Vetë Enver Hoxha do të urdhëronte arrestimin e Ismail Kadaresë dhe po vetë Enver Hoxha do të urdhëronte anulimin e tij.
Qemal Lame, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në vitet 1981-1992, dëshmon në “Panorama” disa fakte të panjohura në lidhje me ndjekjen e Ismail Kadaresë nga Sigurimi i Shtetit.
Dhe jo vetëm kaq, por edhe për përgatitjen e dokumenteve procedurale për arrestimin e Ismail Kadaresë me akuzat e rënda për veprimtari armiqësore si bashkëpunëtor në komplotin e kryesuar nga Mehmet Shehu.
Lame tregon se pse diktatori u tërhoq nga urdhri i tij i mëparshëm.
Po ashtu, ai replikon edhe me Fatos Lubonjën mbi publikimin e dëshmisë së tij në hetuesi, ku mes të tjerave përmend edhe shkrimtarin, si një ndër të preferuarit e të atit, Todi Lubonja.
QEMAL LAME
Problemet që imponuan udhëheqësin për anulimin e urdhrit të arrestimit e të dënimit nga gjykata. Arrestimi dhe dënimi penalisht nga gjykata i Ismail Kadaresë, nuk u arritën të realizohen për disa arsye madhore: Së pari, të ruajtjes së pushtetit absolut nga vetë Enver Hoxha, si dhe të trashëgimtarit të zgjedhur prej tij në fund të jetës, të bindurit Ramiz Alia; Së dyti, Enver Hoxha kishte dhënë kontributin e tij historik në Mbledhjen e Moskës. Kjo meritë do të ruhej, do të mbrohej dhe nuk do të lejohej të vihej në dyshim apo të zhvleftësohej.
Ky vlerësim është pranuar edhe ndërkombëtarisht, botuar në media, në librat politikë, enciklopeditë kudo në botë etj. Me librin e Ismail Kadaresë “Dimri i Madh” (Dimri i vetmisë së madhe), Enveri ruante dhe përjetësonte kontributin e tij. Po të dënohej Ismaili, atëherë edhe vepra madhore ku Enveri ishte subjekti real dhe i rëndësishëm historik do të goditej rëndë dhe do të inkurajonte reagimet e kundërta ndaj pushtetit autoritar. Duke vazhduar të qëndrojë deri në vdekje në krye të Partisë e të shtetit, Enver Hoxha nuk mund të pranonte që vetë të krijonte kushte që të dënohej vepra dhe figura e tij që idealizohej e propagandohej deri në hyjnizim, mbrohej me gjithë forcën e shtetit e të drejtësisë dhe kërkohej politikisht e ideologjikisht të përjetësohej idhulli i tij. Këto dy arsye kryesore mbështeteshin e kushtëzoheshin edhe nga shkaqe të tjera objektiva shumë të rëndësishme.
Pasojat e mundshme nga arrestimi dhe dënimi penalisht i Ismail Kadaresë u parashtruan me shumë kujdes në analizën e bërë për provat e administruara në hetuesi dhe zbatimin e rregullave procedurale.
Analiza iu dërgua personalisht Enver Hoxhës. Nën drejtimin e Enver Hoxhës u analizuan përfundimet e parashtruara. Ato u pranuan dhe u anulua urdhri për arrestimin e Ismail Kadaresë. Ky dokument i argumentuar ndikoi në frenimin e marrëzisë së zgjerimit të komploteve shtetërore.
