• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, May 11, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Opinion

Pushteti i anormalitetit i Edi Ramës dhe hipokrizia e analistëve, që për “inat të Ramës flejnë me Berishën”

by Blendi Kajsiu
01/04/2022 11:15
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Blendi Kajsiu

Në 30 vite tranzicion, as një qeveri nuk u ka premtuar shqiptarëve normalitet aq shumë sa qeveria socialiste e Edi Ramës. Ashtu sikurse asnjë qeveri nuk është legjitimuar sa ajo nga anormaliteti. Qeverisja Rama nuk mbahet në pushtet sepse ka sjellë normalitetin politik, ekonomik apo social në Shqipëri. Përkundrazi, ajo legjitimohet nëpërmjet anormalitetit gjeologjik, biologjik dhe politik që ka përfshirë vendin tonë në dy vitet e fundit.

Pushteti 8-vjeçar i qeverisë socialiste (2013-2021) nuk solli ndonjë ndryshim themelor në Shqipëri përballë 8 viteve të pushtetit demokrat (2005-2013). Përveç kontrollit ndaj territorit dhe dixhitalizmit të qeverisjes, që janë arritje për t’u përshëndetur e qeverisë Rama, kjo e fundit nuk ka prodhuar ndonjë modernizmin apo normalizim themelor në shtetin shqiptar.

Partia Socialiste është sot po aq e bunkerizuar dhe pa demokraci të brendshme sa Partia Demokratike. Administrata publike vazhdon të vuajë nga nivele të larta korrupsioni, inefikasiteti dhe rrumpalle. Ekonomia vazhdon të mbetet jokonkurruese, dhe e kapur nga monopolet dhe oligopolet, industria shqiptare nuk po e ngre kokën ndërsa bujqësia mbetet tejet e brishtë dhe në mëshirën e tregut global. Shqipëria vazhdon të ketë nivelet më të larta të varfërisë në rajon dhe shqiptarët vazhdojnë të largohen në masë nga vendi.

Përtej kullave, fasadave, shëtitoreve, porteve të jahteve dhe aeroporteve, qeverisja Rama nuk ka shënuar ndonjë ndryshim themelor strukturor në shoqërinë, politikën, shtetin dhe ekonominë shqiptare. Arritja më e madhe në ristrukturimin e shtetit shqiptar gjatë qeverisjes Rama, reforma e drejtësisë, nuk është e saj, por e faktorit ndërkombëtar. Edhe pse për hall të Berishës dhe Metës opozita e ka denoncuar dhe braktisur këtë reformë, sepse i eliminon gjyqtarët e tipit Zhukri.

Për të gjitha këto arsye u desh një tërmet dhe më pas një virus që qeverisja Rama të fitonte një mandat të tretë. Tërmeti i vitit 2020 i dha një mundësi të artë Kryeministrit dhe qeverisë të “shkëlqenin” në menaxhimin e katastrofës, sidomos duke pasur parasysh pritshmërinë e ulët të vetë qytetarëve. Emergjenca prodhoi kushtet ideale për qeverisjen voluntariste të Ramës, që nuk respekton procedurën, hallkat administrative apo burokracinë, por që bazohet thjesht te vullneti i Kryeministrit. Dhe ai arriti të mblidhte dhe t’u jepte shumë më tepër fonde qytetarëve sesa pritshmëria e tyre.

Si të mos mjaftonte tërmeti, më pas erdhi edhe Covid, që në fakt ka qenë një bekim politik për shumicën e politikanëve në botë. Kjo ishte një tjetër emergjencë që mundësonte qeverisjen anormale dhe voluntariste të Ramës, pa rregullat admnistrative dhe burokratike që aq shumë e bezdisin. Edhe një herë ai doli nëpër botë të kërkonte vaksina për të shpëtuar popullin e tij. Edhe një herë rezultati ishte shumë më i mirë se pritshmëria e qytetarëve, të cilët pasi kishin parë katastrofën shëndetësore në Itali dhe Evropë ishin të sigurt se Shqipëria do marrte fund.

