Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, sa vjen dhe shfaqet më konfuz në qëndrimet e tij publike, lidhur me reformën në drejtësi. Pak ditë pasi publikoi një letër që i kishte dërguar Kuvendit, ku shprehte rezervat lidhur me hapat e hedhura për hartimin e amendamenteve kushtetuese për reformën në drejtësi, mbrëmë Nishani nuk ka ngurruar të kundërshtojë indirekt edhe dërgimin nga mazhoranca në Komisionin e Venecias të draftit për këtë reformë.
Qëndrimi më i fundit i Kreut të Shtetit duket se bie në kundërshtim edhe me vetë deklaratat e bëra prej tij në filim të këtij viti gjatë një takimi me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buqicchio, i cili vizitoi zyrtarisht Shqipërinë në kuadër të reformës në drejtës. Gjatë këtij takimi Presidenti Nishani u shpreh për “nevojën për ekspertizë nga Komisioni i Venecias për realizimin e një reforme tërësore dhe pa militantizëm politik që do t’u shërbejë nevojave për drejtësi të qytetarëve shqiptarë”. Në dallim nga ky qëndrim, gjatë intervistës dhënë dje për Report.TV kreu i shtetit shprehet se “nuk arrij ta kuptojë pse mazhoranca dërgoi me shumë shpejtësi, në mënyrë të njëanshme në Komisionin e Venecias, amendamentet për reformën në drejtësi, pa respektuar vendimin e parlamentit”.
Nishani pretendon se ka qënë një orientim i BE që partitë politike t’i drejtohen Komsionit të Venecias me nje produkt të vetëm konsensual, të dalë nga një diskutim gjithëpërfshirës jo vetëm politik, juridik, intelektualë, OJQ etj.
“Është e pakuptueshme mënyra e dërgimit, pa trajtuar dokumentin strategjik. Dërgimi i 2- 3 apo më shumë varianteve, nuk tregon seriozitetin e intitucioneve në raport me ndërkombëtarët”, deklaron Nishani.
Presidenti, javët e fundit nuk ka hezituar “të heqë dorashkat” në sulmet e tij kundër mazhorancës, lidhur me reformën në drejtësi. Ajo që ka rënë në sy ka qenë fakti se Nishani në asnjë rast nuk ka kritikuar bojkotin që PD i bëri komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, bojkot i cili pati jo pak pasoja mbi ecurinë normale të punës së këtij komisioni. Këtij qëndrimi bojkotues iu bashkangjit edhe vetë Kreu i Shtetit, i cili nuk pranoi të çonte ekseprtët e tij në këtë komision. Bojkoti i Nishanit mori fund kur vetë PD vendosi të hiqte dorë nga bojkoti.