Qeveria shqiptare përmes një vendimi të marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ka miratuar shpërblim për festat e fundvitit edhe për mjekët dhe efektivët e policisë.
Në VKM i bëhet një ndryshim vendimit të mëparshëm të Qeverisë që përjashtonte të gjithë punonjësit shtetëror nga organizimi i festës së fundvitit dhe shpërblimit për punën njëvjeçare.
Ky vendim i qeverisë vjen vetëm pak ditë pas miratimit të shpërblimit prej 50 mijë lekësh të vjetra për pensionistët.
Vendimi i plotë:
Nr. 1044, datë 18.12.2020 PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR. 929, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE PËRDORIMIN E FONDIT TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të nenit 12, të ligjit nr. 88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në fund të pikës 9, të vendimit nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Përjashtimi kufizues sa më sipër nuk aplikohet për institucionet e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e Policisë së Shtetit, mënyra e pagesës së të cilave përcaktohet, përkatësisht, nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
/a.r