Kryetari i Lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, Bilal Kasami, thotë se rivali i tij politik nga radhët e shqiptarëve, Ali Ahmeti, mund të bashkëpunojë edhe me të majtën ekstreme atje, vetëm për të ruajtur pushtetin e tij në ekzekutiv.
“Partia e zotit Ahmeti doli nga lufta apo konflikti i vitit 2001, kur shqiptarët luftuan fillimisht për shkëputje të territoreve shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që pastaj të ndryshojë në të drejta etnike të shqiptarëve. Fatkeqësisht, për 20 vite të qeverisjes së Ali Ahmetit kjo degjeneroi në pjesëmarrje në pushtet.
Për momentin ne vlerësojmë që Ahmeti mbi të gjitha ka interesin e tij që të jetë pjesë e ekzekutivit me çdo subjekt nga Maqedonia e Veriut. Fillimisht me Lidhjen Socialdemokrate, pastaj për 10 vite me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, për të vazhduar përsëri me Lidhjen Socialdemokrate”, tha Kasami në Ditarin e drekës në A2 CNN.
Kasami mungoi në takimin e zhvilluar në Tiranë mes aktorëve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe kryeministrit Edi Rama. I pyetur nëse do të takohet me Ramën, ai tha se e mirëpret këtë mundësi.
“Prandaj ne vlerësojmë që kryeministri Rama do të duhet të jetë një korrektor apo garantues i të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, për më shumë që tanimë kemi veç një platformë. Sigurisht që presim ditët në vijim që të ulemi kokë më kokë me kryeministrin Rama që t’ia paraqesim të gjitha këto zhvillime, që informatat të mos i marrë vetëm zyrtare, por edhe nga kanalet e tjera”./m.j











