Nga Christophe Châtelot – Le Monde
Horizonti i A. B. – një kosovar shqiptar që ëndërronte aventurën e luftës së shenjtë në Siri – është ngushtuar papritmas. Qe disa muaj, universi i tij kufizohet me banesën modeste familjare të një ish-ndërtese të Armatës jugosllave të vendosur në një fshat të trishtë afër kufirit maqedonas. Djaloshi 28-vjeçar mendon vetëm zi. Më zi edhe se flamuri i xhihadistëve me të cilët ishte bashkuar afër Alepit në dimrin 2013-2014. Ai është në arrest shtëpiak, në pritje të procesit gjyqësor, që do të nisë në fillim të vitit 2016. “Besoja se po bëja diçka të pastër e të drejtë. Sot unë jam i shënjuar si me vulë: terrorist, edhe nëse nuk jam dot ai”, thotë djaloshi me fytyrën ende adoleshente përplot tufa qimesh të mjekrës bionde. “Nesër nuk do të mund të zë dashnore. Nuk ka femër për terrorist”, thotë ai me një buzëqeshje të shtirur. Problemet dashurore të A.B. nuk janë asgjë krahasuar me numrin e ditëve që do të mund t’i kalojë pas hekurave shumë shpejt.
Në verën e vitit 2014 – “me gjasë e alarmuar nga shërbimet informative amerikane të shqetësuara me pasivitetin e autoriteteve kosovare”, pëshpërit një person i afërt me dosjen – polica vendore nisi një goditje të gjerë të qarqeve islamike të këtij vendi të vogël që e fitoi pavarësinë ndaj Serbisë në vitin 2008 falë avionëve të NATO-s dhe të mbështetjes politike të Bashkimit Europian. Një shtet i ri i banuar me 95 për qind nga shqiptarët, të cilët kërkojnë, shumica, “një traditë myslimane” tolerante, e trashëguar nga periudha otomane.
Sidomos Kaçaniku dhe rrethinat e tij kanë qenë në shënjestër. Këtij qyteti me 30 mijë banorë, që shtrihet në rrugën nacionale që shpie në Maqedoni, 15 kilometra larg kufirit, i ka dalë zëri i zi qëkur Lavdrim Muhaxheri, njëri nga fëmijët e tij, tregon mizorinë e vet nëpër rrjetet sociale. Ai, në një video të postuar në maj 2015, shihet duke e bërë copë e grimë një të ri të lidhur për peme. Rreth njëzet veta janë nisur për në Siri.
“Ky është një rajon shumë i varfër, me pak arsimim dhe afër Maqedonisë, ku imamët predikojnë radikalizmin dhe ftojnë për luftë të shenjtë pa u shqetësuar”, konstaton Skënder Petreshi, hulumtues në Qendrën Kosovare të Studimeve për Siguri.
“Nuk mund të përjashtohet loja e ndyrë e Rusisë përmes Serbisë që mund t’i përdorë këto grupe për ta destabilizuar Kosovën”, shton ai.
Beogradi vërtet kurrë s’e ka gëlltitur humbjen e Kosovës, “djepit të kishës së saj ortodokse”. Sa i përket Rusisë, ajo, përtej vëllazërisë ortodokse, Ballkanin historikisht e konsideron rajon strategjik, korridor ndërmjet Evropës dhe Lindjes.
Gjatë luftës së vitit 1998-1999, të bërë nga shqiptarët e Kosovës për ta hequr qafe Serbinë, propaganda serbe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e përshkruante si një grup të rrezikshëm të islamikëve.
“Ajo nuk ka qenë kurrë luftë fetare e të ashtuquajturve “kosovarë shqiptarë myslimanë” kundër serbëve të krishterë ortodoksë”, mbrohet Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit dhe ish-shef i SHIK-ut në gjirin e UÇK-së. Një numër kuadrosh të ish-UÇK-së dikur kanë qenë të arsimuar në shkollat ateiste të diktatorit komunist shqiptar Enver Hoxha. Ai pa dyshim është në parajsë.
Në mëngjesin e hershëm të 11 gushtit 2014, A.B. u kap në vendin e tij të punës, shtatë muaj pas kthimit nga Siria. U arrestuan edhe 40 persona të tjerë, të cilët sikur edhe ai e kishin bërë atë udhëtim. Më të rrezikshmit janë ende në burg. Ai mbetet i mbyllur në shtëpinë e vet ku e përtyp “gabimin” dhe mërzinë bashkë me babanë e vet depresiv.
“Dalja ime e vetme është shkuarja te dentisti me përcjellje policore”, ofshan ai. A.B. mund të dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet burg për pjesëmarrje në vepra të paligjshme.
“Ai pa dyshim se do të dënohet, por ai mund të përfitojë pasi ka pranuar të ketë shkuar në Siri, dhe në dosje nuk kam parë asgjë që dëshmon se ai ka luftuar në organizatat e Shtetit Islamik ose në organizatën al-Nusra”, shpjegon avokatja e tij zyrtare e cila po ashtu kërkon ruajtjen e anonimitetit. “Kurrë nuk do ta kisha marrë në mbrojtje sikur të mos kisha qenë e detyruar”, rrëfehet ajo.
