Kur bien këmbanat, zilet mezi dëgjohen. Dhe kur të gjithë e kishin mendjen se çfarë do të ndodhte në vizitën e kryeministrit serb në Tiranë, pakkush vuri re një mungesë tjetër të rëndësishme në Tiranë. Fatmirësisht të përkohshme. Një defekt në avion shtyu vizitën e planifikuar për në Tiranë të kryeministrit maqedon Gruevski. Të paktën kështu u tha zyrtarisht.
Nuk ka asnjë rast tjetër që dy kryeministra sllavë të jenë në të njëjtën kohë në Tiranë. Por është absolutisht e para herë që tre kryeministra të rajonit, dy sllavët dhe Edi Rama të jenë në të njëjtin mendim, së paku për shpejtësinë e integrimit të Ballkanit në Evropë. Të tre ata folën sot për lodhje të dyanshme, edhe evropiane, edhe ballkanike për integrimin. Mjekësia moderne e konsideron sot lodhjen si një sëmundje. Njëlloj si avioni maqedonas i “lodhur” dje që nuk donte të fluturonte për në Tiranë. Njëlloj siç ka qenë dhe “gripi” diplomatik në më shumë se një pafundësi rastesh në diplomacinë ndërkombëtare ndër vite. Problemi në rastin e lodhjes evropiano-balkanike është se ilaçin e kanë në dorë vetë pacientët. Ndër të dy, ama, vetëm njëri është doktori. Dhe këtë e di edhe Rama, edhe dy homologët e tij sllavë që i trokasin në derë dhe përballë derës së mbyllur të “doktorit”, ikin për t’u rikthyer sërish, por veç e veç.









