• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, September 2, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Qeveria miraton rregullat e reja për dëmet në mjedis, përcaktohen kriteret dhe aktivitetet me rrezik të lartë

by A R
02/09/2026 19:53
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime të reja që përcaktojnë kriteret për vlerësimin e dëmeve në mjedis, masat parandaluese dhe rehabilituese, si dhe listën e veprimtarive që konsiderohen me rrezik për mjedisin.

Vendimet, të miratuara në mbështetje të ligjit për mbrojtjen e mjedisit, i japin kompetenca të rëndësishme Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) për identifikimin, vlerësimin dhe dokumentimin e kërcënimeve dhe dëmeve mjedisore.

Si do të përcaktohet dëmi në mjedis

Sipas rregullave të reja, dëm mjedisor konsiderohet çdo ndryshim negativ i matshëm në një burim natyror ose çdo cenim i matshëm i shërbimeve që ofron ai burim.

Në mënyrë specifike, kuadri i ri përfshin:

Dëmtimin e llojeve të mbrojtura dhe habitateve natyrore, kur ndikimi është i konsiderueshëm dhe cenon statusin e favorshëm të ruajtjes së tyre. Dëmtimin e ujërave, kur preket në mënyrë të konsiderueshme statusi ekologjik, kimik ose sasior i tyre, si dhe gjendja mjedisore e ujërave detare. Dëmtimin e tokës, kur ndotja krijon një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut. Vlerësimi do të bëhet në raport me gjendjen që burimet natyrore do të kishin nëse dëmi nuk do të kishte ndodhur.

Cilët faktorë do të merren parasysh

Për të përcaktuar nëse ekziston një kërcënim i menjëhershëm për dëme mjedisore, autoritetet do të vlerësojnë, ndër të tjera, natyrën dhe rrezikshmërinë e substancave ndotëse, probabilitetin e ndodhjes së dëmit, afërsinë me burimet ujore dhe zonat e mbrojtura, si dhe mundësinë e përhapjes së ndotjes.

Në vlerësim do të përfshihen gjithashtu gjendja teknike dhe niveli i sigurisë së instalimeve, përmasat dhe kohëzgjatja e dëmit, mundësia e rikuperimit natyror, rreziku për shëndetin e njeriut dhe historiku i incidenteve apo shkeljeve të lidhura me aktivitetin e operatorit.

AKM-ja do të përdorë për këtë proces të dhëna teknike, inspektime në terren, analiza laboratorike, të dhëna monitorimi dhe informacionin tjetër të nevojshëm.

Përgjegjësia dhe lidhja shkakësore

Një element i rëndësishëm i rregullave të reja është përcaktimi i lidhjes mes dëmit dhe aktivitetit të operatorit.

Për këtë qëllim, AKM-ja do të marrë në konsideratë lidhjen kohore dhe hapësinore mes aktivitetit, incidentit apo shkarkimit dhe dëmit të konstatuar, natyrën e substancave të përfshira, rrugët e përhapjes së ndotjes, rezultatet e analizave dhe ekzistencën e shkaqeve të tjera të mundshme.

Në rastet e ndotjes difuze, rregullat do të zbatohen vetëm kur mund të përcaktohet një lidhje shkakësore mes dëmit dhe veprimtarisë së operatorëve individualë.

AKM-ja do të ketë gjithashtu detyrimin të argumentojë vendimet e saj, të përcaktojë bazën faktike dhe ligjore, si dhe të informojë palët për të drejtën e ankimit dhe afatet përkatëse.

Afatet për ndërhyrjen e AKM-së

Sipas vendimit, AKM-ja duhet të njoftojë palët përkatëse brenda 10 ditëve pune për pranimin ose refuzimin e një kërkese për veprim.

Pas përcaktimit të dëmit mjedisor dhe përpara miratimit të masave rehabilituese, AKM-ja duhet t’u japë palëve dhe personave, prona e të cilëve mund të preket nga masat, mundësinë për të paraqitur vërejtjet e tyre brenda procedurës së parashikuar.