– Enver Hoxha u imponua të anulojë urdhrin për arrestimin e Ismail Kadaresë, për shkak se nuk do të mbështetej dhe do të kishte reagime të fuqishme nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar;
– Arrestimi dhe akuzat ndaj Ismail Kadaresë si pjesëtar i grupit komplotist të kryesuar nga Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj., do të ishte një masë që do të demaskonte legjendën agjenturore të imponuar me anë të propagandës dhe dhunës politike të masave shtrënguese shtetërore për të ligjëruar arbitraritetin e hapur të tyre, fshehjes së të vërtetës për vrasjen e Mehmet Shehut dhe arrestimin e Kadri Hazbiut;
– Personat e akuzuar si komplotistë mund të dënoheshin për akuzat e njohura për krimet e kryera, por pa qenë e domosdoshme të fabrikoheshin dhe imponoheshin legjendat agjenturore të ideuara nga vetë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia;
– Masat drastike të zbatuara në atë kohë ndaj grupit komplotist të kryesuar nga kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, ministri i Jashtëm, ministri i Shëndetësisë etj., (pothuajse gjysma e anëtarëve të Qeverisë) nuk justifikoheshin me zgjerimin e mëtejshëm të shtrirjes së legjendës së veprimtarisë armiqësore në letërsi, art, kulturë etj. Populli nuk e besoi dhe nuk e mbështeti propagandën partiake për komplotin, me gjithë presionin e madh ideologjik të ushtruar me fjalimet e Enver hoxhës nga Komiteti Qendror dhe kërcënimeve të hapura nga Sigurimi i Shtetit;
– Zgjerimi i mëtejshëm i komplotit armiqësor në fushat e tjera të veprimtarisë shtetërore e shoqërore do të vinte më në qendër të vëmendjes së opinionit shoqëror akuzat e njohura se autorët kryesorë të inskenimit dhe realizimit të ndjekjes agjenturore dhe dënimeve me vdekje të komplotistëve mbeteshin Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Masat penale ndaj Ismail Kadaresë do të ndeshnin në reagimin e menjëhershëm dhe të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos në shtetet e zhvilluara të demokracive perëndimore. Franca dihet se ka vlerësuar, mbështetur dhe mbrojtur vazhdimisht Ismail Kadarenë. Shqiptarët i detyrohen shumë Francës edhe në qëndrimin e prerë në mbrojtje të shkrimtarit tonë. Ngjarjet në Shqipëri janë ndjekur me vëmendje.
Në shtypin francez, gjerman, amerikan, anglez etj., janë bërë komente të shumta dhe të rrepta ku dënohej vrasja e kryeministrit në detyrë Mehmet Shehut, të njoftuar si vetëvrasje. Është dënuar me forcë edhe praktikë enveriste pas vrasjes së Mehmet Shehut, Plenumi i Komitetit Qendror për dënimin e Mehmet Shehut, Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku u dënua libri “Pallati i Ëndrrave”, fillimi i terrorit shtetëror ndaj atyre që vlerësoheshin si kundërshtarët më të rrezikshëm të pushtetit në fuqi. Enver Hoxha u vu përpara presionit të fuqishëm të ardhur nga Franca. Presidenti Fransua Miterrand, me anë të një letre ka kërcënuar seriozisht se nëse do të arrestoni Ismail Kadarenë, do të ketë pasoja të rënda.
Opinioni publik francez kuptoi rrezikun që i kanosej shkrimtarit dhe u zhvilluan demonstrata para Ambasadës së Shqipërisë në Paris. Intelektualët francezë demonstruan për tri javë rresht para derës së ambasadës, duke mbajtur në dorë librat e Ismail Kadaresë dhe bënin thirrje për respektimin e lirisë së fjalës në Shqipëri. Akuzat dhe shpifjet e marrëzishme për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit. Në mënyrë të papërgjegjshme jepet përfundimi se dokumentet që provojnë se Ismail Kadare ndiqej nga Sigurimi i Shtetit, nuk janë të vërteta. Librave të botuara nga autorë të njohur u është shtuar kohët e fundit edhe libri:
“Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”. Me dokumente origjinale provohet edhe më shumë fakti se Ismaili ndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Ka ndonjë kritik, si Fatos Lubonja, që pretendon se dokumentet nuk janë zgjedhur në mënyrë korrekte dhe nuk vërtetohet ndjekja nga Sigurimi i Shtetit. Për të argumentuar mendimin e tij, ai referohet dhe merr si shembull personazhin e zi i gijotinës së pushkatimit të diktaturës, zëvendësministri Zylyftar Ramizi etj. Në maj të vitit 1990, kur Shqipëria ishte akoma nën regjimin diktatorial komunist dhe Zylyftar Ramizi ishte shef i Sigurimit, në letrën që shkrimtari i drejton presidentit Ramiz Alia e përcakton Zylyftar Ramizin si kriminel sadist, i urryer prej gjithë Shqipërisë.
