Protesta e shoferëve të kamionëve kundër çmimeve të larta të karburantit ka paralizuar prej ditësh një pjesë të madhe të transportit në Italinë e Jugut, duke shkaktuar mungesa produktesh në supermarkete dhe rritje të çmimeve.
Nga Kampania në Siçili, Kalabri dhe Pulia, bllokimet e rrugëve kanë penguar furnizimin me fruta, perime dhe produkte të tjera ushqimore. Në disa zona raportohen mungesa të mishit, qumështit, miellit, ujit dhe makaronave. Vështirësi po hasin edhe fermat, ku prodhimet e grumbulluara nuk arrijnë të transportohen drejt pikave të shitjes.
Sipas vlerësimeve të Confcommercio, pesë ditë ndërprerje në Siçili kanë shkaktuar dëme prej 40–50 milionë eurosh për rrjetet e tregtimit dhe sektorin e produkteve të freskëta. Shqetësime ka edhe për furnizimin me ilaçe dhe pajisje elektroshtëpiake.
Ndërkohë, çmimet e disa produkteve kanë shënuar rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave të cituara nga mediat italiane, çmimi me shumicë i domateve të caktuara nga Siçilia është trefishuar krahasuar me një vit më parë.
Domatet kanë shkuar nga 2.50 € në 6 € për kilogram në 12 muaj, dhe radikioja e kuqe tani shitet me shumicë për 4.40 € në vend të 1.80 € (+144.4%). Produkte të ndryshme, nga specat te patëllxhanët e deri te rrushi i tryezës – po fillojnë të mbarojnë edhe në kryeqytet.
Për të përballuar mungesat, disa produkte po importohen nga vende të tjera, përfshirë Shqipërinë dhe Spanjën.
Domatet shqiptare kushtojnë 2 € për kilogram, specat spanjollë 3.80 €. Por në sasi që vështirë se mund ta zëvendësojnë humnerën e krijuar nga bllokadat.
Transportuesit kërkojnë rritjen me 15% të tarifave të transportit për të kompensuar kostot, veçanërisht ato të naftës. Qeveria italiane po shqyrton masa financiare për sektorin, ndërsa të martën pritet një takim mes ministrit të Transportit, Matteo Salvini, dhe përfaqësuesve të transportuesve.
Protestat vijojnë në disa zona të vendit, ku kamionët janë vendosur në akse kryesore rrugore, ndërsa automjetet private lejohen të qarkullojnë. (A2 Televizion)