Vendimet për masat parandaluese ose rehabilituese duhet të jenë të arsyetuara dhe të përcaktojnë bazën faktike dhe ligjore mbi të cilën mbështeten.

Miratohet edhe lista e aktiviteteve të rrezikshme

Me një vendim të dytë, qeveria ka miratuar listën e veprimtarive që konsiderohen të rrezikshme për mjedisin.

Në këtë kategori përfshihen veprimtaritë ekonomike ose profesionale që, për shkak të natyrës së rrezikut, përmasave, teknologjisë ose substancave të përdorura, paraqesin rrezik të lartë për dëme mjedisore.

Sipas vendimit, aktivitetet e klasifikuara si të rrezikshme mund të shkaktojnë:

dëme ndaj burimeve natyrore; ndotje të ujërave, tokës dhe ajrit; dëmtim të biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura; rrezik për shëndetin e njeriut. Lista e plotë e veprimtarive përcaktohet në shtojcën bashkëlidhur vendimit.

Të dyja vendimet ngarkojnë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit me zbatimin e tyre dhe hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

VENDIMET:

V E N D I M PËR MIRATIMIN E KRITEREVE NË BAZË TË TË CILAVE BËHET VLERËSIMI I KËRCËNIMIT TË MUNDSHËM DHE PËRCAKTIMI I DËMIT NË MJEDIS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 50, të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Ky vendim miraton kriteret për vlerësimin e kërcënimit të menjëhershëm për dëm në mjedis dhe për përcaktimin e dëmit në mjedis, me qëllim zbatimin e masave parandaluese dhe rehabilituese, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit. Për qëllime të këtij vendimi, termat e përdorur në këtë vendim kanë kuptimin që u jepet sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këto kuptime: a) “Dëm” konsiderohet çdo ndryshim negativ i matshëm në një burim natyror ose çdo cenim i matshëm i shërbimeve të ofruara nga një burim natyror, i shkaktuar drejtpërdrejt ose tërthorazi; b) “Dëm mjedisor” konsiderohet: dëmtimi i llojeve të mbrojtura dhe i habitateve natyrore, që përfshin çdo dëm që ka ndikime të konsiderueshme negative në arritjen ose ruajtjen e statusit të favorshëm të ruajtjes së këtyre habitateve ose llojeve. Këto ndikime vlerësohen në raport me gjendjen e mëparshme, duke marrë parasysh kriteret e përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Dëmtimi i llojeve të mbrojtura dhe i habitateve natyrore nuk përfshin ndikimet negative të identifikuara paraprakisht, të cilat rrjedhin nga një veprim i operatorit, i autorizuar shprehimisht nga autoritetet kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit, habitateve dhe llojeve të mbrojtura; dëmtimi i ujërave, që përfshin çdo dëm me ndikim të konsiderueshëm negativ në statusin ekologjik, kimik ose sasior, apo në potencialin ekologjik të ujërave, në përputhje me legjislacionin në fuqi për burimet ujore, si dhe në gjendjen mjedisore të ujërave detare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit detar. Dëmtimi i ujërave nuk përfshin ndikimet negative të lejuara, në përputhje me përjashtimet e parashikuara nga legjislacioni përkatës në fuqi; iii. dëmtimi i tokës, që përfshin çdo ndotje të tokës, e cila krijon një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut, si pasojë e futjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë të substancave, preparateve, organizmave ose mikroorganizmave në, mbi ose nën tokë.

