të treguar se i mbështet Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Londra, Roma e deri tek Athina. Kështu ka ndodhur në shumicën e kohës, pas viteve ’90, duke treguar një inferioritet të neveritshëm në raport me partnerët tanë, apo me liderët homologë të vendeve respektive.
Kanë ndodhur dhe mysybete të tilla kur ish kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, shfrytëzoi të gjitha takimet dhe vizitat e presidentit turk Erdogan, për të treguar se ka mbështetjen e Turqisë. Që nga thirrja në mes të fushatës për të inauguruar tunelin e Kalimashit, u shemb pas tre ditësh dhe “gëlltiti” dhe 60 milionë euro shtesë. Por ‘leku letër’, vetëm që të fitoheshin zgjedhjet 2009. Madje tha dhe se shqiptarët kanë gjak turk, e ka me zë e figurë Berisha, videoja s’është zhdukur ende nga motori i kërkimit “google” dhe kush të dojë mund ta dëgjojë e shohë më me nge.
Kështu kanë vepruar dhe të tjerë, dy prej të cilëve ish kreu i PD Lulzim Basha dhe ish Presidenti, aktualisht kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, janë nën hetim për lobim me para ruse e të dyshimta në Uashington. Vetëm për një foto apo “resme” siç e kanë quajtur brezi i tretë tërë kohën, me ish presidentin Donald Trump, për t’ua paraqitur në mënyrë të rrejshme shqiptarëve, si mbështetje nga qeveria amerikane. Që këtu nis mashtrimi i madh.
Përjashtim ka bërë për hir të vërtetës vetëm Edi Rama, i cili ka treguar se jo vetëm që nuk ndjehet inferior, por sillet, vepron dhe flet si i barabartë mes barabartëve me homologët e tij apo me presidentët, duke filluar nga ata të SHBA dhe vendeve anëtare të BE. Madje ngre dhe zërin për mbrojtjen e interesit të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve, sa herë që e lyp nevoja. Në mes të Nju Jorkut, Brukselit, Beogradit apo kudo që të jetë. Pa drojë dhe me artikulim të pastër. Duke thyer dhe tema tabu për paraardhësit e tij në krye të qeverisë shqiptare, dhe përmendur në tavolina takimesh siç është rasti i çështjes çame me zyrtarët e lartë grekë, dhe pavarësinë e njohjen e shtetit të Kosovës me ata serbë. Tema që s’janë dëgjuar kurrë më parë të artikuluara zyrtarisht nga asnjë kryeministër shqiptar më parë, të cilët kanë heshtur e heshtur.
Por që të kthehemi sërish tek nisja, ajo që mund të themi është se fundja ne shqiptarët jemi në “ujë të pafund” kudo, duke filluar nga pesha ekonomike dhe përfunduar tek futbolli. Jemi një hap pas kudo, dhe këtë e kemi treguar se s’kemi “nerv”. Për hir të së vërtetës jemi mësuar të “pësojmë gol në minutat shtesë”. Kështu në kombëtaren e futbollit, kështu në ekonomi. Dhe këtu nuk bën përjashtim as Kosova.
Dher meqë jemi tek Kosova, ajo që mund të themi është se në të gjitha përballjet, ka pësuar “gol në minutën shtesë”. Pasi nuk ka si të shpjegohet ndryshe, që të fitosh luftën kundër Serbisë me mbështetjen e SHBA, BE dhe NATO-s, ku këto shtete mike u rreshtuan përkrah UÇK që luftonte në terren e sëbashku, pesha anonte nga aleatët kuptohet, çliruan Kosovën nga uzurpimi serb, ndërkohë që ditë pas dite po humbasim paqen.
Thjeshtë dhe vetëm nga paaftësia proverbiale e politikanëve shqiptarë në Prishtinë, të cilët më shumë mendjen e kanë se çfarë artikulon Tirana zyrtare për të “përzgjedhur” jashtë kontekstit ndonjë deklaratë të gatshme për përdorim politik brenda vendit, se sa për të ndërmarrë nisma që ngrenë në nivelin e kërkuar shtetin më të ri shqiptar në Europë, të krijuar nga lufta e UÇK dhe aleatët tanë. Për t’i dhënë vendin që meriton, dhe për një trajtim dinjitoz krah shteteve të tjera.
Unë nuk e di se si mund të gjendet një lobues më i mirë për Kosovën, në nivelet më të larta të politikës botërore, madje si bashkëdrejtuese e Këshillit të Sigurimit të OKB, se sa Shqipëria dhe në veçanti kryeministri shqiptar Edi Rama.
