Këshilli i Ministrave, për herë të dytë brenda këtij viti, ka shkurtuar me rreth 20 milionë dollarë shpenzimet e institucioneve qendrore, kjo për shkak të mosrealizimit të të ardhurave. Kështu shpenzimet reduktohen nga 266,6 miliardë lekë në 264,1 mld lekë.
Reduktimet më të mëdha janë në Ministrinë e Financave, shpenzimet e së cilës ranë me 5 milionë dollarë, të pasuar nga Ministria e Ekonomisë, shpenzimet e së cilës u tkurrën me 4 milionë dollarë.
Edhe Kryeministria ka tkurrur shpenzimet e saj me rreth 100 milionë lekë, ndërsa një shpenzim prej rreth 1 milionë dollarësh është shkëputur nga Ministritë e Arsimit, Shëndetësisë, Drejtësisë, Punëve të Jashtme, të Brendshme e disa institucioneve të tjera qendrore.
Në korrik të këtij viti, shpenzimet dhe të ardhurat e buxhetit të shtetit u shkurtuan me 16.2 miliardë lekë me synimin për të mbajtur defiçitin të pandryshuar në 58.2 miliardë lekë për këtë vit. Shkurtimi ishte i barabartë me 3.9 për qind të të ardhurave dhe 3.4 për qind të shpenzimeve.