c) “Gjendje e mëparshme” konsiderohet gjendja e burimeve natyrore dhe e shërbimeve të tyre në kohën e shkaktimit të dëmit, e cila do të kishte ekzistuar nëse dëmi në mjedis nuk do të kishte ndodhur, e vlerësuar mbi bazën e informacionit më të mirë të disponueshëm; ç) “Kërcënim i menjëhershëm për dëm mjedisor” konsiderohet mundësia e mjaftueshme që një dëm i tillë të ndodhë në të ardhmen e afërt;

d) “Masa parandaluese” konsiderohen të gjitha masat e marra në përgjigje të një ngjarjeje, veprimi ose mosveprimi, që ka krijuar një kërcënim të menjëhershëm për dëm në mjedis, me qëllim parandalimin ose minimizimin e këtij dëmi; dh) “Shërbime të ofruara nga burimet natyrore” konsiderohen funksionet që kryhen nga një burim natyror, në dobi të një burimi tjetër natyror ose të publikut; e) “Veprimtari profesionale” konsiderohet çdo veprimtari e ushtruar në kuadër të një aktiviteti ekonomik ose biznesi, publik ose privat, fitimprurës ose jofitimprurës. 3.Ky vendim nuk zbatohet për dëmin në mjedis ose për kërcënimin e menjëhershëm për një dëm të tillë, kur dëmi ose kërcënimi i menjëhershëm është:

a) pasojë e një konflikti të armatosur, armiqësie, lufte civile ose kryengritjeje; b) rezultat i aktiviteteve, qëllimi kryesor i të cilave është mbrojtja kombëtare ose siguria ndërkombëtare apo i aktiviteteve, qëllimi i vetëm i të cilave është mbrojtja nga fatkeqësitë natyrore; c) pasojë e dëmeve që vijnë nga një incident, për të cilin përgjegjësia ose dëmshpërblimi bien brenda fushës së zbatimit të konventave ndërkombëtare, të ratifikuara në Republikën e Shqipërisë; ç) pasojë e rreziqeve nukleare, që rrjedhin nga veprimtari të mbuluara nga instrumentet përkatëse ndërkombëtare në fushën e energjisë bërthamore, ose nga një incident apo veprimtari për të cilin përgjegjësia ose kompensimi bien brenda fushës së zbatimit të ndonjë prej instrumenteve ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.

Zbatimi i këtij vendimi nuk cenon të drejtën e operatorit për të kufizuar përgjegjësinë e tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon kufizimin e përgjegjësisë për kërkesat detare dhe për veprimtaritë e lundrimit të brendshëm. Në rastet e ndotjes me karakter difuz, ky vendim zbatohet vetëm kur është e mundur të përcaktohet një lidhje shkakësore midis dëmit në mjedis ose kërcënimit të menjëhershëm për një dëm të tillë dhe veprimtarive të operatorëve individualë. KRITERET PËR VLERËSIMIN E KËRCËNIMIT TË MUNDSHËM DHE TË MENJËHERSHËM TË DËMIT MJEDISOR Vlerësimi i ekzistencës së një kërcënimi të menjëhershëm për dëm mjedisor bazohet në këto kritere, për aq sa janë të zbatueshme, sipas rastit: a) Natyra, sasia, përqendrimi dhe rrezikshmëria e substancave ndotëse ose e faktorëve të tjerë dëmtues; b) Probabiliteti që dëmi të ndodhë dhe afati kohor, brenda të cilit ai mund të ndodhë; c) Afërsia me burime ujore, habitate natyrore, lloje të mbrojtura, zona të mbrojtura, zona të banuara ose zona të tjera të ndjeshme mjedisore; ç) Ekzistenca e rrugëve të mundshme të përhapjes së ndotjes ose të faktorëve dëmtues në ajër, ujë, tokë, habitate ose zinxhir ushqimor;

d) Gjendja teknike, niveli i sigurisë dhe funksionimi i instalimeve, pajisjeve, proceseve ose sistemeve të kontrollit; dh) Shkalla e mundshme e dëmit, përhapja territoriale, kohëzgjatja dhe mundësia e rikuperimit natyror; e) Rreziku i mundshëm për shëndetin e njeriut; ë) Historiku i incidenteve, mosfunksionimeve, shkeljeve ose ngjarjeve të ngjashme të lidhura me veprimtarinë e operatorit.

