Qeveria në Shkup po hesht lidhur me deklaratat e kryeministrit Rama, se pa plotësimin e të drejtave të shqiptarëve, Maqedonia nuk e meriton vendin në NATO.
Mediat vendore maqedonase kanë insistuar që të nxjerrin reagimin e Shkupit zyrtar, por nuk ka pasur komente as nga Qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Presidenca.
Nga Qeveria bëjnë të ditur se kryeministri Nikola Gruevski po qëndron në Strasburg ku ka mbajtur fjalim në debatin e Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian.
MPJ ka theksuar se po analizojnë deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe se pritet ndonjë reagim lidhur me të, ka informuar portali Meta.
Edhe nga kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov nuk kanë përgjigje.
Kryeministri shqiptar Edi Rama dje paralajmëroi se Maqedonia nuk mund të jetë pjesë e NATO pa respektuar dhe plotësuar të drejtat e shqiptarëve sipas Marrëveshjes së Ohrit.
Ky është kërcënimi i tretë për veto pas Greqisë për shkak të Emrit dhe Bulgarisë për shkak të marrëveshjes për fqinjësi të mirë. (INA)









