Marrëdhëniet e sotme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë janë më të mirat e mundshme. Deklarata është bërë nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me Fondin Shqiptaro-Amerikan, në 20-vjetorin e krijimit të këtij të fundit.
Kryeministri tha më tej se sipëmarrjet si Fondi Shqiptaro- Amerikan janë prodhimi më i mirë që mund ti bëhet Shqipërisë përsa i përket aftësisë për të siguruar investime apo për t’i bërë të mundura zhvillimin e investimeve.
“Ndihma në demokratizimin e vendit tonë dhe zgjidhja e çështjes shqiptare të Kosovës i dedikohen më së shumti e më së pari SHBA-së. Të gjithë së bashku kemi detyrimin të ndërtojmë atë bashkëjetesë që e bën të mundur lulëzimin e të drejtave të të gjithëve. Besoj se nëse në rastin e përvjetorit të Fondit Shqiptaro- Amerikan do të kërkohej një parafrazim do t’i shkonte fjala e një sipërmarrësi amerikan, i cili thotë nuk është fjala për ide, po për ide që realizohen. Dhe Fondi Shqiptaro- Amerikan ishte dëshmia dhe mbetet dëshmia e e faktit se idetë vlejnë kur realizohen. Në Shqipëri, Fondi u bë dëshmitar i të vërtetës se është e mundur që idetë te realizohen, të investohet në mënyrë të guximshme, transparente, dhe në mënyrë të suksesshme”, tha kryeministri Rama.