Vlerësimi i kërcënimit të menjëhershëm për dëm në mjedis kryhet, rast pas rasti, mbi bazën e informacionit më të mirë të disponueshëm, të dhënave teknike, inspektimeve në terren, analizave laboratorike, të dhënave të monitorimit dhe çdo informacioni tjetër të nevojshëm. Agjencia Kombëtare e Mjedisit gjatë procesit të vlerësimit përcakton të paktën: a) burimin e mundshëm të kërcënimit ose të dëmit; b) veprimtarinë profesionale dhe operatorin ose operatorët e mundshëm të lidhur me këtë burim; c) burimin natyror ose shërbimin e burimit natyror që mund të preket; ç) rrugët e mundshme të përhapjes së ndotjes ose të faktorëve dëmtues;

d) mundësinë, afatin kohor dhe shkallën e ndodhjes së dëmit; dh) nevojën për masa parandaluese ose për vijimin e procedurës për përcaktimin e dëmit në mjedis, sipas rastit. Për qëllime të vlerësimit, merren në konsideratë: a) përshkrimi i ngjarjes, incidentit, veprimit ose mosveprimit, që ka krijuar kërcënimin ose dëmin; b) vendndodhja, hartat, koordinatat dhe përhapja e mundshme territoriale e ndikimit; c) të dhënat për substancat, preparatet, organizmat, mikroorganizmat ose faktorët e tjerë dëmtues; ç) lejet, autorizimet, raportet e vetëmonitorimit, raportet e inspektimit dhe të dhënat e shkarkimeve ose emetimeve;

d) rezultatet e analizave laboratorike, matjeve në terren dhe të monitorimit mjedisor; dh) të dhënat për gjendjen e mëparshme të burimeve natyrore dhe të shërbimeve të tyre; e) informacioni për llojet e mbrojtura, habitatet natyrore, ujërat, tokën dhe zonat e ndjeshme që mund të preken; ë) masat e marra ose të propozuara nga operatori për parandalimin, kufizimin ose kontrollin e dëmit.

Për përcaktimin e lidhjes shkakësore, ndërmjet dëmit në mjedis ose kërcënimit të menjëhershëm për një dëm të tillë dhe veprimtarisë së operatorit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (në vijim AKM) bazohet, ndër të tjera, në: a) lidhjen kohore ndërmjet veprimtarisë, incidentit, emetimit ose shkarkimit dhe shfaqjes së dëmit apo kërcënimit; b) lidhjen hapësinore ndërmjet burimit të mundshëm të ndotjes dhe burimit natyror të prekur; c) përputhjen ndërmjet natyrës së substancave ose faktorëve dëmtues dhe llojit të dëmit të konstatuar; ç) rrugët e mundshme të transportit ose përhapjes së ndotjes në ajër, ujë, tokë, habitate ose në zinxhirin ushqimor;

d) rezultatet e monitorimit, analizave laboratorike, modelimeve teknike ose vlerësimeve të ekspertëve; dh) ekzistencën ose mungesën e shkaqeve alternative të arsyeshme për dëmin e konstatuar. Kërkesa drejtuar AKM-së shoqërohet me informacionin dhe të dhënat përkatëse, që mbështesin vëzhgimet e paraqitura. AKM-ja, në rastin e pranimit ose refuzimit të kërkesës për veprim, njofton brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, palët përkatëse dhe jep arsyet e vendimit. Vendimi i AKM-së duhet të jetë i argumentuar dhe të mbështetet në kriteret e përcaktuara në këtë vendim. Pas përcaktimit të dëmit mjedisor dhe përpara miratimit të masave rehabilituese, AKM-ja, brenda 7 (shtatë) ditëve punë fton palët e përmendura, si dhe personat, në pronën e të cilëve do të zbatohen masat të paraqesin vëzhgimet e tyre. Këto vëzhgime merren në konsideratë gjatë vendimmarrjes. Masat e marra nga AKM-ja nuk përjashtojnë dhe nuk kufizojnë përgjegjësinë e operatorit për dëmin mjedisor. Çdo vendim i AKM-së për marrjen e masave parandaluese ose rehabilituese duhet të jetë i arsyetuar dhe të përcaktojë bazën faktike e ligjore mbi të cilën mbështetet. AKM-ja informon operatorin për të drejtën e ankimit, mjetet juridike dhe afatet përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Çdo vlerësim ose vendim i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për kërcënimin e menjëhershëm ose dëmin në mjedis përmban, së paku: a) përshkrimin e ngjarjes, veprimtarisë ose rrethanave që kanë krijuar kërcënimin ose dëmin; b) identifikimin e operatorit ose operatorëve të mundshëm, kur kjo është e mundur; c) burimin natyror ose shërbimin e burimit natyror të prekur ose që rrezikon të preket; ç) të dhënat dhe provat mbi të cilat mbështetet vlerësimi;

