Kryeministri Edi Rama, shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe drejtuesja e qarkut Fier Belinda Balluku ka zhvilluar sot në 11 prill një takim me përfaqësues të një kompanie nga Koreja e Jugut, e cila operon në zonën e Myzeqesë.
Rama u shpreh se i vjen mirë që kjo kompani ka një sukses dhe se 2 mijë njerëz janë punësuar në këtë kompani. Kryeministri tha se synohet që në këtë kompani të punësohen 3 mijë njerëz.
“Unë e mbaj mend kur keni ardhur në Shqipëri që të ushtroni aktivitetin tuaj. Unë di se punonjësit tuaj janë të kënaqur këtu. Di që kompania kujdeset për punonjësit, duke iu dhënë edhe para për punën shtesë dhe bazohet në standarde, që duhet t’i ketë çdo kompani. Jam i sigurt se do i keni së paku 3 mijë punonjës.
Ne do të rrisim pagën minimale, e kemi bërë këtë zotim. Sot Shqipëria është në një pozitë tjetër ekonomike. Punonjësit duhet që të respektohen, duke pasur kontrata të rregullta. Sot vjetërsia në punë lexohet dhe tek paga. Indeksimi i pagës është një gjë tjetër, që e kemi futur si risi në financimin e pagave të punonjësve, po kështu rritja e pensioneve dhe me radhë të tjerat. Shqipëria synon 1.6 miliardë euro nga investimet e huaja”, u shpreh Rama.
Kompania koreano-jugore Yura Corporation Albania ka rreth 2000 punonjës, që kanë përfituar drejtpërdrejt nga rritja e pagës minimale.