Këto dy anormalitete ishin mjaft të rëndësishëm në fitoren e PS-së dhe Ramës në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021. Nëse Rama do ish përballur me premtimet që u kish bërë shqiptarëve 8 vite më parë, fitorja do kish qenë shumë më e vështirë. Për faktin e thjeshtë se Shqipëria e vitit 2021 nuk ishte shumë e ndryshme nga ajo e vitit 2013, si në indikatorët e korrupsionit, demokracisë apo të ekonomisë. Ama menaxhimi që Rama i kish bërë anormalitetit gjeologjik (tërmetit) dhe anormalitetit biologjik (virusi) ishte shumë më i mirë se pritshmëria jo vetëm e qytetarëve, por edhe e kritikëve të tij më të egër.

Në fakt, aq shumë u mësua qeverisja Rama të legjitimohej nga anormaliteti saqë kur u përball me protestën qytetare për rritjen e cmimeve menjëherë drejtoi gishtin tek anormaliteti gjeopolitik i radhës, që është lufta në Ukrainë. Sikur të mos mjaftonte legjitimimi nga tërmeti dhe virusi dje, duhej justifikimi me luftën në Ukrainë sot. Edhe pse problemet me naftën apo çmimin e bukës janë mahisur prej kohësh si pasojë e kapjes së tregut.

Pikërisht kur u duk se pushteti aktual nuk mund të legjitimohej më nga anormaliteti, prodhohet rikthimi i Berishës në krye të PD-së. Ky është anormaliteti politik më i madh i tranzicionit shqiptar që i garanton Ramës një qeverisje të qetë sot dhe një fitore të lehtë nesër. Përballë korrupsionit, autoritarizmit dhe agresivitetit berishist, që i vret protestuesit në mes të sheshit, qeverisja Rama duket moderne, tolerante dhe demokratike.

Skandali korruptiv i inceneratorëve zbehet lehtë përballë korrupsionit atomik të familjes Berisha në Gërdec, për të cilin vetë Hollivudi bëri film! Akuzat e LSI-së se SPAK nuk po arreston Ramën për inceneratorët janë qesharake kur bëhen nga një parti, kryetari i stë cilës u kap duke vjedhur me zë e figurë dhe në vend që të dënohej u bë President. Pa përmendur faktin që Lefter Koka korrupsionin e inceneratorëve e bëri si ministër i LSI-së. Bunkerizimi i PS-së sot, mungesa e debatit dhe e demokracisë aty brenda, zbehet përballë blindimit berishist të PD-së, që tashmë ka hapur luftë me faktorin ndërkombëtar, me PS-në e Ramës dhe me PD-në postberishiste.

Për fatin e mirë të Ramës dhe fatin e keq të demokracisë sonë, anormaliteti nuk ka delegjitimuar vetëm opozitën politike, por edhe atë mediatike. Nuk e kam fjalën te megafonët e Berishës. Flas për një sërë gazetarësh dhe analistësh seriozë dhe me integritet, që në mënyrë të sinqertë kritikojnë qeverisjen Rama dhe pasojat negative të saj për demokracinë. Rreshtimi përkrah Berishës i ka vendosur ata në një situatë anormale, duke forcuar kështu propagandën e pushtetit.

Të njëjtët analistë që kritikojnë pafund SPAK-un dhe sistemin e drejtësisë së reformuar sepse arreston “peshqit vegjël” si Lefter Koka, apo se është i kapur nga Rama, kanë heshtur për vendimin thellësisht politik të gjyqtarit Zhukri që ia dhuron PD-në Berishës menjëherë pas dorëheqjes së Bashës. Edhe pse vetë gjyqtari ka deklaruar haptas se është berishist. Të njëjtët analistë që akuzojnë Ramën se nëpërmjet Sorosit influencon Departamentin e Shtetit Amerikan, nuk shikojnë asnjë influencë të tij te Gjykata e Tiranës. Pra, Rama bën konspiracione në Uashington, por jo në Tiranë.

