Gjykata e Strasburgut ka publikuar sot vendimin në lidhje me vrasjen e Aleks Nikës më 21 janar të vitit 2011.
“Agjentët e shtetit kryen vrasjen dhe nuk e zbardhën atë”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Për këtë në Breaking në Top News ishte i ftuar xhaxhai i Aleks Nikës, i cili tha se ishte një vendim që e priste dhe se kërkon që çështja tani t’i kalojë menjëherë SPAK-ut.
“Ishte një vendim që e prisnin dhe na jep shpresë për zbardhjen deri në fund të vrasjes së njeriut tonë të dashur, Aleksit që u vra nga forcat e Gardës së Republikës. Ne kemi shpresë se dosja do të kalojë së paku për një hetim të thelluar dhe shterues dhe për të vendosur më në fund drejtësi. Do të thotë që ata që urdhëruan dhe ekzekutuan vrasjet në bulevard të marrin dënimin sipas ligjit.
Ju keni bërë denoncime edhe në SPAK, me aq informacion sa keni në ç’fazë janë hetimet?
Kemi mbi 3 muaj që kemi bërë një ankimim në Gjykatën e Lartë dhe kemi kërkuar që çështja t’i kalojë SPAK-ut për hetim. Ne jemi në pritje dhe shpresojmë se Gjykata e Lartë për shkak të profesionalizmit që ka kolegji penal dhe pandikueshmëria politike, do ta çojnë çështjen në SPAK dhe janë detyruar edhe sipas vendimit të Strasburgut, edhe sipas vendimit të Gjykatës së Lartë ta hetojnë që nga fillimi, sepse ka pas manipulime. Ka pasur frikësime të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Është e vështirë ta ndash nga krimet kundër njerëzimit, sepse janë vrarë për arsye politike. Nuk janë vrarë, ose u rrahën, ose u konfliktuan me gardistët, ose policinë, po e vranë për të mbajtur pushtetin.
Fashizmi vret njerëzit në bulevard. Vrasjet duhet të hetohen patjetër që nga fillimi. Është vrasja e Hekuran Dedës, që është pa u kryer asnjë veprim hetimor.
Ju nuk e keni vënë gishtin të një person konkret…
Jo, pa një hetim konkret nuk mund të themi. Por Sali Berisha, ish-ministri i Brendshëm thanë që “e kemi vrarë ne” dhe Prokuroria e Tiranës ka refuzuar t’i thërrasë me idenë që janë deklarata mediatike. Ky është një pranim fajësie, kur thotë “se i kemi vrarë ne dhe i vrasim përsëri nëse afroheni te kryeministria”.
Ju keni pritur gjatë për vendimin e sotëm? Si e morët këtë vendim?
Ne kishim një vendim që e kemi prit prej kohësh dhe thashë që në fillim se, falënderojmë gjykatën e Strasburgut. Tani duhet një akt shtetëror që do të detyrojë prokurorinë, gjykatën e politikën që ta zbatojnë këtë vendim që ka marrë Strasburgu. Ne nuk kemi kërkuar dëmshpërblime, kemi kërkuar që fajtorët të shkojnë para drejtësisë.
Ne kemi dhe një kasetë, e nderuar gazetare që kemi pronën tonë. E siguruar nga mbrojtja jonë, ku është identifikuar vrasësi dhe urdhëruesi i vrasjes.
Nuk është e zbardhur, sepse nuk kishim besim te prokuroria e Tiranës. Sepse si dhe në raste të tjera që kanë fut gjurmues dhe bëhen të pavlefshme për gjyqin. Ne kërkojmë që kasetën ta marrë SPAK-u.
Aty identifikohet që Andrea Prendi ka dhënë urdhrin pasi ka dalë nga zyrat e qeverisë. Ka thënë “qëlloni në mish” dhe menjëherë aty janë vrarë 4 vetë. Ne mendojmë se mund të jetë edhe si krim kundër njerëzimit. Janë vrarë për arsye politike. (….) Komandanti i gardës nuk mund të japë urdhra vrasjesh, pa e dhënë komandanti i tij, që është ministri i Brendshëm ose Kryeministri./m.j