Edi Rama dhe Ilir Meta janë takuar sot në zyrën e Metës në kryesinë e Kuvendit, në një takim kokë më kokë që ka zgjatur fiks 1 orë. Takimi nisi që prej orës 10.00 mes Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit. Nuk ka e nuk pritet të ketë asnjë njoftim për përmbajtjen e bisedimeve, të cilat në çdo rast po shihen me shumë kuriozitet.
Sidomos për shkak të situatës së paqartë të prodhuar mes dy njerëzve që drejtojnë sot vendin. Në dritëhijet e shumta të marrëdhënieve mes tyre, ditët e fundit është shtuar dhe një tjetër: qëndrimi i ndryshëm që duhet mbajtur ndaj ndryshimeve të mundshme në qeveri. Rama i ka refuzuar ato me justifikimin se i gjithë kabineti meriton besimin e tij dhe se ministrat janë në detyrë, kurse Meta ka folur për nevojën e impulseve të reja në qeverisje. I pari nuk e ka përmendur asnjëherë këtë fakt, kurse i dyti është kujdesur që çdo herë që është folur për këtë temë, të përmendë se është e drejta dhe detyrimi kushtetues i kryeministrit për të bërë lëvizje të mundshme në qeveri.
Në media kanë qarkulluar herë pas here lista me emra të “projektuar” për t’u lëvizur, por më shumë se të vërteta, ato kanë qenë qëndrime logjike të medias më pranë qeverisjes nga njëra anë dhe “pilotime” diversante të medias më pranë opozitës nga ana tjetër.
Nëse e enjtja nisi të quhet me të qeshur serioze dita e Doktorit për shkak të ujvarave të pafundme të fjalimeve, replikave dhe ndërhyrjeve nga vendi të zotit Berisha në Parlament, e mërkura kishte emër tjetër dhe natyrisht natyrë tjetër. Ka qenë dita e takimit të përjavshëm mes Ramës e Metës në zyrat e kryesisë së Kuvendit, një takim që ishte shndërruar pothuaj në një ritual. Ai u ndërpre me mbylljen e punimeve të sesionit të shkuar të parlamentit dhe duket se po rinis sërish mbas verës së nxehtë të lënë pas. Por kësaj here është sesioni i dimrit që zgjat deri në fund të vitit. Siç thotë Kushtetuta.