Grupi italian i energjisë Eni ka nënshkruar të hënën kontrata me vlerë deri në 1.8 miliardë dollarë (1.61 miliardë euro) për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e fushës së gazit natyror Kronos, e vendosur brenda Zonës Ekonomike Ekskluzive (ZEE) të Qipros.
Projekti do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë franceze TotalEnergies, me të cilën Eni synon të zhvillojë burimet e gazit natyror në këtë zonë. Plani parashikon që gazi qipriot të transportohet përmes Egjiptit, për t’u eksportuar më pas drejt tregjeve ndërkombëtare, përfshirë Evropën.
Sipas planifikimeve aktuale, prodhimi i gazit nga fusha Kronos pritet të nisë në vitin 2028, duke hapur rrugën për shfrytëzimin komercial të burimeve natyrore të Qipros.
Marrëveshjet përbëjnë një hap të rëndësishëm për strategjinë energjetike të vendit, i cili synon të forcojë pozicionin e tij në sektorin e energjisë në Mesdheun Lindor. Zhvillimi i fushës pritet të kontribuojë gjithashtu në diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz natyror për Evropën.
Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, priti në Pallatin Presidencial një delegacion të kompanisë Eni, të kryesuar nga Guido Brusco, drejtor operacional i Burimeve Natyrore Globale të grupit. Pas takimit u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të kontratave, të cilat përfshijnë projektimin, prokurimin e pajisjeve, ndërtimin dhe instalimin e infrastrukturës së nevojshme për zhvillimin e fushës së gazit.
Në një deklaratë me shkrim, presidenti Christodoulides e cilësoi marrëveshjen si një sinjal të rëndësishëm për perspektivat energjetike të vendit.
“Nënshkrimi i kontratave me vlerë deri në 1.8 miliardë dollarë për zhvillimin e fushës ‘Kronos’, dhe si rrjedhojë shfrytëzimin e parë komercial të gazit natyror qipriot, përbën një votë të fortë besimi në perspektivat energjetike të vendit tonë, me rëndësi të veçantë gjeopolitike dhe ekonomike”, deklaroi Christodoulides.
Zhvillimi i fushës Kronos shihet si pjesë e përpjekjeve të Qipros për të shndërruar rezervat e saj të gazit natyror në një burim ekonomik dhe për të rritur rolin e vendit në furnizimin energjetik të rajonit dhe të Evropës.
The post Qiproja nënshkruan një marrëveshje prej 1.8 miliardë dollarë për zhvillimin e gazit appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë











