Kryeministri Edi Rama i ka konsideruar zgjedhjet e 14 majit si një kthesë të madhe të vendit dhe një zgjedhje për të mos u kthyer më kurrë mbrapa.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të kandidatit të PS për Malësinë e Madhe, Rama akuzoi kundërshtarët se po nxisin përçarje fetare.
“Shqipëria gjendet në një kthesë të madhe, dhe e ka të domosdoshme të ecë përpara dhe të mos kthehet kurrë më mbrapa. Kjo zonë e Shqipërisë ka nxjerrë shumë figura të historisë, figura të komuniteti katolik, mysliman, por unë nuk njoh asnjë prej tyre që t’i ketë fryrë përçarjes fetare, përkundrazi prej tyre kam mësuar se shqiptarët janë një dhe se katolikët e myslimanët, në radhë të parë janë shqiptarë, pastaj janë katolikë e myslimanë. Meqenëse hyri në mes falja e hoxhës, e solla këtë. Shqipëria kurrë s’ka qenë me e respektuar në sytë e botës. Nuk ka qenë më e barabartë në tryezë me më të mëdhenjtë e botës”, tha ai.
Në të njëjtën kohë ai ka risjellë në vëmendje arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, për të cilat shprehet se nuk do të mund të arriheshin kurrë nga kundërshtarët.
Rama kërkoi votëbesim të qytetarëve për një tjetër mandat të Tonin Marinajt në krye të Bashkisë së Malësisë së Madhe duke theksuar se dhe veriu i vendit ka të njëjtën vëmendje nga qeveria njësoj si jugu.
/a.r











