Çfarëdolloj potenciali të mundshëm që kishte dikur lidershipi i Vladimir Putinit për Rusinë, ai tashmë është ezauruar. Dhe për shkak se nuk ka në horizont asnjë mekanizëm për ndryshime paqësore në Kremlin, ajo që mbetet është momenti i zymtë i degradimit të vazhdueshëm të regjimit.
Në një intervistë dhënë për “Project Syndicate”, Adam Michnik, një ish udhëheqës i lëvizjes anti-komuniste Solidarnost në Poloni, dhe aktualisht kryeredaktor i të përditshmes “Gazeta Wyborcza”, shpjegon motivet që e nxitën Putinin të luajë aq fort kohët e fundit.
Ishte diçka e pazakontë që presidenti amerikan Joe Biden të mbante një konferencë shtypi në lidhje me vrasjen e liderit të ri të ISIS, që nuk e kishte aspak rëndësinë e paraardhësit të tij, dhe aq më pak të Osama bin Ladenit. A ishte kjo një përgjigje e nënkuptuar ndaj perceptimit të presidentit rus Vladimir Putin, se Shtetet e Bashkuara, në tërheqje në skenën globale dhe të ndara brenda vendit, janë një fuqi e dobësuar?
Sigurisht, Putini është i bindur se Perëndimi është sot më i dobët se kurrë. Por sjellja e tij buron edhe nga paranoja e vet anti-amerikane. Putin mendon se çdo gjë që bëjnë amerikanët,është në dëm të Rusisë. Kjo është tipike për këtë lloj lideri politik. Edhe ne në Poloni kemi një lider të tillë.
Sa herë që Jarosław Kaczyński, udhëheqësi i partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi ka probleme, ai fajëson për këtë një komplot nga ana e forcave armiqësore. Dhe forcat armiqësore janë ato që nuk e duartrokasin me entuziazëm. Unë besoj se Biden është një politikan që nuk ka ndonjë iluzion mbi Rusinë e Putinit.
Ai dëshiron të jetë realist dhe nuk e dëshiron luftën. Por nga ana tjetër, e refuzon politikën e tolerancës dhe tërheqjes. Kështu i kuptoj unë deklaratat e amerikanëve që kur Rusia filloi të grumbullonte trupa në kufirin e Ukrainës, dhe ato janë të arsyeshme. Dhe kjo qasje presupozon se forcat e brendshme armiqësore ndaj demokratëve dhe Biden -në fakt ndaj bazave të vetë demokracisë amerikane – nuk do të dominojnë dot në SHBA.
Çfarë mendoni mbi qëndrimin e ukrainasve ndaj sfidës së Putin? Disa ditë më parë, Timothy Snyder, kritikoi ashpër qëndrimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, por jo qëndrimin e qeverisë ukrainase…
Zelensky u bë president duke ardhur nga jashtë politikës. Ai u sponsorizua nga Ihor Kolomoisky, një oligark ukrainas, që gjithsesi ka kontribuar shumë për vendin e tij në konfliktin e parë me Rusinë në vitin 2014. Kolomoisky financoi dhe armatosi njësitë ushtarake vullnetare, të cilat rezultuan vendimtare në ndalimin e ofensivës së separatistëve të Donbasit dhe ushtarëve rusë.
Unë nuk e kam takuar ndonjëherë Zelensky-n ndaj nuk mund ta kuptoj sjelljen e tij. Por përballë një kërcënimi që kërkon unitet, Zelensky ndjek shpeshherë interesat politike të rrethit të tij të ngushtë. Po ashtu më duket joserioze të thuhet se nuk ka asnjë rrezik ushtarak, ndërkohë që Ukraina po i kërkon armë Perëndimit.
Cilat janë saktësisht objektivat e Putinit?
Ai synoi diçka kur nisi që të grumbullonte trupat në kufi me Ukrainës, por u ndesh me diçka që nuk e priste. Ndoshta ai llogariti se Perëndimi dhe Biden ishin në telashe, kështu që ishte koha e duhur për t’u hedhur në veprim. Një përgjigje e vendosur e Perëndimit, është një surprizë për të.
Nuk ka rëndësi nëse ai beson tek sanksionet e rënda që Perëndimi ka kërcënuar të vendosë nëse Rusia pushton Ukrainën. Ai i ka dëgjuar ato shumë qartë, ndaj nuk e dëshiron një përballje ushtarake totale. Por njerëzit e mençur, jo vetëm në Ukrainë, na kujtojnë se askush nuk e donte dikur Luftën e Parë Botërore.
Ju besoni se ekziston një rrezik i menjëhershëm për një përfundim të tillë?