d) analizën e lidhjes shkakësore; dh) vlerësimin e rëndësisë së dëmit ose të mundësisë së ndodhjes së tij; e) bazën ligjore dhe faktike të vendimit; ë) masat parandaluese që kërkohen dhe, kur është e nevojshme, referimin te masat rehabilituese të propozuara ose të miratuara;

f) afatet për zbatimin e masave, kur ato përcaktohen; g) të drejtën e ankimit dhe afatet përkatëse. Vlerësimi ose vendimi dokumentohet, sipas rastit, duke u bazuar në formatin e përcaktuar në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, pa cenuar marrjen në konsideratë të çdo informacioni tjetër të nevojshëm. Kur dëmi në mjedis prek ose mund të prekë territorin e një shteti tjetër, AKM-ja bashkëpunon me autoritetet përkatëse të atij shteti dhe shkëmben informacionin e nevojshëm. Në rast se dëmi ka origjinën në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe mund të prekë një shtet tjetër, AKM-ja njofton në kohë autoritetet përkatëse të shtetit që mund të preket mbi natyrën e dëmit, burimin e mundshëm dhe masat e ndërmarra ose të propozuara. III. KRITERET PËR PËRCAKTIMIN E DËMIT MJEDISOR

Përcaktimi i dëmit mjedisor kryhet në raport me gjendjen e mëparshme të burimeve natyrore dhe të shërbimeve të tyre, bazuar në kriteret e përcaktuara në këtë vendim dhe në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi. Rëndësia e dëmit vlerësohet duke marrë parasysh: a) shkallën dhe përhapjen e ndikimeve negative; b) kohëzgjatjen e tyre; c) kapacitetin e burimeve natyrore për rikuperim natyror; ç) ndikimin në shëndetin e njeriut, kur është i provuar.

Për dëmtimin e llojeve të mbrojtura dhe të habitateve natyrore, vlerësimi i dëmit kryhet duke marrë parasysh kriteret e shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në veçanti ndikimin në statusin e favorshëm të ruajtjes, rolin ekologjik të zonës së dëmtuar, rrallësinë e llojit ose habitatit, kapacitetin për rigjenerim natyror dhe mundësinë e rikuperimit brenda një periudhe të shkurtër kohore. Për dëmtimin e ujërave, vlerësimi kryhet duke marrë parasysh ndikimin e dëmit në statusin ekologjik, kimik ose sasior, potencialin ekologjik të ujërave, si dhe në gjendjen mjedisore të ujërave detare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për burimet ujore dhe mbrojtjen e mjedisit detar. Për dëmtimin e tokës, vlerësimi kryhet duke marrë në konsideratë nëse ndotja krijon rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut, si pasojë e futjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë të substancave, preparateve, organizmave ose mikroorganizmave në, mbi ose nën tokë. Në këtë vlerësim merren në konsideratë natyra dhe përqendrimi i ndotësve, përdorimi aktual ose i pritshëm i tokës, rrugët e ekspozimit dhe grupet e popullsisë që mund të preken. DISPOZITA TË FUNDIT Zbatimi i këtij vendimi bëhet pa cenuar dispozitat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, si dhe aktet e tjera nënligjore, të miratuara në zbatim të tij, për përgjegjësinë mjedisore, masat parandaluese dhe rehabilituese, përcaktimin e kostove dhe sigurimin e fondeve për kompensimin e dëmit në mjedis. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

