Rruga e Kombit është përfshirë nga radhë të gjata automjetesh, me trafikun që është rënduar ndjeshëm pranë mbikalimit të Rrëshenit, një prej pikave problematike të këtij aksi rrugor. Fluksi i automjeteve shtohet në momentin kur rruga ngushtohet nga katër në dy korsi, duke krijuar kolona të gjata dhe vonesa për drejtuesit e mjeteve.
Situata ndikohet edhe nga konfigurimi i segmentit Rrëshen–Milot, i cili ka vetëm dy korsi lëvizjeje me kahe të kundërta, ndërsa pjesa tjetër e Rrugës së Kombit, nga Rrësheni në drejtim të Morinës, është e ndërtuar me katër korsi. Fluksi më i madh i automjeteve raportohet në drejtim të Tiranës. Një ndër faktorët që ka ndikuar në rëndimin e trafikut janë edhe lëvizjet e shumta të diasporës, e cila pas qëndrimit në vendet e rajonit po rikthehet drejt vendeve europiane ku jeton dhe punon.
Pavarësisht trafikut të rënduar, në këtë pikë të rëndësishme të qarkullimit nuk është konstatuar prani e patrullave të Policisë Rrugore për menaxhimin e fluksit dhe lehtësimin e lëvizjes së automjeteve. Kolonat kanë shkaktuar vonesa të konsiderueshme për drejtuesit e mjeteve, ndërsa situata nxjerr në pah edhe një herë problematikën e këtij segmenti të Rrugës së Kombit, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të lartë lëvizjesh.