Unë nuk besoj se Putin do ta sulmojë hapur Ukrainën. Them se ai do të zbatojë taktikat e vjetra ruso/sovjetike. Kjo do të thotë se ne duhet të ruajmë qetësinë, teksa opinioni publik në Perëndim mbetet i mobilizuar, dhe në pritje që e gjithë bota të marrë frymë e lehtësuar se konflikti është shmangur.
Kriza aktuale, sugjeron një ndryshim rrënjësor në status quo-në gjeopolitike, veçanërisht në Evropë. Çfarë ndodhi? A ka ndryshuar vërtet kaq shumë Evropa?
Evropa nuk ka ndryshuar aq shumë. Putin ka goditur strukturat, dhe dëmet nga goditjet e tij janë qartazi të dukshme. Sigurisht, forcat antidemokratike po konsolidohen, dhe Bashkimi Evropian ka humbur një pjesë të joshjes që ka pasur. Në Itali, Lega e Salvinit dhe Fratelli d’Italia po udhëheqin kauzën populiste.
Në Spanjë, është parti Vox. Dhe jam shokuar kur mësova se asaj i është bashkuar gazetari i njohur spanjoll Hermann Tertsch, miku im i mirë. Pastaj kemi kryeministrin hungarez Victor Orban, një model autoritar për Kaczyńskin. Orbán ka një ide tjetër për Evropën, atë që propagandon edhe Marine Le Pen në Francë.
Pas pjesëmarrjes në një konferencë të fundit të Euroskeptikëve në Spanjë, Orbán udhëtoi drejt Moskës për të pirë shampanjë me Putinin. Edhe ky është një ndryshim befasues. Nuk mund ta imagjinoja kurrë se Orban që e njihja 3 dekada më parë do të bëhej një i djathtë pro Putinit.
Por dimë se tradhti të tilla nuk janë të padëgjuara në historinë evropiane. Për shembull Jacques Doriot, numri 2 i Partisë Komuniste Franceze, u bë me vonë aleat me Pierre Laval, kryeministrin e Vichy, që u ekzekutua për bashkëpunimin e tij me nazistët. Pra, në këtë kuptim, Evropa nuk ka ndryshuar fare.
Çfarë mendimi keni për qasjen e sotme të Evropës ndaj Rusisë?
Evropa sillet në mënyrë të arsyeshme, ndoshta jo shumë heroike. Sigurisht, gjermanët janë më të kujdesshmit, por kujdesi i tyre duhet mirëkuptuar. Një shtet që ka mbi shpinë një peshë të tillë historike si Epoka e Hitlerit duhet të jetë i kujdesshëm.
Më kujtohet një bisedë që kam pasur dikur me një udhëheqës politik gjerman mbi Afganistanin ose Irakun. “Adam, më thuaj të vërtetën”- më pyeti ai. “Çfarë do ta alarmonte më shumë, një Gjermani shumë pacifiste apo një Gjermani shumë militariste?”. Unë nuk fola.
Le t’i rikthemi edhe njëherë skenarit për muajt në vijim. Ju thatë se Putini do ta shmangë pushtimin…
Në Rusi, gjithçka varet de fakto nga një njeri. Putin mund të mos jetë në gjendje të zbatojë çdo skenar që ka në mëndje, por ai e ka përqendruar fuqinë politike edhe më shumë sesa Stalini. Të paktën formalisht, Stalini ishte i kufizuar nga “politbyroja” e tij, një organ politik që në parim mund t’i thoshte jo, edhe pse sigurisht që nuk e bëri asnjëherë.
Putini nuk ka politbyro, ai është i gjithëpushtetshëm, një monark absolut, një Çezar. Por jam i bindur se, pas 22 vitesh në pushtet, Putini nuk ka asgjë pozitive për t’i dhënë politikës ruse. Çfarëdo potenciali që kishte dikur lidershipi i tij për Rusinë është ezauruar.
Dhe për shkak se nuk ka asnjë mekanizëm për ndryshime paqësore në Kremlin, ajo që mbetet është momenti i zymtë i degradimi të vazhdueshëm. Regjimi i tij është si një biçikletë, që duhet të ecë përpara për të qëndruar në këmbë. Çështja është se kur do të ndalojë “biçikleta” dhe si do të bjerë.
Ndaj diçka duhet të ndodhë, sepse Putini dëshiron të qëndrojë në krye. Pra, ai do të zgjedhë atë që rusët e quajnë “luftëra të vogla fitimtare”. Mund të jetë Kharkiv, Odessa, Moldavia, Kazakistani, ashtu siç ndodhi me Krimenë. Pra sjellja e tij është e ngjashme me mënyrën se si vepron droga tek një narkoman:ndjenja e madhe euforisë, pasohet nga dëshira për një dozë tjetër./ “Project Syndicate”- abcnews/
/b.h