Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama tha se sjellja e opozitës për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi nuk ka më asnjë kuptim. Vetëm se nuk e pranon publikisht, është shprehur Rama, por ajo nuk e dëshiron reformën, pasi u trembet vjedhjeve që ka bërë kur ishte në pushtet.
Kryeministri Edi Rama, nga mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar socialist, është ndalur gjatë në reformën në drejtësi dhe kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore. Një burim nga mbledhja i tha Top Channel se Rama e quajti sjelljen me opozitën si tejet luajale për dekriminalizimin dhe se kjo nuk ka më kuptim, “shto miell e shto ujë”.
Rama ka lënë të kuptohet se dekriminalizimi, përfshi kërkesën për komisionet hetimore, tashmë janë një histori e mbyllur. Për reformën në drejtësi, Rama citohet të ketë deklaruar: “Opozita po e tregon qartë se nuk e do këtë reformë dhe vetëm sa nuk është duke e thënë me zë një gjë të tillë. Po gjen gjithëçfarë sebepesh duke vendosur kushte për mos ta votuar. Nuk e duan reformën se kanë hallin e zullumeve gjatë qeverisjes së tyre”.
Kryesocialisti është ndalur edhe në referendumin e 9 prillit, duke e quajtur një proces të rëndësishëm dhe demokratik për Partinë Socialiste: “Krahas antarësisë së vjetër, është me rëndësi që më të rinjtë në PS të votojnë, duke dëshmuar një pjesëmarrje të lartë”.