Flamuri i zi i Shteti Islamik, mizoritë që shpërndahen nëpër internet, nuk janë shumë të popullarizuara në Kosovë. Nga You Tube ka filluar çdo gjë.
“Kam qenë i skandalizuar nga fotot e fëmijëve sirianë të vrarë nga armata e Basharit (Asadit)”, rrëfen një djalosh. “Mendoja për luftën e Kosovës (nga viti 1998 deri në vitin 1999 kundër Serbisë). Kam filluar të shikoj në rrjetet sociale dhe unë vetë e organizova shkuarjen time”, pohon ai.
Nxënësi xhihadist megjithatë e flet vetëm gjuhën shqipe. Ndërsa vëllai i tij, një ish-luftëtar i UÇK –së, kishte udhëtuar në Siri përpara tij.
“Ai me siguri është marrë në mbrojtje nga grupet shqiptare që tashmë janë atje, sidomos Lavdrim Muhaxheri, kryeudhëheqës i kosovarëve në Siri”, sugjeron Skënder Petreshi.
A.B. mbetet i paqartë rreth rrugës së vet në Siri. Po ashtu, është vështirë të thuhet se sa kosovarë kanë shkuar atje.
Sipas Kadri Veselit, “janë rreth 300 kosovarë në Siri, disa nga të cilët kanë shkuar dhe duhet shtuar edhe nja gjashtëdhjetë që janë vrarë, nga popullsia prej 1,8 milionë banorësh”.
Kështu i ka ndodhur edhe Hetem Demës, edhe ai luftëtar. Për dallim nga A.B., përkushtimi fetar i të cilit nuk është i qartë, ky dyzetvjeçar ishte radikalizuar para shkuarjes në vitin 2014.
“Jam e lumtur për të, ai pa dyshim se është në parajsë”, thotë gruaja e tij në shtëpinë e vet në lagjen “Bob” të Kaçanikut, e mbështjellë me hixhab që e bart tash e dy vjet.
Por Kadri Veseli shqetësohet nga këto veprime të kësaj pakice.
“Sidomos pasi që ne jemi dëshmitarë të kthimit të fesë në shoqërinë shqiptare nga shkaku i varfërisë ose nga kriza e identitetit. Ç’e ardhme për të rinjtë e një vendi që mbetet i ndarë nga Evropa, qoftë me fe apo me emigrim?”, pyet edhe Linda Gucia, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Më 27 nëntor, dy javë pas atentateve të Parisit, Kadri Veseli vizitoi Medresenë e Prishtinës. Mesazhi i tij për rreth 500 nxënës ishte i dyfishtë. Riafirmimi i ndarjes së shtetit dhe i fesë në Kosovë dhe përkujtimi se “autorët e atentateve janë armiq të Zotit dhe të fesë; grupe kriminale që kërkojnë të shkatërrojnë frymën tonë të tolerancës fetare dhe të solidaritetit”.
“Askush nuk e vë në dyshim sinqeritetin e autoriteteve kosovare për të luftuar kundër radikalizmit fetar. Përkundrazi, disa kritikojnë ngadalësinë e reagimit të tyre ndaj disa fenomeneve shqetësuese”. Me këtë ai lë të kuptohet se “aktiviteti i disa OJQ-ve saudite, sidomos atyre që merren me indoktrinim fetar në petkun e veprimit humanitar”.
“Në hijen e vahabitëve ose të salafistëve kanë ardhur edhe organizata takfiriste që predikojnë dhunën”, vëren Skënder Petreshi. Fenomeni nis që nga paslufta e Kosovës.
“Këto organizata kanë shfrytëzuar zbrazëtinë e pasluftës, mungesën e shtetit për të shpërndarë vizionin e vet ekstrem dhe rigjid të fesë”, pranon Xhabir Hamiti, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Xhamitë janë ndërtuar me para të vendeve të Gjirit Persik, besimtarët janë bindur për të shkuar në to me para, ndërsa imamët janë formuar në veçanti në Egjipt e në Arabinë Saudite. E gjitha në margjina të Bashkësisë Islame të Kosovës, instancë përfaqësuese e kultit mysliman, e cila, e kapur nga vorbulla e rënies së Jugosllavisë dhe e afirmimit të nacionalizmit shqiptar, kërkonte gjurmët e veta.
“Kjo s’i bën ata terroristë”, pranon Kadri Veseli. “Por fundamentalizmi fetar bart fara të terrorizmit”, shton ai.
Një duzinë imamësh – disa nga ta përhapnin gjuhë urrejtjeje dhe ftonin për të shkuar në luftën e shenjtë në Siri, sipas Xhabir Hamitit – po ashtu kanë rënë në rrjetin e policisë në verën e vitit 2014, ndër të cilët edhe ai i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi.
“Farat e radikalizmit janë mbjellë para më shumë se dhjetë vjetësh. Që atëherë ato janë rritur e shtuar, është vështirë për t’i hequr qafesh”, përfundon sociologia Linda Gucia.
Dialog Plus