“Projekti për ndërtimin e portit turistik në Sarandë është finalizuar tanine vetëm presim që kompania të organizohet dhe filloj punën”.
Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama interviste për ERTV nga Saranda ku theksoi se puna për transformimin e Sarandës vijon dhe porti i jahteve është një nga ato projektet që do sjell një komunitet tjetër të huajsh në qytetin bregdetar në jug të vendit.
“Fillimi i portit turistik në Sarandë dhe kthimi i atij gjiri, sot të braktisur në një gji ku do të mund të ankorohen edhe të parkojnë gjatë dimrit, disa qindra jahte do bëj që ekonomia përsëri të rritet”,- tha Rama.
“Vetëm nga parkimi i jahteve këtu, do ketë një komunitet të ri të huajsh, që janë ata që rrinë bashkë më jahtet që janë të shumë mirë paguar nga pronarët e jahteve që do jenë konsumatorë këtu edhe gjatë dimrit”,- tha Rama.
I pyetur mbi investimet në fshatrat e kësaj zone, Kryeministri tha se, “ka plot fshatra në Shqipëri në Sarandë e kudo që janë akoma pa rrugën, që meritojnë. Duhet të kuptojmë që nuk mund të bëhen të gjitha përnjëherë dhe është shumë e rëndësishme që çdo hap dhe çdo investim që bëjmë ta bëjmë jo vetëm në funksion të atij destinacioni, po në funksion të gjenerimit më shumë se aq”.
“Prandaj dua ta ritheksoj që gjithë vizioni dhe gjithë plani ynë në zbatim vit pas viti për infrastrukturën është bazuar te kjo, të krijojmë lidhje aty ku potenciali i të ardhurave është më i madh. Përshembull unazat bujqësore që ne kemi ndërtuar qoftë në zonën e Myzeqesë, në Korçë, Berat janë investime që lehtësojnë shumë rrugët e prodhimit dhe nga ana tjetër sjellin më shumë të ardhura dhe krijojnë më shumë mundësi për ne që të shkojmë më tutje dhe të hyjmë më thellë. Gjithmonë do kemi parasysh këtë, s’kemi mundësi t’i bëjmë të gjitha menjëherë, por ajo që bëhet ka në fokus impaktin që ajo sjell tek pjesët e tjera”,- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, duke folur për investimet e kryera nga qeveria gjatë këtyre tetë viteve, tha se janë një realitet i prekshëm që ka gjeneruar të ardhura ekonomike të konsiderueshme për komunitetin ku janë kryer.
“Besoj që, nëse unë s’do të isha këtu. Nëse nuk do të kishim mundësinë që kjo që po ndodh këtu, ta shikonin edhe të tjerë, edhe pse këtu po bëhet një punë vërtetë e madhe për një transformim që shihet me sy, rrënjësor në vijën bregdetare të Sarandës, si do ta merrnin vesh të tjerët, që kjo po ndodh? Për sa kohë që mediat s’e kanë dhënë njëherë këtë lajm, që me siguri do kenë pasur titra me shumicë të ndonjërit që i ka gjuajtur me shpullë ndonjërit andej, apo të dikujt që është përplasur me makinë. Në këtë sens turizmi im elektoral i shërben zhvillimit të turizmit”,- tha Rama.
“Nuk di të ketë vajtur ndonjë analist në Nivicë, ta ketë promovuar, ku po ndodhin gjëra të bukura, kështu me radhë dhe në vende të tjera. Më në fund, pas shumë e shumë viteve, dhe Fevziu u sensibilizua dhe falë pandemisë, se po të mos ishte pandemia, në kohën e pushimit do kishte bredhur në të gjithë globin, duke vendosur flamurët si një nga turistët më të apasionuar që ka vendi ynë, i dha mundësi shqiptarëve që përmes emisionit të tij, të shohin gjëra që nuk i kishin parë, apo gjëra që kur shfaqen në facebook-un tim personal i quajnë 3D”,- tha Rama.
“Mjafton të shikosh shifrat e ekonomisë në Vlorë dhe shifrat e ekonomisë së gjeneruar nga Lungomare në Vlorë. Mjafton të marrësh bilancet e pronarëve, apo të tregtarëve në vijën bregdetare të Vlorës, përpara Lungomares dhe pas Lungomares, shumëfishimi marramendës. Mjafton të shikosh pasurimin e njerëzve që banojnë në atë zonë, apo zonave të tjera të Vlorës ku janë bërë ndërhyrje, shumëfishimin e pasurisë si rezultat i asaj ndërhyrje, do të thotë se ajo ndërhyrje ka rritur vlerën pasurive të patundshme që zotërojnë njerëzit atje”,- shtoi Rama.
“Kjo do të ndodh dhe këtu. Këtu ka pasur rreth 4 000 persona plus të punësuar dhe rreth 1 000 të tjerë, të rinj me kontratë të përkohshme, në periudhën e fundit, flasim për 2019, sepse 2020 nuk është një moment i saktë për të bërë vlerësim për shkak të pandemisë për të kuptuar që këto transformime janë ekonomike. Nuk janë vetëm kënaqësi për të parë, por është kënaqësia për të parë, që thith njerëzit dhe vijnë e konsumojnë e paguajnë këtu”,- u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama, në këtë intervistë rrëfeu se të qenit gjithë kohës në punë është një mënyrë e tij e të jetuarit, pasi kështu përpiqet të jetë në lartësinë e jashtëzakonshme të nderit që i kanë dhënë qytetarët duke e vendosur në krye.
“Është mënyra ime e të jetuarit të politikës dhe mënyra ime për të qenë sa të mundem në lartësinë e jashtëzakonshme të nderit që më kanë bërë qytetarët duke më vendosur në krye. Më motivon, më energjizon kjo sfidë, si të jem në lartësinë e këtij nderi”,- thekson Rama.
I pyetur se lëvizjet e tij, cilësohen si turizëm elektoral nga kundërshtarë politik, Rama shprehet: “pyetje që mund ta kalojmë pa siklet. Ndërkohë që unë zhvilloj këtë turizëm, qysh se në fakt kam hyrë në zyrë, pa llogaritur pjesën përpara pa hyrë në bashki, turizmin e kisha dhe gjatë natës. Familja ime është pa mua, nuk jam afër Lindës, afër Zahos, një sakrificë, që e bëjë me kënaqësinë e të qenit i zgjedhur për të sjell ndryshime në të mirë të shumë njerëzve dhe të vendit, me aq sa unë kam dhe aq sa unë di”,- thekson Rama.
Kryeministri Rama tha se motivi që e ka mbajtur në atë detyrë, është dëshira për të lënë një kujtim të mirë. “Shtysa kryesore e imja për të rezistuar dhe për të mos u dorëzuar dhe për të mos arritur te pika ik mo varja fare se nuk duroj dot më këtu po strapacohem nga ana tjetër dëgjoj lloj lloj marrëzish, fyerjesh, përqeshjesh është kjo: “Puna e bërë gjatë kohës që merrem me këtë punë të ketë një impakt mjaftueshëm i fortë për të lënë pas një kujtim të mirë. Se çfarë do jetë fjalia e përgjithshme apo cilat do jenë gjërat specifike kjo është diçka që do t’ja lëmë kohës. Ky është i vetmi motiv”.
/a.r