Të tjera detaje janë zbuluar nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur këtë të mërkurë, më 22 tetor, në një lokal në Manëz, ku humbën jetën dy djem të rinj, Flori Paluçi 33 vjeç dhe Aranit Kurti, 23 vjeç.
Paluçi i plagosur me armë zjarri ka qëlluar dy herë në drejtim të 21-vjeçarit D.P, por plumbat atë nuk e kanë kapur dhe ai ka arritur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, i ndihmuar nga persona të tjerë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News, gazetarja Glidona Daci duke iu referuar burimeve hetimore raporton se pas kqyrjes së kamerave të sigurisë nga ana e policisë janë zbardhur dinamikat e ngjarjes, që ka nisur pas një sherri për ekspresin e kafesë.
Fillimisht njëri nga personat e përfshirë D.P, i shoqëruar nga viktima aranit Kurti, i ka kërkuar një kafe kamarierit 17-vjeçar, i cili i ka thënë atij që ekspresi është fikur dhe se nuk mundet t’i shërbejë më. Mes tyre ka ndodhur një përplasje verbale, ku janë përfshirë edhe persona të tjerë të cilët kanë dalë jashtë ambienteve të lokalit, ku fillimisht ka ndodhur një përplasje fizike.
“Ka qenë pikërisht Aranit Kurti qe ka qëlluar i pari me grusht ndaj Flori Paluçit, i cili më pas ka nxjerrë armën që (dyshohet ka qenë e pa vullnetshme) ka prekur Aranit Kurtin, duke e lënë të vrarë. Më pas ka ndërhyrë D.P I cili ka qëlluar në drejtim të Flori Paluçit, i cili ka mbetur i vdekur pas shkëmbimit të zjarrit.”, raporton Daci.
Në kamerat e sigurisë janë parë edhe dy gjuajtje të tjera të Flori Paluçit, në drejtim të D.P, të cilët nuk e kanë prekur atë.
Policia po ashtu na ngritur dyshime edhe për persona të tjerë të përfshirë që kanë kryer veprën penale për “moskallëzim krimi”, pasi autoritetet nuk janë njoftuar që në momentet e para në lidhje me konfliktin. Po ashtu ka dyshime se ka persona që e kanë ndihmuar 21-vjeçarin D.P të largohet nga vendi i ngjarjes dhe po e mbajnë të fshehur.
Duke iu referuar të dhënave nga grupi hetimor, gazetarja Arapi raporton se ka qenë Flori Paluçi ai që ka qëlluar i pari Aranit Kurtin, i cili ka humbur jetën dhe më pas i dyshuari me inicialet D.P, ka ndërhyrë dhe ka qëlluar me armë duke marrë hak për vrasjen e shokut. Tre të rinjtë e përfshirë në konflikt kishin njohje të mëparshme, madje të tre shpesh e frekuentonin lokalin ku ndodhi ngjarja.
“Flori ndërhyri për të më mbrojtur mua…”, dëshmia e kamarierit
Kamarieri i përfshirë në konfliktin mes dy viktimave dhe autorit të shpallur në kërkim ka dhënë dëshminë e tij të parë për policinë, ku është shprehur se e gjitha nisi pas kërkesës për kafe, nga personi që tashmë është në kërkim, D.P.
“Ishte ora rreth 1:45, në momentin e ngjarjes ishin 5 persona. D.P hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe u thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai ma ktheu se ‘dua kafe patjetër’ dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda. Nuk e vazhdova më bisedën por ndërhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin.”, ka deklaruar kamarieri.
Dëshmia e punonjësit të karburantit, banorët të tronditur
Ndërkohë, ka folur për gazetarët dhe një punonjës i karburantit pranë lokalit ku ndodhi ngjarja. Ai tha se kur shkoi në punë në mëngjes pa karburantin e rrethuar si skenë krimi. Ai tha se nuk i njihte mirë dy të rinjtë, por i dukeshin djem të sjellshëm.
“Unë erdha në mëngjes, e gjeta karburantin e rrethuar, që ndalohet, skenë krimi. Më thanë ka ndodhur në ngjarje, mos u afro. Nuk i njoh. Njëri nga Manza por nuk rrinë gjatë këtu. Ishin çuna të sjellshëm. Nuk e di tamam. Çfarë thonë portalet, aq di dhe unë.”, u shpreh punonjësi i karburantit. I pyetur për kamerat e sigurisë, ai tha se nuk kishte informacion.
Sakaq, banorët e zonës kanë folur për Klan News, duke u shprehur të tronditur për lajmin: “Nuk i njoh. Jo nuk dimë gjë. Na ka tronditur rëndë por ndodhi. Nuk di gjë pse ka ndodhur. I njihja, bile i kam pas kushërinj. Unë nuk di gjë mandej. E kam marrë vesh në televizor. E kam patur unë kushëri Kurtin. Ishte djalë shumë i mirë.”
Një tjetër tha: “Vallaj nuk e di fare. Sdi asgjë. Unë rri në Hamalle poshtë. Na ka tronditur, por s’kam marrë vesh asgjë deri tani.”