E theksoj se është ende në fuqi regjimi komunist. Kurse akuza e Zylyftar Ramizit kundër Kadaresë bëhet kohë më pas, kur regjimi ka rënë dhe Zylyftar Ramizi me pranga në duar po dënohet me vdekje. Pra, shihet qartë se akuzat e tij nuk janë gjë tjetër veçse një histori banale revanshi. Që në atë kohë më lindi natyrshëm edhe dyshimi për hipotezën tjetër të vetëmbrojtjes së tij. Më ka shkuar mendja, ndonëse nuk jam i sigurt, se ky njeri po formulon akuza kundër shkrimtarit ngaqë mendon se në sistemin e ri të porsa vendosur ka ende armiq të shkrimtarit dhe ai ende mund të ndihmonte për dënimin e tij. Koha po tregon se supozimi nuk është fare pa baza. Nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë se Ismail Kadare ka qenë i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit dhe se ka pasur pseudonimin “Gjenerali”. Në rast se do të mendohej dhe në rast se do të dyshohej se ekzistonte me të vërtetë ky fakt, me siguri do të ishin gjetur dokumentet, provat shkresore e shpjegime të personave kompetentë, si dhe do të ishte argumentuar ligjërisht kjo akuzë e rëndë.
Qenia ose mosqenia agjent, nuk do të thotë se në çdo rast dënohesh për këtë fakt. Edhe në shtetin e së drejtës, shërbimi i inteligjencës funksionon me bashkëpunëtorë. Ata që shërbejnë me ndërgjegje nderohen e respektohen edhe në anonimitet. Ata që vënë veten në shërbim të veprimtarisë subversive kundër shtetit dhe interesave të ligjshme të shtetasve dënohen me rreptësi. Në këtë rast, për Ismail Kadarenë nuk kemi asnjë nga këto shërbime. Edhe po të pranohej hipoteza e marrëzisë së papërgjegjshme, ajo nuk do të rëndonte aspak figurën dhe kontributin e shkrimtarit tonë të madh. Kritikëve të papërgjegjshëm u kujtojmë se nobelisti gjerman Günter Grass u akuzua me dokumente se kishte bashkëpunuar me nazistët dhe u kërkua që t’i hiqej çmimi “Nobel”.
Pasi u analizua kërkesa e bërë, komisioni pranoi provat që vërtetonin se ai kishte bashkëpunuar me nazistët. Por vetëm ky fakt nuk mund të ndryshonte vendimin e drejtë. Komisioni sqaroi me përgjegjësi publikisht se nuk do t’ia hiqte çmimin e dhënë Günter Grass në bazë të meritave dhe kontributit të madh për letërsinë. Dihet se me urdhër të Ramiz Alisë, në kasafortat e oficerëve operativë dhe të drejtuesve në degët e punëve të brendshme e deri në qendër, në atë të ministrit, kartotekën e Sigurimit të Shtetit dhe në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në muajt dhjetor 1990 deri në mars 1991, nën drejtimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të zëvendësministrit u bënë seleksionime, heqje të dokumenteve, si edhe dosje të përpunimit aktiv të personaliteteve të njohura.
Ato u dogjën, për të mos lënë gjurmë për ndjekjen agjenturore, shkeljet e rënda të Kushtetutës e të ligjeve. Në rast se do të kishin ekzistuar dokumente për Ismail Kadare si agjent, atëherë do të ishin gjetur ose do të bëhej referimi konkretisht në të dhëna të sakta. Dokumentet vërtetojnë të kundërtën e pretendimeve të publikuara. Në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH ka pasur dokumente që akuzonin Ismail Kadarenë si të dyshuar për veprimtari armiqë- sore kundër shtetit.
