Qeveria ka vendosur që të shpërblejë me nga një milionë lekë të vjetra njerëzit e organeve të Vetingut, të cilët do të skanojnë rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë, për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale, duke përjashtuar nga drejtësia e re çdo prokuror apo gjyqtar që nuk kalon njërin nga tre testet. Vendimi është marrë në datën 30 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, por në Fletoren Zyrtare është botuar ditën e djeshme.
Në vjeshtën e vitit të kaluar, mazhoranca dhe opozita u përfshinë në një debat të ethshëm për trajtimin financiar dhe mbështetjen me staf të organeve të Vetingut. Opozita akuzoi mazhorancën se po shkurtonte stafin me qëllim për të sabotuar punën e organeve të Vetingut. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve” dhe të nenit 11, të ligjit nr. 130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, vendosi: 1.
Në fund të pikës 9, të vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje: “Përjashtimisht për vitin 2017, Komisionerëve të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerëve Publikë dhe Gjyqtarëve të Kolegjit të Pavarur të Apelimit, u jepet një shpërblim, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë. Fondi prej 2 100 000 (dy milionë e njëqind mijë) lekësh përballohet nga fondi i veçantë i papërdorur nga ministritë dhe institucionet qendrore, për vitin 2017.
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e rivlerësimit për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim. Ndërkaq, qeveria ‘Rama 2’, ka deklaruar se do të mbështesë organet e Vetingut si nga ana financiare, ashtu edhe infrastrukturore. “Qeveria shqiptare, ashtu siç ka premtuar se do të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në aspektin buxhetor dhe atë infrastrukturor, me vendimin e sotëm konfirmoi edhe njëherë angazhimin e saj serioz.
Mbështetja nga ana e qeverisë për sa i përket buxhetit është një detyrim sa kushtetues edhe ligjor, aq sa edhe shprehja e një vullneti të plotë për rritjen e pagesës me 50% më shumë. Qeveria shqiptare është shumë e interesuar që procesi i Vetting-ut të nisi sa më parë. Proces për të cilin u punua gjatë për ta dizajnuar dhe për ta miratuar. Proces nga i cili mezi pritet edhe nga qytetarët, që të jap rezultatet e tij të para. Qeveria për një periudhë tepër të shkurtër arriti të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme, pavarësisht vështirësive ligjore dhe atyre financiare. Por tani mbetet të tregohet nga vetë organet e Vetting-ut vullneti dhe angazhimi për fillimin e këtij procesi”, ka deklaruar qeveria, disa javë më parë.
Llogaritja e pagës
Paga bazë e anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve Publikë është sa paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kalojnë procesin e Vetingut. Gjyqtari i Kolegjit të Apelimit do ta ketë pagën sa anëtari i Gjykatës së Lartë, i cili kalon procesin e Vetingut. Konkretisht, paga bazë e anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve do të jetë 3 milionë lekë të vjetra në muaj, ndërsa e gjyqtarëve të Kolegjit të Apelimit do të jetë rreth 4 milionë lekë të vjetra. Por, pika 4 e nenit 29 të ligjit të Vetingut parashikon që anëtarët e institucioneve të Vetingut përfitojnë një pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësisë. Pra, me këtë pikë, paga e anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve Publikë shkon automatikisht në 6 milionë lekë, ndërsa e anëtarëve të Kolegjit të Apelimit 8 milionë lekë.
Shpërblimi
Qeveria ka vendosur që të shpërblejë me nga një milionë lekë të vjetra njerëzit e organeve të Vetingut, të cilët do të skanojnë rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë.
Llogaritja
Paga bazë e anëtarëve të Komisionit të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve Publikë është sa paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kalojnë procesin e Vetingut, plus një pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësisë.
Vetingu, komisioni kërkon prova nga qytetarët
Gjatë muajve të fundit të vitit 2017 dhe ditëve të para të vitit 2018, në zyrat e organeve të Vetingut janë depozituar 364 ankesa nga qytetarët, për korrupsionin dhe vendimet sipas tyre të padrejta të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se nuk janë depozituar nga qytetarët prova dhe fakte konkrete lidhur me subjektet që do të rivlerësohen në bazë të tri kritereve të parashikuara në ligj. Në këtë kuadër, KPK fton qytetarët që ankesat t’i shoqërojnë me fotografi dhe të dhëna të tjera.
“Qytetarët kanë paraqitur të njëjtat argumente me të cilat janë mbrojtur edhe në gjykatë, ose kanë dorëzuar thjesht vendimet e gjykatave. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit inkurajon qytetarët që çdo informacion të vlefshëm që mund të kenë (fotografi, dokumente e të dhëna të tjera), ta ndajnë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe të kontribuojnë në këtë proces jetik për vendin”, pohon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Komisioni i Vetingut përzgjedh stafin mbështetës
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi kryesor i Vetingut, në datën 3 janar 2018, ka përzgjedhur 16 këshilltarët ligjorë dhe ekonomistë, të cilët do të shqyrtojnë dhe përgatisin dosjet për rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë, për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e papërshtatshme me krimin dhe aftësitë profesionale. Për pozicionin “Këshilltar ligjor” aplikuan 201 kandidatë, prej të cilëve 57 u skualifikuan për mosplotësim të kritereve formale. Janë intervistuar 144 kandidatë që plotësonin këto kritere.
Komiteti ad hoc, i ngritur posaçërisht për këtë proces, nga 144 kandidatët, ka përzgjedhur si fitues emrat: Anola Xhuli, Arben Jorgaqi, Denata Stoja, Ermir Mema, Fiona Zaçaj, Genard Dylqeshi, Gentian Mete, Iglon Peçi, Insidor Rexhepi, Joana Asimi, Klodjana Theodhosi dhe Lola Prendi. Për pozicionin “këshilltar ekonomik” aplikuan 50 kandidatë, prej të cilëve 13 u skualifikuan për mosplotësim të kritereve formale. Ndërkaq, janë intervistuar 37 kandidatë, nga të cilët u përzgjodhën 4 fituesit: Bukurije Memisha, Irida Jaho, Mirela Kastrati dhe Saimir Emini.
Vetingu hap dosjen e kryeprokurores Arta Marku
Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku po i nënshtrohen procesit të Vetingut. Zonja Marku është pjesë e një liste, e zbardhur nga Shqiptarja.com, me 57 prokurorët dhe gjyqtarët e parë që po kontrollohen. Kontrolli i zonjës Marku nuk ka lidhje me pretendimin e opozitës për kalimin e Vetingun dhe as me detyrën e saj të re, por po kontrollohet si kandidate për anëtare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Në listë, zonja nuk referohet si kryeprokurore, por si prokurore në Shkodër dhe kandidate e KLP. Ditët e fundit është mësuar se zonja Marku është dorëhequr si kandidate për KLP, por tashmë zonja mund të kontrollohet në cilësinë e kryeprokurores. Përpos kryeprokurores së re të përkohshme Arta Marku, pjesë e listës është edhe paraardhësi i saj, Adriatik Llalla, për të cilin opozita kërkoi që të qëndronte në detyrë deri në vitin 2019./Shqiptarja