Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e parë, disa orë pasi u votua në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se kabineti i zgjedhur prej tij ka potencialin të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës.
Qeveria miratoi buxhetin e ri për vitin 2026 për ta dërguar për miratim në Kuvend, si dhe ratifikoi disa marrëveshje ndërkombëtare me BE-në dhe Bankën Botërore në vlerën e 1 miliardë eurove.
Kryeministri Albin Kurti tha se qysh nesër është i gatshëm të bisedojë me partitë e tjera për çështjen e Presidentit.
“Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë, votimin e buxhetit të vitit 2026 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto, jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”.
Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka anuluar pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Sipas këshilltarit për media në Zyrën e Presidencës, Bekim Kupina, arsyeja e anulimit të pjesëmarrjes ka të bëjë me angazhimin institucional dhe prioritetet që lidhen me zhvillimet brenda vendit.
Ndonëse seancat e para do të jenë për marrëveshjet ndërkombëtare dhe buxhetin, ende nuk dihet se kë do të propozojë Albin Kurti si kandidat për president të vendit. Vjosa Osmani tashmë ka shfaqur ambiciet e saj edhe për një mandat tjetër.