Madje një lobues pa kokërr leku të harxhuar, dhe me shpenzimet e veta, që të ngrejë në mes të OKB-së çështjen e Kosovës dhe të deklarojë me zë të lartë padrejtësinë që iu bë asaj pas çlirimit duke goditur simbolin e ngritjes së këtij shteti, UÇK-në aleate me NATO-n gjatë kësaj lufte, e cila ishte fillimi dhe mbyllja e këtij procesi.
Pikërisht Kosovës që iu bë “gol në minutën shtesë” dhe që e katandisën në atë far feje sa ish komandantët e luftës që i dhanë lirinë dhe që janë personifikimi i vetë shtetit të ri të Kosovës, kanë një vit që janë në Hagë.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Rexhepi dhe Rexhep Selimi janë nën akuzë, është gjithë UÇK në fakt nën akuzë, për krime lufte, në një gjykatë speciale të ngritur mbi bazën e raportit të Dick Marty. Sipas të cilit ish komandantët e UÇK kanë kryer trafik organesh njerëzore të marrë nga trupat e serbëve. Por që në asnjë rresht të akuzave të ngritura ndaj tyre tani pas një viti, nuk figuron një akuzë e tillë për trafik organesh.
Dhe në vend që të ngrihej me të madhe gjithë politika e Kosovës, që ta denonconte këtë akt, anipse i ka kundërshtarë politikë brenda vendit, politikanët e Prishtinës heshtin. Madje gëzojnë që ish komandantët janë në Hagë. Nëse do të bënin diplomaci në mbrojtje të tyre, do të mbronin luftën e UÇK por dhe të aleatëve të NATO-s të drejtuar nga SHBA, dhe mbi të gjitha vetë shtetin e ri të Kosovës, në themel të të cilit është kjo luftë. Kosova i ka themelet e “krisura” sa kohë që ish komandantët dhe vetë lufta është nën akuzë.
Ju garantojmë se do të fitonin më shumë pikë dhe në elektoratin e tyre brenda vendit, dhe mbi të gjitha do të prezantoheshin si politikanë dinjitozë përpara ndërkombëtarëve. Pasi po nuk deshe veten, nuk do as të tjerët, ndaj të lënë pas dore dhe nuk të merr askush në referencë dhe kur ka takime ndërkombëtare. Anipse në mënyrë të panatyrshme, liderët e Kosovës, më kokretisht presidentja Vjosa Osmani, për të siguruar një takim në Uashington me presidentin Joe Biden, premton se do të marrë me vete dhe këngëtaren me famë botërore Dua Lipa.
Një përqasje tipike ballkanike, dhe më rëndë akoma, një model “biznesi” alla-shqiptar që për të joshur një person me të cilin ka interes të takohet, i premton se do të ketë drekë të mirë, muzikë të mirë dhe ndonjë lek, por dhe do ketë me vete këngëtare të bukura. Dhe kujt i bëhet një ofertë e tillë, Joe Bidenit 85 vjeçar, i cili gjatë tërë jetës së vet, sa herë ka folur për Kosovën, ka folur në mbrojtje të saj. Eshtë mënxyrë të kesh politikanë të tillë në krye të shtetit, tepër turpëruese.
Ky ka qënë niveli i përqasjes dhe kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në mes të OKB dhe nën interesin e mediave të të gjithë botës deklaroi pa dorashka se ndaj Kosovës po bëhet krim, me “rrëmbimin” e Presidentit të Kosovës dhe liderëve të tjerë të shtetit më të ri në Europë, dhe mbajtjen një vit në burgjet e Hagës pa asnjë lloj akuze. Po hetohet dhe gjykohet nga një gjykatë speciale e ngritur mbi pretendimet e raportit të Dick Martin, sipas të cilit është kryer trafik organesh njerëzore nga ana e ish komandantëve të UÇK, element që nuk ekziston më në asnjë cep të akuzës së ngritur tashmë së fundmi ndaj Thaçit dhe të tjerëve që janë në burg.
Kryeministri i Shqipërisë deklaroi se raporti i Dick Marty është një raport i shëmtuar që duhet korigjuar, pasi autori i saj duhej të ishte paguar si tregimtar por jo si raportues i Këshillit të Europës. “Edhe një fjalë e vetme e aktakuzës që vijoi nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës, për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve, një fantazi e tërë. Ky është një dështim monumental në nivel ndërkombëtar, dhe nuk ka të bëjë me një person me procedurat e gjykatës ka të bëjë me njollosjen e papërshtatshme të një vendi dhe historisë së tij.