Edhe për dyshimet që pretendohen e përsëriten padrejtësisht ekzistojnë mundësitë që nga institucionet dhe personat kompetentë të bëhen verifikime sqaruese: – Të kontrollohen e analizohen dokumentet në Arkivin e Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Arkivin e Komitetit Qendror të PPSH etj; – Të studiohen e analizohen dosjet hetimore dhe agjenturore të grupeve komplotiste. Sqarime më të hollësishme mund të merren aktualisht edhe nga hetuesit dhe punëtorët operativë që kanë kryer ato veprime; – Të pyeten drejtuesit dhe oficerët operativë, shefat e punonjëset e kartotekës dhe të sekretarive sekrete të drejtorive e degëve të Sigurimit të Shtetit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme; – Të pyeten punonjësit e sektorit të Organeve të Diktaturës në Komitetin Qendror të PPSH, të cilët kontrollonin Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sigurimin e Shtetit, Policinë, Kufirin, Prokurorinë e Gjykatës, Ministrinë e Mbrojtjes dhe komandat e repartet ushtarake. Personat e paanshëm me njohuritë e nevojshme agjenturore, ushtarake operative, kanë aftësi të kërkojnë dokumente e sqarime, të bëjnë verifikime, të krahasojnë, analizojnë e të nxjerrin përfundimet objektive.
Qëndrimet e drejta dhe të rrepta nga shkrimtari me qëllime të paramenduara nuk vlerësohen e interpretohet drejt. Ismail Kadare ka kontribuar në mbrojtjen e së vërtetës, ka kundërshtuar dhe ka reaguar me forcën e mendjes dhe demaskimin publik të veprimeve të paligjshme dhe dhunën e organizuar shtetërore të ushtruar me grupet komplotiste, si dhe qëndrimet arbitrare të fshehta e publike të Sigurimit të Shtetit. Nuk ka asnjë rast që mund të dyshohet se ai ka kritikuar apo kërkuar të ndëshkohet padrejtësisht ndonjë personalitet shtetëror, artist, shkrimtar etj. Është e padrejtë dhe e dënueshme akuza se Ismail Kadare ka kontribuar në arrestimin e dënimin e Fadil Paçramit, duke amplifikuar në “Zërin e Popullit” akuzat e Enver Hoxhës për të si “armik i partisë”, “kundërshtar i tërbuar i kombëtares”, “djathtist”, “antishqiptar”, … Po kështu, edhe marrëdhëniet e Ismailit me Todi Lubonjën, si dhe mendimet e tij për Ismailin nuk interpretohen objektivisht. Bëhen diskutime për dy variante të thënieve nga Fatosi se: “Babai më ka thënë se përveç Ismail Kadaresë, shkrimtarët e tjerë shkruajnë sa për të qenë brenda”. Ndërsa në një publikim tjetër shkruhet se “… (babai) ka pëlqyer shkrimtarët Ismail Kadare, Dritëro Agolli. Për të tjerët thoshte që këta nuk shkruajnë mirë, nuk kanë kurajë pse vuajnë nga skematizmi”. Në dosjen hetimore dhe atë gjyqësore janë administruar thëniet e bëra në atë kohë.
Këto mbeten të vërteta dhe të pa kundërshtuara. Publikimi së afërmi i këtyre dokumenteve do të sqarojë dhe vërtetojë me objektivitet të vërtetën për mendimet e diskutuara për Ismailin. Duke e analizuar dhe vlerësuar të drejtë kritikën për ndryshimet midis tekstit origjinal të dokumentit të hetuesisë dhe fjalive të shkruara në gazeta të ndryshme, interpretimeve të bëra nga autori në mbështetje të idesë së tij për ndjekjen e Kadaresë, si dhe shqetësimin e Fatosit, tërheq vëmendjen fakti se bëhet fjalë për shkrimtarët më të njohur, si dhe jepen vlerësime për ata që kanë kurajë dhe ata që shkruajnë në mënyrë skematike. Me këtë diapazon këndvështrimi, nuk mund të mendohet se Ismail Kadare përmendet më kot në kallëzimin që Fatos Lubonja bën kundër të atit. Në materialet e hetuesisë, shkrimtari Ismail Kadare figuron si mik dhe frymëzues i antikomunistit Todi Lubonja. Pra, ai është i akuzuar njëlloj si tjetri. Nga ana tjetër, Fatosi thekson dhe arsyeton se formimin e tij antikomunist e ka prej të atit të tij. Ndërkaq, mbrojtësit e Fatos Lubonjës dhe natyrisht ai vetë përpiqen të falsifikojnë dokumentet, duke mos e përmendur këtë, ngaqë është një spiunim i pastër i një letrari kundër një letrari tjetër. Përse e keni përmendur atëherë shkrimtarin Ismail Kadare?!