Të njëjtët intelektualë që kanë të paktën 20 vite që kërkojnë largimin e Berishës dhe berishizmit nga skena politike sot, mendojnë se rikthimi i tij e forcon opozitën, edhe pse nuk e sjell në pushtet. Po ata intelektualë dhe gazetarë që prej dekadash na thonë se duhet rinovuar klasa politike, sot thonë se PD-në duhet ta drejtojë dinozauri Berisha dhe jo brezi i ri i politikanëve si Enkeleid Alibeaj apo Jorida Tabaku.

Sa më shumë qelbet bataku i skenës sonë politike, aq më shumë thellohet anormaliteti që e riprodhon dhe e legjitimon atë. Berisha që humbi zgjedhjet e vitit 2013, që e mori në qafë PD-në duke vënë dhe mbajtur në krye të saj “pengun” dhe “humbësin serial” Basha, Berisha që u shpall non grata nga SHBA-të për korrupsion dhe minim të demokracisë, sot shpërblehet nga demokratët duke u rizgjedhur kryetar i PD-së. Përballë një qeverie anormale të skandalit të inceneratorëve kemi një opozitë akoma më anormale të Sali Berishës. Tashmë anormaliteti është në pushtet, majtas dhe djathtas, në ekonominë, politikën dhe median tonë.

Next Post
Artisti shqiptar i njohur në Itali sjell në Tiranë ekspozitën “Rikthim”

Artisti shqiptar i njohur në Itali sjell në Tiranë ekspozitën “Rikthim”

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Rama: Në qershor aplikojmë për t’u bërë pjesë e zonës së përbashkët për pagesat Euro

Shqipëria me “Një vend në diell”, Rama: Përfaqësim me dinjitet në Bienalen e Venecias

May 11, 2026
Izraeli masakër në Liban, vret 51 persona në orët e fundit

Izraeli masakër në Liban, vret 51 persona në orët e fundit

May 11, 2026
Nga pandemia te rënia, pse shqiptarët po tërhiqen nga platformat online të punës

Nga pandemia te rënia, pse shqiptarët po tërhiqen nga platformat online të punës

May 11, 2026
Zetori del nga rruga dhe përmbyset, humb jetën drejtuesi në Lushnje

Zetori del nga rruga dhe përmbyset, humb jetën drejtuesi në Lushnje

May 11, 2026
SHBA dhe Irani arrijnë armëpushimin dyjavor, kusht hapja e Ngushticës së Hormuzit

Tensione të reja SHBA-Iran, Trump refuzon planin iranian për paqe: Krejtësisht i papranueshëm

May 11, 2026
Barcelona fiton titullin në “El Clasico”, Reali dorëzohet ndaj katalanasve

Barcelona fiton titullin në “El Clasico”, Reali dorëzohet ndaj katalanasve

May 11, 2026
Mot i paqëndrueshëm për ditën e sotme, alternime vranësirash dhe reshje shiu

Mot i paqëndrueshëm për ditën e sotme, alternime vranësirash dhe reshje shiu

May 11, 2026
Osmani, e ashpër me Kurtin e Gërvallën: E prishën “dasmën” në prag të anëtarësimit në KiE

Osmani akuza të forta për Kurtin: Donin të më eliminonin politikisht, pasi takova Trumpin

May 11, 2026
BE pezulloi fondet për Serbinë, Vuçiç sulmon komisioneren Marta Kos: Nuk ka qëllime të mira, nuk kemi çfarë flasim më!

BE pezulloi fondet për Serbinë, Vuçiç sulmon komisioneren Marta Kos: Nuk ka qëllime të mira, nuk kemi çfarë flasim më!

May 10, 2026
Dua Lipa padit Samsung: Po përdor imazhin tim për të reklamuar televizorët

Dua Lipa padit Samsung: Po përdor imazhin tim për të reklamuar televizorët

May 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In