Megjithatë duke qenë se demokracia dhe institucionet e saj mes shumë virtuteve kanë dhe atë të korrigjimit të fajeve dhe gabimeve të tyre, ne mendojmë dhe shpresojmë saktësisht që Asambleja do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizatë kaq të rëndësishme ndërkombëtare. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo e vërtetë dhe kurrë nuk do të ndalim së nderuari ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e tyre, për të cilët askush në emër të askujt nuk mund të hedhë asnjë grimë balte”, tha Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Pa dorashka fare.
Një risk për të si politikan por dhe për Shqipërinë, në këtë avokaturë të fortë për Kosovën, të shoqëruar dhe me thirrjen ndaj Serbisë dhe vendeve që nuk e kanë njohur ende si shtet, që ta njohin. Lobim që Rama ka deklaruar se do ta bëjë dhe në Strasburg dhe ku t’i jepet mundësia.
Ndoshta gjithkush mundtë “hante thonjtë” për mënyrën e artikulimit të Ramës, në pamundësi për ta arritur vetë këtë nivel, por ama duhej përshëndetur sëpaku. Ka qënë e pavend sjellja korridoreve të selisë së OKB kot nga ana e Vjosa Osmanit, e cila mundi të siguronte vetëm një intervistë në VOA dhe në vend që ta përshëndeste sëpaku kreun e qeverisë shqiptare për këtë mbrojtje që i bëri shtetit që ajo kryeson, u kap sërish me Ballkanin e Hapur, të mbështetur faktikisht dhe nga SHBA dhe të akuzonte Ramën se “i shpëtoi fytyrën Serbisë”.
Asnjë mendje normale me një minimum përvoje politike nuk mund ta imagjinonte një gjë të tillë. Madje as heshtjen stoike të liderëve të tjerë të Kosovës, në mazhorancë apo opozitë qofshin. Vetëm një mendje e “betonuar” përjetësisht kundër kundërshtarëve politikë, që i cilëson armiq, mund të orientojë artikulime të tilla si ai i Vjosa Osmanit. Apo heshtjen e gjithë lidershipit kosovar, të dështuar me vullnet të plotë në politikën e Jashtme.
Dhe për shkak të këtij dështimi, shohin si në një planet tjetër, mënyrën se si lobon dhe mbron Edi Rama shtetin më të ri shqiptar në Europë. Ndoshta mendojnë se çfarë përfiton kreu i qeverisë shqiptare nga ky angazhim për të zhbërë akuzat ndaj ish komnandatëve të UÇK, ose janë të zënë me llogariotë e brendshme politike. Se si u del hesapi me Thaçin e të tjerët të lirë.
Po si me komandë kanë heshtur dhe “patriotët” e rrjeteve sociale, që nuk lënë asgjë të “bjerë në tokë”. Të cilët përdorën politikisht dhe një diversion banal dhe pa pretendime se mund të “kapet” ndokush, të ministrit të Jashtëm rus Lavrov, që deklaroi se “Open Balkan” mbështetet dhe nga Moska. Kaq deshën, dhe pavarësisht se pjesa më e madhe mbajnë pasaportën serbe për të lëvizur, apo kanë njerëzit e gruas në Beograd, nuk rreshëtn së anatemuari.
Ndërsa në Tiranë, i përhershmi dhe ndoshta i papërsëritshmi Sali Berisha vazhdon akuzat ndaj Ramës, për shitje të interesave të Kosovës. Ai nuk ndryshon, dhe këtë e dinë të gjithë, ka 32 vite që është ngulur si “gozhda e Nastradinit” në politikën shqiptare dhe nuk ikën. Madje dhe kur dorëhiqet nga kryetar i PD, bën sikur ikën dhe rri “prapa perdes” dhe udhëzon pasardhësin, siç bëri me Lulzim Bashën, derisa e degradoi dhe në fund e dëboi nga partia. Për t’u rikthyer, sikurse mund të kthehet një xhaketë mbrapsht!
Këta janë “xhagajdurët” e aksit Tiranë-Prishtinë, të cilët tentojnë të përfitojnë politikisht nga gjithçka. Qoftë dhe duke sulmuar njerëzit që mbrojnë shtetin e Kosovës nga baltosja. Me sa duket thënia e Konicës se “armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët” do të vijojë gjatë të të jetë aktuale në tërë hapësirën shqiptare. E dhimbshme por e vërtetë.
Bravo Jakim.
Nuk ju ke lënë gjë mangut.
Antishqiptarëve.