Idetë vizionare të shkrimtarit kritikohen me emocione. Kritikat e disa personave që nuk kanë arritur të kuptojnë vlerat e Ismail Kadaresë bazohen kryesisht në qëndrime emocionale dhe pa u analizuar me përgjegjësinë e nevojshme, disa momente, personazhe, mendime dhe ide të Kadaresë. Me këtë reagim amatoresk dhe tendencioz, kundërshtohen edhe pohimet e Kadaresë për librin e tij “Dimri i Madh” (Dimri i Vetmisë së Madhe) mbi sjelljen e Hoxhës gjatë dhe pas Mbledhjes së Moskës. Personi që kritikon pa përgjegjësi, megjithëse punon si gazetar, nuk kupton rëndësinë historike të asaj kohe dhe goditjen që iu dha kampit socialist, me shkëputjen që bëri Shqipëria. Përmendet, mbivlerë- sohet dhe vihet në plan të parë vetëm fakti i interesave personale të ruajtjes së pushtetit absolut nga Enver Hoxha, duke u theksuar se: “Kadare është dhe do të mbetet shkrimtar i madh.
Por Enver Hoxha me Hrushovin nuk u ndesh për të shpëtuar Shqipërinë apo socializmin apo për t’u prishur me kampin socialist. U ndesh për të mbrojtur Stalinin dhe mbi të gjitha, për të shpëtuar veten e tij dhe pushtetin e tij absolut dhe kriminal (si adhuruesi më i madh i Stalinit në kampin socialist). Sipas këtij keqkritiku, “nëse një shkrimtar, sado i madh qoftë, vetëm e vetëm për të mbrojtur një nga librat e tij ku bën personazh kryesor Enver Hoxhën, bën sikur nuk e njeh këtë fakt është gjynah edhe për të edhe për librin”. Ironizohet me keqdashje edhe përmendja e Pasternak dhe Mandelsham nga Kadare, duke nënkuptuar se ai është i ndryshëm prej tyre pikërisht për shkak të sjelljes me diktatorët përkatës. “Sa për Pasternakun dhe Mandelshamin le t’i lëmë të qetë sepse do të rrotullohen në varret e tyre. Ngaqë nuk pranuan të bënin asnjë kompromis me Stalinin dhe pushtetin, i pari vdiq i syrgjynosur dhe i dyti i ekzekutuar”.
Shteti i diktaturës së proletariatit zbatoi metodat e dhunës primitive të lashtësisë. Shqipëria nuk eci me kohën moderne të zhvillimit europian me sistemin demokratik dhe shtetin e së drejtës të qytetërimit perëndimor. Në Shqipëri u zbatua sistemi socialist me shtetin e diktaturës së proletariatit, i imponuar dhe i kopjuar nga Bashkimi Sovjetik. Në periudhën afro një gjysmëshekulli të pushtetit absolut të Enver Hoxhës u mor si shembull dhe u zbatua me rreptësi modeli i shtetit të diktaturës së kohës së Stalinit. Me këtë ideologji të dhunës shtetërore u ideua, organizua e realizua lufta e klasave në formën e terrorit të urdhëruar e të drejtuar nga organet e partisë. Nën nxitjen e monitorimin e tyre të drejtpërdrejtë ndaj popullit të pafajshëm u zbatua represioni shtetëror nga Sigurimi i Shtetit.
