Kryeministri Edi Rama pati një prononcim për mediat këtë të mërkurë pas mbledhjes së Kryesisë. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk do të ketë ndryshime në qeveri. Po ashtu ai u shpreh se përfaqësuesit e grupit parlamentar dhe Kryesisë do të japin një opinion të fshehtë për emrin e Presidentit të ri të Republikës.
“Ndryshime në kabinet nuk ka arsye që të ketë. Sot kemi bërë këtë mbledhje që ka pasur në qendër të vëmendjes kongresin e PS, i cili do të mbahet së shpejti, axhendën, temat, formën e re që do të ketë Kongresi, statuti i ri. Kemi folur edhe për vazhdimin e procesit të mbledhjes së opinioneve konfidenciale të fshehta të të gjithë përfaqësuesve të grupit parlamentar dhe Kryesisë, jo për një votim të fshehtë, por për dhënie opinionesh për kandidaten ose kandidatin e Presidentit të Republikës.
Më e rëndësishmja është që në Kongres do të paraqesim rezultatet e Këshillimit Kombëtar. Është një proces që pati një interferencë siç pati gjithë jeta jonë nga kriza e krijuar nga lufta në Ukrainë, por është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Është hera e parë që ndodh, do të vazhdojmë ta bëjmë që të nxjerrim mësime si ta bëjmë më mirë këtë detyrë. Që nga Kongresi do i tregojmë njerëzve se pse Këshillimi Kombëtar është diçka serioze dhe njerëzit do të shohin që çfarë ata kanë vendosur do të bëhet”, tha Rama.
/a.r










