Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministri, Edi Rama, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të shtëpisë së restauruar të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, që përkon dhe me 80-vjetorin e tij.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deputetë të qarkut të Gjirokastrës, kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami etj.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, vlerësoi figurën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, duke e cilësuar si përfaqësues të denjë të kulturës së kombit tonë dhe të identitetit europian të tij.
“Dua të falënderoj shumë Ministrinë e Kulturës, qeverinë, bashkinë e Gjirokastrës për këtë përkushtim që kanë treguar dhe që më në fund kanë sjellë një institucion kaq të rëndësishëm kulturor, që nuk është vetëm gjirokastrit, që nuk është vetëm shqiptar, por është evropian, është ndërkombëtar dhe që do t’i japë një dimension tjetër edhe qytetit të Gjirokastrës. Sa i takon kësaj dite të rëndësishme, këtij momenti të rëndësishëm, mund të them se të gjithë ndihemi krenare, sepse Kadare përfaqëson kulturën e kombit tonë, identitetin tij europian dhe natyrisht që kjo është shumë e rëndësishme, sidomos në këto momente për vendit tonë dhe për kombin tonë. Kështu që i uroj mbarësi, suksese dhe jetë të gjatë e të pafundme”, tha Meta.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Pikërisht në harkun kohor të ditëlindjes së Ismailit, ne jemi sigurisht të kënaqur që mundëm falë punës këmbëngulëse të ministres dhe të kryetares së Bashkisë të çelin dyert e kësaj shtëpie me rëndësi të madhe për kujtesën historike të Gjirokastrës, por edhe të vetë kombit shqiptar. Por, do të vazhdojmë me fazën tjetër, sepse shtëpia ka nevojë që të popullohet me librat e Ismailit, me dorëshkrime dhe sende personale që jam i bindur do të na i japë, edhe pse si gjirokastrit, do të na i japë me pikatore, pak nga pak. Dhe kështu për të pasur brenda mureve të shtëpisë gjithë botën letrare të Ismailit. Shtëpia të mos jetë thjesht një muze, por të jetë një mjedis i gjallë që të rrijë hapur, të tërheqë njerëz jo vetëm për ta vizituar, por edhe për të studiuar dhe për të lexuar. Është një sfidë më vete të marrësh fjalën kur ke parasysh që po flet për njeriun që me fjalën shqipe ndërtoi një muze të tërë monumentesh të letërsisë, jo vetëm shqiptare, por dhe të letërsisë botërore”.
Ministrja e Kulturës, Kumbaro, tha se shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare do të kthehet në një qendër kulturore. “Në fakt shtëpinë ia ka dhuruar shumë bujarisht Ministrisë së Kulturës për ta ndarë atë me të gjithë, jo vetëm me Gjirokastrën. Ishte një shtëpi, e cila në vitin 2000 u dogj dhe me kontributin e UNESCO-s dhe të shtetit u rindërtua”, tha Kumbaro.
Kryetarja e bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, shprehu mirënjohjen për shkrimtarin e njohur gjerësisht.









