Rama e rikonfirmon: Qendra e parë e vaksinimit në “Air Albania”. Falas! Të parët doktorët, mësuesit, policët në terren, të vjetrit!

Rama 3

TIRANË

Kryeministri Edi Rama iu dha shqiptarëve sot në ditën e parë të 2021 lajmin e mirë të sigurimit të 500 mijë dozave të vaksinës së Pfizer dhe Biontech kundër COVID-19.

Duke treguar dhe emrin e fushatës së vaksinimit “Shqipëria buzëqesh”, Rama tha se Ministria e Shëndetësisë ka hartuar strategjinë, programin dhe planin e kalendarizuar të procesit dhe se qendra e parë e vaksinimit do jetë në Tiranë, në stadiumin Air Albania.

“Viti që më në fund iku, me vështirësinë e vet të jashtëzakonshme ishte mundësia e madhe për t’ia lënë politikën politikës dhe për t’u bërë bashkë për fatkeqët e tërmetit dhe për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Megjithatë nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur dhe uroj që edhe të tjerët ta bëjnë, ta ndajnë politikën nga shëndeti dhe nga tërmeti dhe të kontribuojnë së paku duke e ndalur avazin e kotë të llafeve të tepërta për këto tema kaq ekzistenciale. Ndërkohë ne nuk do të humbim kohë me askënd që ka kohë për të humbur sepse sigurimi i vaksinës papritur që të kujtohej BE-ja për ne, ishte një sfidë marramendëse, por nuk është një sfidë e lehtë, përkundrazi as menaxhimi i procesit të vaksinimit. Me ç’po shohim e ç’po dëgjojmë dhe prej vendeve më të zhvilluara kjo është një sfidë e madhe më vete. Mund t’ju them se jemi mirëpërgatitur që ta ngremë në kohë infrastrukturën e vaksinimit për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka hartuar strategjinë, programin dhe planin e kalendarizuar të procesit. Po ashtu ka nisur punë prej disa javësh me projektet e qendrave të vaksinimit në Shqipëri, qendra e parë do të jetë ajo e Tiranës në stadiumin “Air Albania”, ku brenda pak ditësh gjithçka do të jetë gati me një mjedis vaksinimi me standardet më të mira tekniko-profesionale për të mirëpritur grupet përfituese sipas planit të jetësimit të fushatës së vaksinimit “Shqipëria buzëqesh”. “Shqipëria buzëqesh do të jetë motoja e kësaj fushate shtetërore dhe njerëzore falë së cilës do t’i kthejmë këtë vit Shqipërisë buzëqeshjen e marrë peng vitin e shkuar nga armiku i padukshëm”, deklaroi kreu i qeverisë.

Ai tha se vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, por padyshim vaksina është e këshillueshme për të gjithë në këtë luftë të madhe, të gjatë dhe të stërmundimshme, për familjet, shoqërinë, shtetin.

“Siç e kemi thënë, bazuar dhe në praktikën e përgjithshme ndërkombëtare vaksinimi do të nisë në fillim me bluzat e bardha, pastaj mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe në moshat madhore mbi 75 vjeç. Në vijim do të vazhdohet me grafikun e përgatitur në ulje drejt moshave më të reja.

Jam tejet i lehtësuar sot pas këtij dakordësimi të marrëveshjes për vaksinën, më në fund kam mundur të fle pak, pas mesnatës dhe pse ishte nata kur të rriturit rrinë zakonisht zgjuar deri në mëngjes dhe jam i lumtur që munda tua jap sot në ditën e parë të Vitit të Ri këtë lajm të gëzueshëm të pajisjes së Shqipërisë me armatimin që do të asgjësojë armikun e padukshëm.
Qoftë ky oguri fantastik i një viti të buzëqeshur të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe prova shembullore e faktit se më të keqen e kemi hedhur pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara nesh”, uroi kreu i qeverisë.

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com