Kryeministri Edi Rama artikuloi vullnetin e qeverisë duke thënë se pala shqiptare do të kërkojë një hetim penal me ekspertizë ndërkombëtare në lidhje me cështjen e CEZ, duke nisur që nga mënyra e Privatizimit të sektorit nga ana e qeverisjes së djathtë. Në konferencën për 1 vjetorin e nisjes së aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike, Rama theksoi se marëveshja me CEZ, nga ana e qeverisë shqiptare, po sulmohet nga personat e gabuar, nga ata njerëz që deri dje abuzuan në mënyrën më të skajshme me të gjithë sektorin e energjisë . Sipas Kryeministrit “Nuk ka një krizë energjitike, por një krizë të injorancës”, që për Ramën ka qenë e mishëruar në qeverisjen e Partisë Demokratike dhe sjelljen e saj me sektorin.
“Ajo marrëveshje, që sot sulmohet në mënyrë të orkestruar për arsye që ne e dimë shumë mirë dhe jam i bindur që koha do ta provojë këtë, të shtyrë nga frika legjitime e atyre që duhet të përgjigjen për atë që i bënë sektorit energjitik, është një marrëveshje e negociuar jo në kulisa, as në zyrën e Kryeministrit, si pazaret e faktuara me dokumenta, që do të jenë pjesë e hetimit penal që ne do të kërkojmë me mbështetjen e ekspertizës ndërkombëtare, por u negociua në Vjenë me pjesëmarrjen e 15 personave nga qeveria shqiptare dhe me seanca të regjistruara”- theksoi Kryeministri Rama.