U ideuan, inskenuan dhe realizuan vrasje makabre mafioze të kundërshtarëve politikë, njëlloj si në kohën e rendit skllavopronar. Nga lashtësia trashëgohet legjenda e vrasjes nga perandori romak Neron, të dijetarit Seneka, të cilën e ka përmendur edhe Ismail Kadare. Neroni urdhëroi Senekën që në mëngjes të mos ishte i gjallë. Seneka nuk kishte zgjidhje tjetër dhe realizoi vetëvrasjen, duke prerë damarët e gjakut, i shtrirë në vaskën me ujë të ngrohtë dhe vdiq deri në mëngjes. Në kohën moderne, Enver Hoxha zbatoi të njëjtën metodë. Me anë të legjendave agjenturore dhe dhunës së maskuar me luftën e klasave, ai realizonte fshehurazi natën, ose publikisht me gjyqe popullore të manipuluara dënime me pushkatim, me varje në litar, ose zhdukjen pa lënë gjurmë të kundërshtarëve politikë. Enver Hoxha nuk u jepte direkt urdhra për vetëvrasje viktimave të tij. Shokët e tij më të ngushtë shkonin natyrshëm në dhomën e gjumit për të fjetur.
Të nesërmen gjendeshin të vdekur nga familjarët. Propaganda zyrtare e cilësonte ngjarjen si vetëvrasje. Ligjërisht, viktima do të vlerësohej e ndëshkohej moralisht si i vetëvrarë, si armik, tradhtar, agjent etj. Viktima e radhës do të varrosej pa ceremoni zyrtare. Më vonë do të bëhej edhe zhdukja e kufomës për të mos lënë prova që mund të ekzaminoheshin në kohë e rrethana të ndryshuara politike e shoqërore. Autori i vërtetë, diktatori, mbetej dhe fiksohej në mendjen e popullit si kriminel. Por asnjë person nuk guxonte të hapte gojën e të shprehte mendimin e tij të lirë, pasi do të vritej apo do të zhdukej pa lënë gjurmë po në errësirën e natës.
Në disa raste të tjera, viktima, po të kishte fat, do të arrestohej e dënohej për agjitacion e propagandë armiqësore kundër shtetit të diktaturës së proletariatit. Enver Hoxha në fshehtësi organizonte edhe teatrin kriminal të drejtësisë. “Pallati i Ëndrrave” funksiononte ditën me madhështinë e ideve gjeniale të komandantit për zbatimin e luftës së klasave, ndërsa natën shndërrohej në arenën e vampirëve me Drakulën në krye për të gjakosur shokët e miqtë. Komandanti urdhëronte Sigurimin e Shtetit për të përgatitur dokumentet procedurale për t’u arrestuar kundërshtarët e tij politikë, me akuzën si tradhtarë, agjentë ose poliagjentë, autorë apo bashkëpunëtorë të një grupi komplotist etj.
Prokurori, sipas urdhrit të komandantit, automatikisht do të firmoste vendimet e arrestit pa i lexuar, ose do të heshte për arrestimet e paligjshme e më vonë do të bëheshin veprimet procedurale. Gjykata, po sipas urdhrit të komandantit, formalisht do të organizonte ceremoninë solemne të dhënies së drejtësisë në emër të popullit, duke e dënuar me vdekje, me varje në litar ose me pushkatim. Përfundimi: Enveri vriste e zhdukte shokët dhe cilindo që mendonte se i rrezikonte pushtetin e pakufishëm. Personat që i shpëtonin këtij fundi tragjik, për shkak të situatave politike që rrezikonin vetë Enverin, mbaheshin nën kontrollin dhe presionin e vazhdueshëm e intensiv të agjenturës, jetonin me ankthin e dënimit, u shkurtohej jeta nga tmerri e depresionet nervore. Do të ishte rastësi e jashtëzakonshme mbijetesa në këto kushte me anë të largimit jashtë atdheut për të shpëtuar nga ky realitet, si ndodhi me Ismail Kadarenë.
ik o qemal se ke cuar ne pushkatim njerez te pafajshem.