V E N D I M PËR MIRATIMIN E LISTËS SË VEPRIMTARIVE QË KONSIDEROHEN SI TË RREZIKSHME PËR MJEDISIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 50, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e listës së veprimtarive që konsiderohen si të rrezikshme për mjedisin, të përcaktuara sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Lista e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, zbatohet pa cenuar detyrimet e tjera që rrjedhin nga legjislacioni sektorial në fuqi. Veprimtari të rrezikshme për mjedisin konsiderohen veprimtaritë ekonomike ose profesionale që, për nga natyra e rrezikut ndaj burimeve natyrore, përmasat, teknologjia ose substancat e përdorura, paraqesin rrezik të lartë për dëme mjedisore dhe sjellin përgjegjësi mjedisore, sipas legjislacionit në fuqi, duke shkaktuar: a) dëme ndaj burimeve natyrore; b) ndotje të ujërave, tokës dhe ajrit; c) dëmtim të biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura; ç) rrezik për shëndetin e njeriut.

Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Next Post
PD nuk është më parti e demokratit kuksian

Vetëgjyqësia e drejtësisë me pagat e saj

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Sulm në Hormuz, Arabia Saudite akuzon Iranin: Goditet supertankeri “Sidr”, humbin jetën dy marinarë filipinas

Sulm në Hormuz, Arabia Saudite akuzon Iranin: Goditet supertankeri “Sidr”, humbin jetën dy marinarë filipinas

September 2, 2026
“Po shkelet hapur Kushtetuta”/ Grenell mbështet 6 deputetët e LDK-së: Miq të mëdhenj të Amerikës

“Po shkelet hapur Kushtetuta”/ Grenell mbështet 6 deputetët e LDK-së: Miq të mëdhenj të Amerikës

September 2, 2026
Rey Manaj shpërthen me dopietë, sulmuesi kuqezi i jep skuadrës pikën në barazimin 2-2

Rey Manaj shpërthen me dopietë, sulmuesi kuqezi i jep skuadrës pikën në barazimin 2-2

September 2, 2026
Përplasen dy anije në Detin Marmara, fundoset njëra prej tyre: 10 anëtarë të ekuipazhit rezultojnë të zhdukur

Përplasen dy anije në Detin Marmara, fundoset njëra prej tyre: 10 anëtarë të ekuipazhit rezultojnë të zhdukur

September 2, 2026
Sulmi me dron në Leipzig, identifikohen autorët e dyshuar, Gjermania dyshon për lidhje me inteligjencën ruse

Sulmi me dron në Leipzig, identifikohen autorët e dyshuar, Gjermania dyshon për lidhje me inteligjencën ruse

September 2, 2026
OSHEE lehtëson faturat e energjisë, 68.8% e klientëve debitorë përfitojnë ulje të kamatëvonesës

OSHEE lehtëson faturat e energjisë, 68.8% e klientëve debitorë përfitojnë ulje të kamatëvonesës

September 2, 2026
“Paketa e Maleve”/ Zgjerohet zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak

“Paketa e Maleve”/ Zgjerohet zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak

September 2, 2026
Shtëpitë mbi truall shtetëror, ja si të bëheni pronarë me 0 lekë! Llogaritja e vlerës së tokës dhe kush përfiton 20% ulje

Qeveria ndryshon ligjin për ndërtimet pa leje, ja si do të mbrohen qytetarët që…

September 2, 2026
Kejvina Kthella flet për jetën private: Ish të dashurin e ndihmoja me lekë. Ishte shumë i bukur

“Kam harruar kodin e kasafortës”/ Shoqja e Kejvina Kthellës merret e pandehur për 8 mijë euro

September 2, 2026
Tirana me stacion të ri hekurudhor në “Bulevardin e Ri” dhe kompleks Governativ, zbardhen vendimet

Tirana me stacion të ri hekurudhor në “Bulevardin e Ri” dhe kompleks Governativ, zbardhen vendimet

September 2, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com