Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të gjithë ata qytetarë shqiptarë që nuk respektojnë masat e marra kundër koronavirusit se ushtria dhe policia do të përdorë forcën ndaj tyre.
Kreu i qeverisë u tregua më i ashpër se kurrë me qytetarët që nuk zbatojnë rregullat, duke thënë se nuk do të tolerohet asnjë.
“Ushtria dhe policia do përdorin forcën, ujin e deri te gazi lotsjellës, nëse është nevoja, duke parë se si një tufë të papërgjegjshmish hapërdahen lart e poshtë pa pikën e turpit. Kush se ka marrë vesh akoma se kjo është një luftë botërore, ku kemi fatkeqësinë të përballemi me një armik të tmerrshëm, do duhet ta marrë vesh me pahir. Kush më shkruan për fukarenjtë se nuk rrinë dot brenda se nuk kanë bukë, të mos bëjnë sikur shqetësohen për fukarenjtë, por ta mbledhë mendjen top, se sot nuk kërcënohemi për shkak të urisë, por për shkak të marrëzisë. Fukarenjtë nuk kanë iphone dhe nuk kanë dëngla për të shitur në rrjetet sociale.
Mos luani nga vendi, nuk do të tolerojmë më askënd. Do të përgjigjemi me të keq për disa që nuk marrin vesh. Në Itali po vdes një njeriu çdo dy minuta dhe mos më thoni boll, se nuk ndahem duke iu treguar se cfarë katastrofe na gjen nesër, po nuk e ndamë mendjen sot. Mijëra nga ju le të tërbohen fare nga veprimet e mia sot, se sa qindra e mijëra të vdekur nga ne nesër, pas dy apo tre javësh. S’ka shans mirëkuptimi për këtë dhe me këta ka vetëm forcë ligjore e policore deri në fund. Kroatët do bëjnë spital dhe stadiumin. Imagjinoni sikur edhe ne të përdorim “Air Albania” vetëm për disa të pabindur”, tha Rama. /e.s/











